LAJMI I FUNDIT:

Ndërtuesit kërcënojnë Komunën e Prishtinës me radikalizëm nëse nuk jep leje

Ndërtuesit kërcënojnë Komunën e Prishtinës me radikalizëm nëse nuk jep leje

Anëtarët e shoqatës së ndërmarrjeve ndërtimore dhe prodhuesit e materialeve ndërtimore kërcënojnë se veprimet e tyre do të radikalizohen nëse Komuna e Prishtinës kërkesat e tyre për leje ndërtimore nuk zgjidhen.

Ndërtuesve të banesave po iu humbet durimi. Ata, transmeton rtk, thonë se po injorohen nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës.

Për këtë arsye në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Shoqatës kishte shumë zëra për radikalizim dhe kërkesa për shkarkim të drejtorit të urbanizmit, Liburn Aliu.


“I kërkojmë kryetarit të Komunës së Prishtinës shkarkimin e drejtorit Liburn Aliu, me kërkesë decidive…”, theksuan ata.

Por, kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu kërkoi diplomaci përpara hapave radikalë.

“Identifikoni 5 vetë nga ju që kanë kërkesa të artikuluara, nesër, pasnesër, kur të doni jemi para derës së Shpend Ahmetit. Bisedojmë dhe nëse atëherë nuk ka lëvizje, çdonjëri prej juve ka pajisje, nuk kemi me thye, por nëse ata mburren se rruga po jep rezultate edhe ne jemi të rrugës”, tha ai.

Shoqata sot formoi edhe Komisionin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të ndërtimit.