LAJMI I FUNDIT:

Ministri Hoti takoi Ambasadoren e Finlandës

Ministri Hoti takoi Ambasadoren e Finlandës

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka pritur në takim Ambasadoren e Finlandës në Prishtinë Anne Meskanen, ku kanë biseduar lidhur me thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, me theks të veçantë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Me këtë rast Ministri Hoti e falënderoi ambasadoren Anne Meskanen për vizitën dhe për mbështetjen e shtetit të Finlandës që i ka dhënë Kosovës në momentet më të vështira politike dhe ekonomike.

Gjatë takimit Hoti e njoftoi ambasadoren Anne Meskanen për masat që po merr Qeveria e Kosovës për faljen e borxheve që bizneset dhe qytetarët kanë ndaj ATK-së, doganave, tatimit në pronë, dhe borxhet ndaj ndërmarrjeve publike, për gjendjen financiare të vendit, për përkushtimin e Qeverisë për krijimin e kushteve më të mira për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë si dhe për përkushtimin e Ministrisë së Financave në luftimin e ekonomisë joformale ku edhe kërkoi nga ajo një mbështetje më të madhe në këtë fushë.

Ndërsa, Ambasadorja e Finlandës në Prishtinë, uroi Ministrin Hoti për pozitën e re dhe njëherazi shprehi gatishmërinë e shtetit të saj për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian, zhvillimit ekonomik të vendit, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve me theks të veçantë luftimin e ekonomisë joformale si dhe ofrimin e punësimit sezonal të qytetarëve kosovar në Finlandë. /Telegrafi/