LAJMI I FUNDIT:

Qeveria fillon negociatat me FMN-në

Qeveria fillon negociatat me FMN-në

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka takuar delegacionin e  Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Jacques Miniane, me rastin e fillimit të vizitës së tyre në Kosovë. Ai i informoi delegacionin e FMN-së mbi Planin Zhvillimor të Qeverisë, për reformat ekonomike e fiskale të cilat dalin nga ky plan, si dhe për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, informoi përfaqësuesit e delegacionit të Misionit të FMN-së edhe mbi vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e ligjeve të cilat kanë të bëjnë me tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin në të ardhurat personale  dhe tatimin në të ardhurat e korporatave.


Ai po ashtu u konfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim sa më të ngushtë me FMN-në.

Ndërsa shefi i Misionit për Kosovës Jacques Miniane dhe ekipi i tij uruan ministrin Hoti për zgjedhjen e tij në detyrën e re, e falënderuan atë edhe për pritjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën përkushtimin e FMN-së për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ekipi i FMN-së do të qëndroj në Kosovë deri më 30 mars, ku përveç Ministrisë së Financave do të kenë takime edhe me përfaqësuesit e institucioneve tjera në Kosovë. /Telegrafi/