LAJMI I FUNDIT:

Naftëtarët s’kanë arsye për mosfiskalizim

Naftëtarët s’kanë arsye për mosfiskalizim

Kompanitë e naftës që nuk janë të fiskalizuara me sistem të veçantë fiskal, tashmë nuk kanë asnjë arsye të mos pajisen me këto sisteme. Udhëzimi i ri administrativ qe një muaj e gjysmë ka hyrë në fuqi përderisa i njëjti e zgjat periudhën e kontrollës periodike të arkave në dy vite. Po ashtu çmimet e sistemeve fiskale tash e sa kohë kanë zbritur. Mirëpo duket se këto kompani nuk janë duke shprehur sërish interesim për ta zbatuar ligjin.

Në kompaninë “Printec” që ofron pajisje elektronike fiskale thonë se në periudhën e fundit asnjë kompani e naftës nuk është paraqitur për fiskalizim dhe se ky proces pothuajse është i ndërprerë.

Ndërkohë në Administratën Tatimore të Kosovës nuk japin afate kohore se kur do të ndodh fiskalizimi i veçantë i kompanive të naftës. Në përgjigjen të cilën zyra për informim e ATK-së e ka kthyer për “Gazeta Express”, vetëm potencohet fakti se fiskalizimi do të vazhdojë dhe për këtë ka publikuar një njoftim dhe se është duke u ndërtuar njësia për menaxhimin e arkave fiskale. ATK më tutje thotë se në kuadër të Planit operacional 2015 ka paraparë dinamikën e përmbushjes së procesit të fiskalizimit për të gjitha kategoritë e bizneseve dhe në kuadër të tyre, edhe kategorinë e “naftëtarëve”.


Ekspertë të ekonomisë disa herë kanë tërhequr vërejtjen për evazionin e madh fiskal që mund të ndodhë nga mosfiskalizimi i naftëtarëve, duke marrë parasysh se ata janë ndër taksapaguesit më të mëdhenj në vend.

Buxheti i Kosovës humb çdo ditë miliona euro nga evazioni fiskal.

Drejtues të Ministrisë së Financave patën premtuar se me hyrjen ne fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ, procesi i fiskalizimit do të përshpejtohet dhe brenda një periudhe të shkurtë ai do të përfundojë. Mirëpo edhe një muaj e gjysmë pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit, procesi nuk ka lëvizur.

Vetë drejtuesit e Shoqatës së Naftëtarëve, në kuvendin e tyre të punës qenë zotuar se brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti të gjitha kompanitë do të pajisën me sisteme të veçanta fiskale, por edhe më tutje ata vazhdojnë operimin pa këto sisteme. /Telegrafi/