LAJMI I FUNDIT:

30 milionë euro vlera e pasurisë së konfiskuara më 2014

30 milionë euro vlera e pasurisë së konfiskuara më 2014

Institucionet e Kosovës vlerësojnë se është shënuar progres mjaftë i madh në aspektin e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale, ndonëse ende mbetet vend për përmirësim. Vetëm në vitin 2014 janë sekuestruar 31 milionë euro, ndërsa 500 deri në 1 milion euro më janë konfiskuar, në krahasim me vitin 2013 ku kanë qenë vetë 1.5 milion euro sekuestrime dhe disa mija euro konfiskime.

Derisa u shtrua nevoja që të nxirret sa më shpejt ligji anti-mafia, ndonëse sipas ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, ligji aktual për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë që është fituar me vepër penale. Kështu u shprehen panelistët në një tryezë të organizuar nga Lëvizja Fol rreth konfiskimit të pasurisë, puna një vjeçare e institucioneve.

Por, edhe pse këto shifra janë vlerësuar nga shoqëria civile, pati edhe kritika rreth mungesës së rezultateve në aspektin e luftimit të korrupsionit të profilit të lartë, duke qenë se vazhdimisht ka pasur deklarata nga krerët e institucioneve se ky lloj i korrupsionit do të luftohet pa rezervë.


Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka premtuar se do të bëjë ndryshimin e ligjit dhe barrën e provës tek zyrtarët e lartë do ta lë mbi ta. “Jam i mendimit që në veçanti barra e provës në rastet e zyrtarëve të lartë publik që janë të obliguar për të deklaruar pasurinë të bie mbi ata. Por, kjo do të ishte faza e parë që do të ndihmonte të krijonim një disiplinim. E dyta mendoj që mund të shkojmë në fazën tjetër që barra e provës të bie mbi të pandehurin. Si ministër do ta bëjë amendamentimin e këtij ligji dhe do ta bëjë barrën e provës. Për zyrtarët e lartë publik s’e kam asnjë dilemë, dhe këtë do ta bëjmë, por a do ta bëjmë për gjithë qytetarët këtë duhet ta mendojmë bashkërisht”, tha Kuçi.

Kuçi ka vlerësuar lartë rezultatet e arritura në vitin e kaluar, duke thënë se është një zhvillim mjaftë i mirë. “Kosova ka ligje të mira edhe në këtë fushë por Kosova ka nevojë duhet zbatim me i madh. Mua më gëzon fakti që vitin e kaluar kanë qenë 31 milionë pasur të konfiskuar dhe sekuestruar, do të thotë është rritur dukshëm, dhe është një zhvillim rapid në kuptimin pozitiv në këtë çështje. A është i mjaftueshëm, me siguri se nuk është i mjaftueshëm”, tha ai.

Ndërsa, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu tha se kanë ngritje të jashtëzakonshme në pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar në vitin 2014, krahasuar me vitin 2013, ndonëse sipas tij nuk është e mjaftueshme.

“Në vitin 2014, shifra e sekuestrimit ka arritur një shifër mjaftë të madhe, të jashtëzakonshme do të thosha, nga 1.5 milion euro në vitin 2013, në 31 milionë euro sekuestrime në vitin 2014, nga disa mija euro konfiskime në vitin 2013, në së paku gjysmë milioni deri në një milion euro konfiskime….Pra siç shihet atë që tha ministri Kuçi kemi një rritje domethënëse dhe kemi rezultate sinjifikative sa i përket efikasitetit me të rritur dhe me të shtuar të të gjitha institucioneve zbatuese të ligjit në drejtim të kësaj. Mirëpo, edhe unë do ta ritheksoj atë që e tha po ashtu ministri, a është kjo e mjaftueshme. Kjo nuk është e mjaftueshme për arsye se është fillimi i punës dhe këto janë rezultatet e para”, tha Fazliu.

Fazliu ka cekur edhe dështimet që kanë pasur vitin e kaluar. Sipas tij, njëra ndër to është edhe fakti që vetëm në regjionin e Prishtinës janë mbi 107 vetura të sekuestruara, të cilat vazhdojnë sot e kësaj dite të qëndrojnë nëpër Polici, Gjykata, prokurori dhe depo të ndryshme, të cilat sot mund të shitën tash e tutje vetëm për hekur.

Ndërsa, edhe pse kanë vlerësuar këto statistika, Arjana Qosja-Mustafa nga KIPRED-i, ka kritikuar institucionet për mos luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë. “Nëse e shohim se sa ndahet buxhet në nivel të Kosovës dhe bëjmë një krahasim sa bëhen investime në çështjen e prioriteteve të investimeve në infrastrukturë e shohim se kemi një diskrepancë të madhe, do të thotë deri diku 40 për qind e buxhetit të Kosovës shkon në investime kapitale të rrugëve apo shpronësime të tokave. Ndërsa me një zvogëlim apo rritje sinjifikante për gjyqësorin i cili ndahet nga 2 deri në 3 për qind në vit”, theksoi ajo.

Me buxhetin për gjyqtarët dhe prokurorët u pajtua edhe ministri Kuçi, i cili tha se ai iu ka bërë ftesë edhe Këshillit Gjyqësor edhe Këshillit Prokurorial që të shkojnë më përqindje të buxhetit dhe jo me paga.

Kuçi tha se ai është ithtar që deri 4 për qind e buxhetit të Kosovës duhet të jetë për sistemin gjyqësor, por jo të bëhet krahasimi me arsimin, sepse në arsim janë 32 mijë veta. /Telegrafi/