LAJMI I FUNDIT:

Kriter për punësim lidhjet dhe partia

Kriter për punësim lidhjet dhe partia

Lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake, janë faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në sektorin publik në Kosovë. Kështu thuhet në hulumtimin e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP).

Se këta faktorë janë përcaktues në punësim në sektorin publik, pohojnë edhe përfaqësues të punëtorëve dhe të shoqërisë civile.

Ndue Kalaj, kryetar i Sindikatës se Administratës Publike, sindikatë kjo që funksion në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), thotë se punësimi në sektorin publik është politizuar.


Për fat të keq thotë ai, “çdo parti apo koalicion qeverisës punëson vetëm përkrahësit partiak, pa marrë parasysh kualifikimet dhe aftësitë profesionale”.

Këtë situatë, Kalaj e quan alarmante dhe nuk sheh ndonjë përmirësim edhe në të ardhmen. “Për fat të keq, shumica e njerëzve që janë punësuar në administratën publike të Kosovës kanë ardhur përmes lidhjeve partiake, familjare dhe lidhjeve tjera. Shumë pak kanë ardhur përmes bazës meritore apo zbatimit të ligjit në fuqi. Ky është fakt i keq”, thekson Kalaj.

“Që nga viti 2002 kur Kosova ka formuar institucionet qendrore, çdo parti që ka fituar zgjedhjet dhe ka marrë pushtetin, ka punësuar militantët e partive të tyre dhe anëtaret e familjes”, thotë edhe Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv në Lëvizjen “Fol”.
Ai ka thënë se gjatë fushatave elektorale të gjitha partitë politike premtojnë vende të reja të punës dhe me marrjen e pushtetit në shumicën e rasteve duhet të përmbushin premtimet për militantët e tyre.

“Partitë politike në momentin që marrin pushtet, e marrin duke premtuar edhe vende pune dhe pastaj ka apo nuk ka standarde të punësimit , ata duhet të punësojnë militantët e tyre .Në këtë mënyrë, punësimi i militantëve degradon komplet administratën publike”, tha Zogaj.

Ndryshe, në anketën e publikuar javën e kaluar, rezulton se 81 për qind e qytetarëve besojnë se nepotizmi dhe bazat tjera jo meritore, janë faktorët më të rëndësishëm për tu punësuar në sektorin publik.

Vetëm 15 për qind e qytetarëve besojnë se arsimimi, përvoja profesionale, ndihmojnë në gjetjen e një vendi pune.

Por, Ndue Kalaj nga BSPK-ja thotë se punësimi i personave pa kualifikime dhe përvojë profesionale ka sjellë jo profesionalizëm në sektorin publik. “Në çdo institucion si në nivel qendror apo lokal, vërehet se në pozitat më të larta, duke filluar nga shefat, zakonisht janë militantë partiak të partisë se caktuar. Pra, është një gjendje alarmante, pasi këta militantë nuk kanë kualifikime profesionale. Në administratën publike në nivelin qendror, një pjesë dërmuese e tyre, nuk e kanë përvojën për të cilën e kryejnë punën“, thekson Kalaj.

Sidoqoftë, kriteret për punësim janë të përcaktuara në Ligjin për Shërbimin Civil.

Në bazë të këtij ligji, pranimi në Shërbimin Civil mbështetet në parimet e meritës, me shpallje publike të pozitave të lira, me transparencë të procesit, me objektivitet dhe paanësi të komisionit testues, mos diskriminim të kandidatëve dhe me të drejtën për t’u ankuar në fund të procesit, ndërsa në rast të mos zbatimit të tyre merren masa disiplinore. /Rel/Telegrafi/