LAJMI I FUNDIT:

Humbjet e afaristëve kosovarë nga mungesa e vizave

Humbjet e afaristëve kosovarë nga mungesa e vizave

Mospërfshirja e Kosovës në zonën evropiane të lëvizjes së lirë pa viza, ka dëmtuar afaristët kosovarë. Pamundësia për të qarkulluar pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ka ndikuar në mosnjohjen për së afërmi me partnerët e mundshëm, me të cilët mund të kenë marrëdhënie tregtare.

Revista “Ekonomia” ka biseduar me disa përfaqësues të bizneseve, të cilët kanë treguar për humbjet që ata i kanë si pasojë e mosliberalizimit të vizave dhe njëkohësisht me pengesat që ata hasin për t’u pajisjur me viza Shengen.

Probleme të mëdha nga procedurat e gjata për pajisjen me viza


Pronarit të fabrikës së vajit “Inter Company” nga Podujeva, Sylejman Konushevcit, mosliberalizmi i vizave dhe procedurat e gjata për pajisjen me viza të përkohshme Shengen i kanë shkaktuar probleme të mëdha në zhvillimin e biznesit të tij. “Mosliberalizmi i vizave ndikon shumë në biznesin tonë. Të gjitha bizneset duhet t’i kontaktojmë përmes telefonit, pasi nuk mundemi të shkojmë t’i takojmë sa herë që paraqitet nevoja. Ne nuk e kemi atë ‘luks’, nëse mund ta quaj ashtu, që të shkojmë sa herë që të duhet të takojmë partnerët tanë nëpër botë”, tregon Konushevci.

Mbi të gjitha, sipas Kounshevcit, për marrjen e vizave të përkohshme nevojitet kohë e gjatë. Fillimisht, tregon ai, të duhet kompletimi i një varg dokumentesh, duke filluar nga garancia që ta dërgon kompania me të cilën bashkëpunon, pastaj qarkullimi bankar e shumë e shumë dokumente të tjera.

Për t’u pajisur me një vizë, tregon ai, presim deri në tre muaj, gjë që u shkakton humbjen e shumë partnerëve të mundshëm. “Jo që kushton vetëm me para, por është edhe koha e humbur. Ne presim minimum një muaj për një përgjigje dhe kur kthehet përgjigjja, merr një vizë vetëm për 30 ditë qarkullim. Mund të ndodhë që në atë kohë sa ne kemi vizë, partnerët tanë afaristë nuk mund të caktojnë takim, pasi kanë obligime të tjetra”, tregon Konushevci.

Kosova ka mbetur vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin pa viza.

Problemet me sundimin e shtetit ligjor, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë çështje që merren parasysh për vendet që pretendojnë procesin e liberalizimit, apo atë të integrimit në Bashkimin Evropian.

Bizneset që merren me eksportin dhe importin e produkteve të ndryshme, janë ato që pësojnë më së shumti nga mungesa e liberalizimit të vizave.

Njëra nga këto kompani është kompania “Frutex” nga Suhareka. Pronari i saj, Shaqir Palushi, tregon se shumë herë ka pasur raste kur edhe i është refuzuar viza, pavarësisht nga fakti se kanë pasur të udhëtojmë për të blerë makineri për punën që e bëjnë.

Austria e Sllovenia, janë dy nga shtetet që u kanë refuzuar vizat, tregon Palushi. “Mosliberalizimi për bizneset e Kosovës është pengesë pasi ballafaqohemi me probleme të mëdha. Për shembull, si pronar unë e kam marrë vizën, por punëtorëve të mi, menaxherë, që janë përgjegjës për zhvillimin e eksportit, u është refuzuar, dhe kjo është pengesë. Edhe kur shkojmë për të aplikuar për marrjen e vizave, trajtohemi njëjtë si qytetarët e rëndomtë. Natyrisht, që kjo shkakton probleme për ne si kompani e cila merret me eksport dhe import”, shton ai.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se pa njohjen për së afërmi me partnerët e mundshëm dhe teknologjitë e reja, nuk mund të ketë as zhvillim të veprimtarisë së biznesit, i çfarëdo lloji qoftë ai.

Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë bërë të ditur se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është larg, por fillimisht Kosova duhet të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar dhe të parandalojë përsëritjen e krizës së migrimeve të paligjshme siç ka ndodhur në muajt e parë të këtij viti.

Kosova nuk duhet të lihet anash

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë u kanë bërë thirrje institucioneve vendore që të marrin më shumë përgjegjësi për përmbushjen e reformave që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

Ata thonë se gati tre vjet nga fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave, Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara nga udhërrëfyesi për këtë çështje.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë kërkojnë nga ekzekutivi kosovar që të bëhen marrëveshje me shtetet për krijimin e lehtësive për marrjen e vizave për bizneset kosovare.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për revistën Ekonomia ka theksuar se afaristëve kosovarë do të duhej tu jepej një prioritet më i madh pasi kanë një arsye që i bën më legjitimë për një vizë të caktuar.

“Në përgjithësi, kemi parë që ka pasur një zotim më të madh të misioneve diplomatike se do të ketë një trajtim më prioritar për të gjithë afaristët gjatë aplikimit të tyre për viza. Arsyeja pse ekziston sot Bashkimi Evropian është pikërisht që të promovohen vlerat e lëvizjes së lirë dhe besoj që Kosova nuk duhet të lihet anash nga këto vlera”, shton Zeka.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se për mungesë të vizave nuk mund të realizohen takime të rëndësishme të përfaqësuesve të bizneseve kosovare me afaristë ndërkombëtarë.

“Problem i pazgjidhur mbetet liberalizmi i vizave për sektorin e eksportit dhe të importit të produkteve të ndryshme. Po ashtu, edhe aktivitetet e ndryshme në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, por edhe në vendet rajonale, që nuk e njohin dokumentacionin e Kosovës, vizat janë vështirësuar dhe janë të shtrenjta, e gjithë kjo e vështirëson aktivitetin e bizneseve në Kosovë”, thotë Shahini.

Krerët e institucioneve në Kosovë në vazhdimësi po kërkojnë nga Bashkimi Evropian që t’i trajtojë ata njëjtë si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që tashmë kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Shengenit.

Bashkimi Evropian ka hequr vizat për qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipërisë dhe Bosnjës u janë hequr vizat një vit më pas, në dhjetor të vitit 2010. /RevistaEkonomia/Telegrafi/