LAJMI I FUNDIT:

Sektori privat, bazë e zhvillimit ekonomik

Sektori privat, bazë e zhvillimit ekonomik

Mungesa e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik si dhe krijimi i vendeve të reja të punës mbetet sfidë për institucionet e Kosovës. Prandaj për ketë Qeveria e Kosovës duhet ë ketë një bashkëpunim më të madh për ti arritur këto parametra zhvillimorë.

Këto komete dhe shuam të tjera u thanë të premten në Prishtinë në konferencën me rastin e 20-vjetorit të Institutit RIINVEST.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria kërkon një bashkëpunim më të ngushtë me të gjitha institucionet e dijes, sepse ka nevojë të gjejnë zgjidhje për çështjet të ndryshme.
“Ne kemi përcaktuar drejtimet tona themelore, kemi përcaktuar se duhet të punojmë në politikat zhvillimore të cilat korrespondojnë mes vete në mënyrë efikase. Duhet dhënë gjithmonë përparësi sektorit privat dhe nxitjes së këtij sektori sepse e kemi përcaktuar si sektor bazë të zhvillimit ekonomik. Zhvillimi ekonomik e forcon shtetin ligjor por edhe forcimi i shtetit ligjor po ashtu është parakusht i zhvillimit ekonomik, i tërheqjes së investimeve të huaja direkte dhe i stabilitetit ekonomik të vendit” ,tha Mustafa


Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Misionit në Kosovë të USAID-it, Chris Edwards, tha se kjo konferencë sot e adreson temën e cila është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës – temë kjo e zhvillimit ekonomik të vendit, zbutjes së papunësisë dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Aseti më i rëndësishëm i Kosovës është populli i saj dhe nëse qytetarët e Kosovës nuk kanë punë atëherë ky aset do të humbet, ekziston një mundësi shumë e madhe në Kosovë se do të krijojmë një të ardhme më të mirë, me përpjekje, me reforma, rregullore ose me një përkushtim të duhur të atyre që janë në pozita të lidershipit këtu sot. Kështu këto ëndrra do të mund të realizohen” , tha Edwards.

Ndërsa, udhëheqësi i Seksionit për Politikë, Ekonomi dhe Integrim Evropian të Zyrës së BE-së, Thomas Gnocchi tha se, nëse qeveria dëshiron të jetë e suksesshme në zbatimin e këtyre politikave ekonomike, atëherë duhet që në mënyre gjithëpërfshirëse shoqëritë civile, komunat, investitorët e huaj dhe akademikët të angazhohen në mbështetje të tyre që të bëjnë një hap të gjithë së bashku drejt zhvillimit ekonomik.

“Ne si BE do të donim të theksojmë që Kosova duhet të ridyfishojë përpjekjet e saj që në radhë të parë të aprovojë ligj ose të ketë një qasje gjithëpërfshirëse në mënyrë direkte dhe të përqendrohet në mënjanimin e pengesave ekzistuese, siç janë burokracia publike, korrupsioni i shtuar dhe gjyqësori joefikas, të promovojë zhvillimin e sektorit privat, të forcojë kapacitetet dhe efikasitetin dhe të përfundojë rastet e mbetura në gjykatë. Në fund, të përmirësojë cilësinë e arsimit” , tha Gnocchi.

Lumnir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit RIINVEST, tha se Kosova i ka të gjitha parakushtet për të ushtruar zhvillim ekonomik, edhe pse kualitetet e politikave qeverisëse, aftësimet e fuqisë punëtore dhe mungesa e inovacionit e kanë vendosur atë në trende e nivele larg nga më të dëshiruarat.
“Mosndryshueshmëria e këtyre pengesave investive nëpër vite, shpjegon dhe stagnimin e investimeve private, rrjedhimisht mosndryshimin e strukturës së aktiviteteve ekonomike, e cila më pas shkakton rritjen modeste ekonomike dhe përfundimisht mospërkthimin e saj në vende të reja punë. Është një cikël që duhet zhbërë nga fillimi.” , tha Abdixhiku.

Të pranishmit shprehën mendimin se Kosova investon pak në krahasim me vendet e tjera, sidomos në krahasim me nevojat. Sipas tyre, diku 22 për qind deri në 24 për qind të GDP-së shkojnë në investime. Kjo do të ishte në rregull për vendet e zhvilluara, por për Kosovën kjo është pak, u tha në konferencë, ku u vërejt se GDP duhet të ngritët deri në 30 për qind në mënyrë që të ketë një zhvillim ekonomik më të madh për shtetin e Kosovës. /Telegrafi/