LAJMI I FUNDIT:

Si do të kompensohen humbjet e të hyrave nga MSA-ja?

Si do të kompensohen humbjet e të hyrave nga MSA-ja?

Parashikimin e Doganës së Kosovës se impakti i parë minimal pritet ta dobësojë buxhetin e Kosovës për 24 milionë euro që me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) e pohojnë edhe njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, të cilët vlerësojnë se impakti fillestar do të jetë më i lartë se 24 milionë euro, ndërsa do të rritet në vitet në vijim.

Për ta kapërcyer këtë hendek njohësit e rrethanave ekonomike dhe financiare thonë se këtë humbje të të hyrave duhet zëvendësuar forma të tjera që sigurojnë hyrje më të mëdha buxhetore.

Sipas tyre, hap i parë i institucioneve vendore duhet të jetë lufta e ashpër e ekonomisë informale, për të vazhduar me tërheqjen e investimeve të huaja, pastaj orientimi tek prodhuesit vendorë për të mbështetur ata në gjetjen e tregjeve të jashtme për t’i plasuar prodhimet e tyre.


Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ditë më parë ka deklaruar se hyrje në fuqi e MSA-së nuk rrezikon të hyrat nga pikat kufitare, sepse siç ka thënë ai, rritja në të hyrat sivjet është 7.8% ende pa përfunduar viti.

“Vitin e ardhshëm unë besoj se do të tejkalojmë këtë rritje të të hyrave edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) edhe nga Doganat e Kosovës dhe kjo do të na mundësojë që ne të akomodojmë çfarëdo zvogëlimi të të hyrave nga doganat si rezultat i zbatimit të MSA-së”, thotë ministri Hoti.

Pas arritjes së nënshkrimit të MSA-së në mes Kosovës dhe Unionit Evropian, kryeministri, Isa Mustafa, pati thënë se Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), do të investojë në Kosovë deri në vitin 2020, mbi 600 milionë euro dhe këtu do të përfitojnë edhe prodhuesit për t’i rritur dhe zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese.

Përveç tjerash, hyrja në fuqi e MSA-së vlerësohet se është sinjali më i mirë që do tu dërgohejë investitorëve të jashtëm se Kosova është një vend që i plotëson kriteret bazike evropiane sa i përket funksionimit të ekonomisë së tregut.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë për KosovaLive se sfidë do të jetë mbulimi i vakuumit prej 24 milionë eurosh, të cilin e pohojnë zyrtarët doganorë. Mirëpo, ai beson se krahas shtimit të volumit tregtar, qeveria duhet të ketë një strategji më aktive në luftë kundër informalitetit ekonomik.

“Vetëm me luftë kundër informalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar mund të minimizohen pasojat nga impakti i MSA-së. Por krahas luftës kundër ekonomisë së kriminalizuar mund të arrihen efekte pozitive në aspektin psikologjik, ku do të jetë një përmirësim i imazhit të Kosovës, do të jetë një motivim për investitorët e huaj dhe në raport të të bërit biznes Kosova do të rangohet shumë më lartë sesa deri më tani”, mendon Gërxhaliu.

Ai shton se efektet do të jenë pozitive nëse merret me seriozitet implementimi i MSA-së dhe nëse ajo do të pasohet nga liberalizimi i vizave dhe sundimi i rendit dhe ligjit.

“Nuk mund të ketë efekt pozitiv MSA-ja, në qoftë se edhe më tej eksportohet paraja e gatshme. Prandaj, nevojiten fushata vetëdijesuese për konsumatorin që të drejtohen në rend të parë drejt prodhimit vendor. Besoj që fondet për rritjen e kapaciteteve në Kosovë, afër 630 milionë euro, janë një mundësi e re që të ngritën në veçanti kapacitetet prodhuese, të përcjella me internacionalizim të produkteve, licencim dhe menaxhim të kualitetit”, nënvizon Gërxhaliu.

Ai rikujtin se të hyrat tatimore për vitin 2016 parashihet të vazhdojnë të dominohen nga të hyrat e arkëtuara në kufi. Kështu që barra do t’i mbetet Doganës për të mbushur arkën e shtetin. Sipas projektbuxhetit të vitit 2016 të hyrat parashihen të jenë 1 miliard e 597 milionë euro. Të hyra nga Administrata Tatimore e Kosovës parashihet të jenë 340 milionë euro, apo 6.8% më shumë se sa viti 2015. Ndërsa, Dogana e Kosovës është ngarkuar të grumbullojë 1 miliard euro, apo 6.2% më shumë se këtë vit.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar në media se humbja prej 24 milionë eurosh që në start të fillimit të zbatimit të MSA-së, ka shans të kompensohet, pasi mallrat do të shkëmbehen me tregun e BE-së.

“Tani jemi duke kalkuluar mbi bazën e historisë së vëllimit të importit, të cilin e kemi pasur deri më tani. Mirëpo, presim që vëllimi i importit me Bashkimin Evropian do të rritet, për arsye se në momentin që do të eliminohet tatimi doganor, në ato mallra do të jetë vetëm akciza për disa mallra të caktuara, në të cilat aplikohet edhe tatimi i vlerës së shtuar.

Me heqjen e tatimit doganor do të rriten mundësia dhe vëllimi për të importuar mallra më shumë nga Bashkimi Evropian, që s’kanë qenë deri më tani të favorshme, për arsye se mbi ato mallra është aplikuar 10 përqindëshi”, ka thënë Rafuna.

Të rikujtojmë se MSA-ja parasheh që nga momenti kur të hyjë në fuqi, një pjese të produkteve që nuk prodhohen në Kosovë, t’iu hiqet taksa doganore dhe në 10 vjetët e ardhshëm taksa doganore për produktet e BE-së që futen në tregun e Kosovës, do të hiqet dalëngadalë.

Drejtori i hulumtimeve në institutin Riinvest, Alban Zogaj, thotë për KosovaLive se është shumë e qartë që MSA-ja do të ketë efektet imediate të menjëhershme në buxhetin e Kosovës.

Zogaj shkon përtej parashikimeve të zyrtarëve doganorë se impakti i të hyrave nga Doganat do të jetë prej 24 milionë euro. Sipas tij, efektet në fazën e parë konsiderohen prej 25 deri në 35 milionë euro, e pastaj ato shkojnë duke u rritur në fazat tjera të mëvonshme.

“Kjo nënkupton edhe të hyra më të pakta për Doganat e Kosovës dhe për buxhetin e Kosovës. Por, kjo nuk duhet të shihet vetëm nga prizmi negativ, për arsye se duhet të konsiderojmë se këto pagesa nga doganat janë përkthyer në çmim të produkteve që kanë hyrë nga BE-ja dhe ka qenë qytetari që në fund i ka paguar ato 25-35 milionë euro.

Në këtë drejtim në qoftë se ne si qytetar të Kosovës, në të ardhmen nuk do të paguajmë produktet evropiane me çmime më të larta, kjo nënkupton që ajo pjesë e parave do të mbetet në xhepat e qytetarëve për t’u shfrytëzuar në forma tjera, në konsum, ose të orientohen nga investimet”, thotë Zogaj për KosovaLive.

Ai konsideron se ato mjete sërish mbesin në ekonominë e Kosovës, mirëpo nuk do të mbesin të hyra për qeverinë, e që kjo e fundit duhet të planifikojë se do të ketë të hyra më të pakta. Zogaj mendon se duhet gjetur forma tjera për të mbuluar këtë ipmakt që do të reflektohet në buxhetet e ardhshme. /KosovaLive/