LAJMI I FUNDIT:

37 mijë kredimarrës në “listë të zezë”

37 mijë kredimarrës në “listë të zezë”

Bankat të cilat veprojnë në Kosovë, e që lëshojnë kredi të ndryshme, për kredimarrësit që vonohen në shlyerjen e kredive kanë edhe “lista të zeza”. Në këto lista deri më tani për shkak të vonesës së kredive janë futur 37 mijë kredimarrës. Sidoqoftë, deri në gusht të këtij viti, më e madhe është vlera e depozitave në banka sesa vlera e kredive të lëshuara.

Numri i personave, të cilët marrin kredi nga bankat komerciale në vend në vazhdimësi ka shkuar duke u rritur edhe pse kamatat e kredive janë mjaft të larta. Kreditë mbesin opsion i mirë për të financuar nevoja të ndryshme të banorëve, të cilët në mungesë të burimeve të tjera financiare gjejnë “shpëtimin” tek bankat.

Deri më tash, sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kreditë e lëshuara nga bankat komerciale shkojnë në rreth 460 mijë, ose arrijnë shumën 1,9 miliardë euro. Por, me rritjen e numrit të kredive të lëshuara është rritur edhe numri i klientëve, që u është prishur historia kreditore bankare për shkak të mos kthimit të kredisë, si dhe në rastet kur kanë garantuar për dike tjetër dhe ai nuk ka mundur ta shlyej kredinë me kohë.


Përkundër numrit të madh të kredive të lëshuara ato ende nuk mund t’ua kalojnë depozitave të cilat e kapin shumën prej mbi 2.6 miliardë euro, e kredit, siç dihet, janë vetëm 1.9 miliard euro.

Zyrtarët e bankave në vend kanë treguar se për çdo vonesë dhe pagesë të kredive ata e njoftojnë BQK-në në baza ditore, pas raporteve të tyre, kredimarrësit që vonohen për pagesën e kësteve futen pastaj në listën e klientëve me histori bankare të prishur.

Zëdhënësi i Bakës Qendrore të Kosovës (BQK), Besnik Kada, ka thënë për revistën “Ekonomia” se në kredi janë rreth 460 mijë kredi të lëshuara, derisa sipas tij, edhe numri i atyre me histori të prishur i ofrohet rreth 37 mijëve.

“Bazuar në të dhënat që i posedon Regjistri i Kredive të Kosovës, numri i kredive të ashtuquajtura me probleme janë rreth 37.000 mijë derisa gjithsejtë totali i kredive aktive është 458 mijë e 903 kredi të lëshuara si hua, mbitërheqje, garancione. Këto shifra nuk nënkuptojnë numrin e kredimarrësve por nënkuptojnë numrin e kredive të lëshuara, ku si shëmbëll një person apo biznes mund të ketë më shumë se një kredi”, ka treguar ai.

Kada ka shpjeguar se çfarë nënkupton kredi me probleme. “Ky lloji i kredisë vjen pas një vlerësimi ku shihet se klienti nuk i është përmbajtur marrëveshjes të cilën e ka nënshkruar me rastin e marrjes së kredive dhe ka regjistruar vonesa me rastin e kthimit të kësteve të kredisë dhe sipas vonesave vjen edhe deri tek klasifikimi nga ana e bankave e që bazohet në ditët e vonesave të regjistruara. Ky klasifikim ka disa kategori si kategoritë B-C-D-E”, ka thënë zëdhënësi i BQK-së.

Sipas Besnik Kadës, futja në “listë të zezë” vjen edhe për shkak të mos pagesave edhe të shumave të ulëta. “Tek kategorizimi mund të vjen edhe nga shumat e vogla në euro dhe deri tek shumat më të mëdha, në klasifikim shumica e kredive janë të shumave të ulëta. Këtu bëjnë pjesë kreditë si hua, mbitërheqje, kartela krediti etj”, tha ai, duke treguar se niveli i kredive të këqija ka arritur në 7.5 për qind në gusht 2015.

Sipas tij, klientët të cilët vonohen në kthimin e kredisë kategorizohen në disa kategori. “Sa i përket vonesave, kategorizimi i kredive bëhet konform vonesave, afatet e vonesave përcaktohen në bazë të kontratës së palëve me rastin e nënshkrimit të marrjes së kredisë, mosrespektimi i kontratës , sjellë edhe vërejtjet siç është edhe kategorizimi në raportim tek Regjistri i kredive ( kategoritë janë këto : B-C-D-E)”, tha Kada.

Sipas statistikave në BQK-së, në Kosovë depozitat janë më të mëdha se sa kreditë e lëshuara nga bankat. “Shuma e kredive në sektorin bankar në muajin gusht 2015, evidentohet 1.965 miliard euro, ndërsa e depozitave 2.649 miliardë euro”, ka treguar Besnik Kada zëdhënës në BQK.

Historia prishet edhe si garantues

Ndërkaq, zëdhënësja e Raiffaisen Bank, Iliriana Tahiraj, ka thënë për revistën “Ekonomia” se historia kreditore e një kredimarrësi është shumë e rëndësishme dhe ka një ndikim të drejtpërdrejt në financimin e klientit sot apo edhe në të ardhmen. Ajo thotë se për t’u siguruar se klienti e ka një histori të mirë kreditore, klientët duhen që të bëjnë pagesën e kësteve të kredisë me rregull.

Sipas Tahirajt, mos pagimi me kohën e paraparë të këstit të kredisë ndikon drejtpërdrejtë në historinë kreditore të klientit. “Është e rëndësishme të përmendim se Banka është e obliguar me ligj t’i raportojë Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat e kredive në baza ditore. Në këto raporte përfshihen edhe vonesat e pagesave të kredisë dhe ato regjistrohen në regjistrin e kredive të Kosovës i cili menaxhohet nga BQK-ja. Vonesa e pagesës së kredisë do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në historinë kreditore të klientit”, ka theksuar zëdhënësja Tahiraj.

Në rastet kur klienti, sipas saj, nuk mund të paguaj këstin e kredisë ai duhet paraprakisht ta njoftojë bankën. “Në rastet kur klienti vlerëson se nuk do të ketë mundësi të paguajë këstet e kredisë ashtu siç është pajtuar fillimisht me Bankën, ai duhet paraprakisht ta njoftojë bankën për këtë dhe të bisedojë me zyrtarët bankar për gjetjen e një zgjidhjeje tjetër, siç mund të jetë edhe ristrukturimi i kredisë. Në këtë mënyrë, klienti do të shmangë vonesës e pagesës së këstit të kredisë dhe nuk do të ndikojë në historinë e tij kreditore”, thekson ajo.

Zëdhënësja e Raiffaisen Bank, Iliriana Tahiraj, thotë se përveç vonesës për të paguar këstin e kredisë me rregull, në historinë e kreditore të klientit mund të ndikojë edhe fakti që klienti ka vendosur t’i përdorë fondet për një destinim tjetër nga destinimi që e ka paraqitur kur e ka marrë kredinë në Bankë. “Historia kreditore mund të prishet edhe kur klienti është në cilësinë e bashkë-huamarrësit dhe garantuesit”, tregon Tahiraj.

Kurse, Fitore Sinani zyrtare për informim në ProCredit Bank, ka thënë për revistën “Ekonomia” se kreditë për klientë janë në përputhje me misionin e bankës për të ofruar shërbime të përgjegjshme bankare duke pasur parasysh gjendjen financiare të secilit klientë.

“Kështu, procesi i kredi dhënies në Bankën ProCredit bazohet në analizë të thuktë financiare të bizneseve dhe në kujdesin e kreditimit të personave fizik. Kredia është një investim nga i cili duhet të përfitoj klienti, prandaj Banka ProCredit nuk promovon kredi konsumuese por kreditë që i mundësojnë klientit shtim të vlerës së investimit”, ka thënë ajo.

Sipas Sinanit, ProCredit investon në edukimin financiar përmes informimit dhe këshillimit të klientëve. “Banka i kushton rëndësi të veçantë masave parandaluese duke u përqendruar në kapacitetin financiar të klientit dhe në identifikimin e aplikacioneve të këqija para aprovimit”, tha zyrtarja për informim në ProCredit Bank, Fitore Sinani.

Ndikimi i papunësisë

Ekonomisti Fisnik Reçica, i cili është ligjërues në kolegjin “Riinvest”, ka thënë për revistën “Ekonomia” se normat e interesit në kredi gjatë viteve të fundit kanë pësuar rënie të dukshme. Sipas tij, rritja e papunësisë ka bërë që të rritet edhe numri i kredimarrësve me histori të prishur kreditore.

“Mirëpo, marrë parasysh tkurrjen e rritjes ekonomike në vend, mund të supozojmë se numri i madh i kredive joperfomuese vjen si pasoje e rënies së aktivitetit ekonomik në sektorin privat, në veçanti, gjë që ka pamundësuar bizneset të realizojnë të ardhurat e planifikuara. Si indikator për këtë gjendje është edhe rritja e papunësisë gjatë vitit 2014 që mund të ketë ndikuar edhe në mosperformimin e kredive individuale”, tha ligjëruesi në Kolegjin “Riinnvest” Fisnik Reçica.

Ndryshe, historia kreditore e klientit përcaktohet përmes Rregullores së BQK-së për Menaxhimin e Rrezikut Kreditor të miratuar më 26 prill 2013. Bankat janë të obliguara të klasifikojnë klientët e tyre në bazë të kritereve që përfshihen në këtë rregullore. /Revista Ekonomia/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Informata të rëndësishme për konsumatorët e ujit në regjionin e Prishtinës

Informata të rëndësishme për konsumatorët e ujit në regjionin e Prishtinës

Ekonomi
Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Ekonomi
Meritaterm vazhdon kampanjën me super zbritje prej 33% për pompën termike më të mirë në treg, Toshiba

Meritaterm vazhdon kampanjën me super zbritje prej 33% për pompën termike më të mirë në treg, Toshiba

Ekonomi
Foleja Home: Produkte cilësore dhe moderne për shtëpinë dhe zyren tuaj

Foleja Home: Produkte cilësore dhe moderne për shtëpinë dhe zyren tuaj

Ekonomi
Kjo është super platforma për menaxhimin e procesit të dhënies dhe marrjes me qera të veturave

Kjo është super platforma për menaxhimin e procesit të dhënies dhe marrjes me qera të veturave

Ekonomi
Digjitalizimi i shërbimeve për qytetarët, Kurti: Është prioritet kyç i Qeverisë

Digjitalizimi i shërbimeve për qytetarët, Kurti: Është prioritet kyç i Qeverisë

Ekonomi
Kalo në kategori