LAJMI I FUNDIT:

Arton Ajvazi, “mbret” i shpejtësisë në Kosovë

Arton Ajvazi, “mbret” i shpejtësisë në Kosovë

Arton Ajvazi është fituesi i garës së famshme automobilistike “Drag Race” për vitin 2015. Ai, me superautomobilin e tij Nissan GTR, arriti t’i mposhtë të gjithë garuesit tjerë.

Gara e veçantë u mbajt javën e kaluar, më 1 dhe 2 gusht, në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë. Aty Ajvazi me sukses doli i pari në mesin e 100 pjesëmarrësve dhe vendosi rekordin e shtegut, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ajvazi, me Nissan GTR të vitit 2011, arriti të përfundonte shtegun e gjatë 402 metra për vetëm 10 sekonda e 873 të qindtat, ka njoftuar Federata e Auto Sporteve e Kosovës, nën përkujdesjen e së cilës u mbajt gara. Për të arritur këtë, automobili i veçantë i tij arriti të zhvillonte shpejtësinë prej 226.77 kilometrave në orë.


Në garën Drag shtyhen dy ose më shumë vetura në një distancë të shkurtër, në të cilën vijnë në pah shkathtësitë e shoferit dhe përshpejtimi i automobilit.

Superautomobili i Artonit, që doli më i shpejtë në garën e sivjetme, duke përfshirë edhe investimet ekstra në të, i ka kushtuar rreth 200 mijë euro kampionit të ri të “Drag Race”.

I pasionuari pas garave të automobilizmit, tregon se gjithçka në jetë e lidh me shpejtësinë. Ai thotë se që nga viti 2001 merret me automobila të shpejtë dhe përherë ndjek garat e shpejtësisë.