LAJMI I FUNDIT:

Rritet numri i veturave të importuara

Rritet numri i veturave të importuara

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve për importin e veturave, pavarësisht vjetërsisë, dhe uljes së akcizës për import që ka hyrë në fuqi në mars të këtij viti, ka sjellë efekte pozitive në mbushjen e buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të të hyrave të përgjithshme buxhetore për periudhën janar -gusht, që, sipas Ministrisë së Financave kanë shënuar rritje për 8.2 për qind, rezulton se rritje të theksuar në të hyra ka shënuar edhe importi i veturave.

Edhe të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se ka rritje të importit të numrit të veturave të reja dhe të përdorura. Vlera e këtyre automjeteve ka arritur në mbi 6.6 milionë euro.


Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, thotë se gjatë kësaj periudhe, numri i vetura të reja që kanë hyrë në tregun e Kosovës është 779, kurse atyre të përdorura 11.547.

“Nëse i krahasojmë dy periudhat e njëjta, janar-gusht 2014 dhe janar-gusht 2015, vitin e kaluar kemi pasur 606, ndërkaq gjatë kësaj periudhe kemi 779 vetura të reja. Këto automjete vitin e kaluar kanë paguar taksë doganore dhe akcizë në vlerë totale prej 2.2 milionë euro. Kurse, në vitin e 2015 kjo vlerë është rritur në mbi tre milionë euro”, thotë Stavileci.

Por, në numër dhe vlerë më të madhe financiare gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, në tregun e Kosovës kanë hyrë veturat e përdorura.

“Veturat e vjetra importohen më shumë në Kosovë. Dhe, nëse krahasojmë periudhat janar- gusht 2014 dhe 2015, atëherë vërejmë se vitin e kaluar kemi pasur afër 10 mijë vetura të vjetra, kurse gjatë këtij viti kemi pasur mbi 11 mijë vetura të importuara. Do të thotë se edhe taksat e sasia ka shënuar rritje. Sasia është rritur për 1600 copë, vlera e këtyre automjeteve është rritur për 22 për qind dhe taksat kanë shënuar rritje për 3. 6 milionë euro”, shton Stacileci.

Pavarësisht rritjes së të hyrave të buxhetit, ekspertë për çështje të ambientit kanë thënë se lejimi i veturave të vjetra në tregun e Kosovës e ndot mjedisin. Zeqir Veselaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, pati thënë se dëmet nga heqja e këtyre kufizimeve për vetura janë më të mëdha se sa përftimet.

Ndryshe, deri në mars të këtij viti, ka qenë i ndaluar importi i veturave më të vjetra se 13 vjet. Por, sipas vendimit të ri, përveç heqjes se kufizimeve për vjetërsinë, veturat duhet t’i përmbushin kërkesat mjedisore për emetim të gazrave, sipas kërkesave të Bashkimit Evropian. /REL/