LAJMI I FUNDIT:

Agjendat politike nuk duhet të rrezikojnë ekonominë

Tendenca e të gjitha qeverive në kohë krize është të shtrëngojë rripat fiskalë. Kjo zakonisht bëhet së pari mbi sektorët e mallrave të luksit, atyre që nuk janë pjesë jetike e konsumit të përditshëm. Kështu qeveritë pa shumë dilema e rrisin barrën fiskale, për rrjedhojë edhe çmimin e një game produktesh si bizhuteritë, pijet alkoolike, duhani, etj. duke pranuar arsyetimin se këto segmente tregu do të ngushtohen – porse kjo po bëhet për arsye madhore.

Në këto raste qeveritë gjejnë disa zgjidhje që lehtësojnë fatin në treg të këtyre produkteve, si p.sh. duke favorizuar disi më mirë prodhuesit vendas etj. Në fund të fundit, kriza një ditë do të kalojë dhe publiku do të kthehet tek kërkesa e tij e luksit dhe zgjedhja cilësore. Kjo për qeverinë do të thotë “një standard i ri fiskal, i cili prodhon më shumë para’ për të gjithë periudhën vijuese”.

Në historinë botërore nuk ka asnjë rast që një qeveri të dalë e të deklarojë se me ligj “gratë nuk duhet të veshin bizhuteri përgjatë këtij viti fiskal” ose se “burrat nuk duhet të pinë raki gjatë këtij viti”. Kjo do të ishte më pak se qesharake.


Edhe pse është po kaq absurd si ilustrim, askush nuk qesh kur një qeveri deklaron se “njerëzit sipas saj nuk duhet të konsumojnë duhan” dhe përpiqet ta mishërojë këtë në akte ligjore. Njerëzit nuk qeshin, sepse ata e kuptojnë se kjo qeveri nuk po vepron mbi arsyetime ekonomike, por mbi agjenda (kryesisht të importuara) politike. Dhe prej kësaj burojnë disa pyetje.

E para, a mundet një qeveri që për hir të agjendës së saj politike të nëpërkëmbë agjendën ekonomike të krejt vendit?

Po të flasim me numra, kjo pyetje është edhe më e vështirë. Në Kosovë papunësia arrin 75 për qind, buxheti është një jorgan që nuk mbulon dot as këmbët e qeverisë – jo më të publikut, problemet sociale – nga pensionet deri tek përkrahja e shtresave në nevojë janë të pafund. Atëherë si mundet një qeveri të kërkojë të ulë të ardhurat, në kushte kur veç faktorëve frenues të brendshëm, mbi ekonominë e vendit dhe publikun peshon tashmë edhe një krizë ekonomike botërore?!

Qeveria e Kosovës – për hir të integrimeve politike negocioi gjatë dhe me kushte shumë të pafavorshme me FMN për një shumë gati dy herë më të vogël sesa i ka paguar asaj vetëm njëra prej disa shoqërive tregtare të duhan-cigares në vend. Kjo sjellje ka kuptim në rrafshin politik, por aspak në atë ekonomik.

Partnerët realë të rritjes ekonomike të Kosovës janë operatorët e tregut të saj. Partnerët e përhershëm mbështetës të qeverisë në Kosovë janë taksapaguesit dhe ekonomia reale e vendit. Këta partnerë kanë një agjendë ekonomike të tyre, që funksionon pavarësisht dhe përtej ngushticave politike të elitës që qeveris vendin.

Të vrasësh agjendën ekonomike kombëtare për hir të mbijetesës politike të një elite është cilësisht e papranueshme. Moralisht dhe ekonomikisht kjo prodhon vetëm dëme. Në rrafshin e sjelljes qytetare kjo prodhon devijanca: e para, qytetarët kuptojnë se qeverisë mund edhe të mos ja japësh taksat, edhe mos t’ia zbatosh ligjet. Ajo ka nevojë vetëm për ndërkombëtarë që i rrahin shpatullat.

Nëse qeveria e Kosovës e ka seriozisht çështjen e integrimit të saj evropian, le ta dëshmojë këtë me qasje të tjera, shumë më bindëse. Se ku çalon gomari politik i Kosovës, këtë më së miri e dinë qytetarët.
Në rrafshin ekonomik këtë e përcakton tregu. Dhe pa aktorët e tij nuk mund të ketë politika që funksionojnë, nuk mund të ketë reforma që zbatohen dhe sigurisht nuk mund të ketë progres kombëtar.