LAJMI I FUNDIT:

Turizmi si faktor zhvillimi I Kosovës dhe Shqipërisë

Kosova nuk ka det brenda kufijve të vet, por ajo ka mjaft resurse cilësore turistike. Ato ofrojnë mundësinë e turizmit dimëror dhe malor, atij rekreativo-sportiv, turizmit kulturor të bazuar në trashëgiminë tonë të bollshme historiko-kulturore. Zhvillimi dhe bashkëpunimi turistik i Kosovës dhe Shqipërisë është një projekt që duhet të përshëndetet dhe përkrahet nga të gjithë shqiptarët kudo ku ata janë. Ky projekt bëhet akoma më i rëndësishëm, duke pasur parasysh hapjen e paradoditshme të "Rrugës së Kombit", rrugës Durrës-Tiranë-Kukës-Prishtinë që u përurua këto ditë nga Kryeministri Berisha.

Ky aks, i cilësuar edhe nga zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit z.Jones si rrugë me peshë gjeostrategjike rajonale, do të mundësojë rritje të jashtëzakonshme, të lehtë, të dinjitetshme, cilësore dhe ekonomike, të fluksit dhe prurjes së madhe të turistëve dhe qytetarëve tanë në të dyja anët e kufirit.

Mendoj se pritet rritje e madhe e këtij fluksi, në radhë të parë e qytetarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë (përkatësisht bregdetit të mrekullueshëm shqiptar), me ofertën e vet gjithnjë e më cilësore turistike dhe tejet atraktive për qytetarët kosovarë. Mirëpo, fluksi do të rritet po ashtu edhe anasjelltas, me shqiptarët e Shqipërisë që do të vizitojnë Kosovën. Kjo, sepse tani rruga Tiranë-Prishtinë përshkohet mesatarisht për vetëm 4 orë dhe përafërsisht me vetëm gjysmën e kostos së deritanishme të udhëtimit.


Forma e turizmit më e preferuar dhe e praktikuar nga shqiptarët e Shqipërisë drejt Kosovës duket se do të jetë padyshim ai i fundjavës. Ja përse dy shoqatat tona të dalluara të turizmit në dy anët e kufirit, Asosacioni Kosovar i Turizmit (KOTAS) dhe Unioni i Operatorëve Turistikë të Shqipërisë (UOTSH) organizuan në Tiranë, më datat 1-2 korrik, një prezantim-panair të turizmit kosovar me moton "Bashkohuni në Fundjavë – përjetoni Kosovën turistike!". Kësaj vlen t‘i shtohet motoja që është akoma më aktuale, veçanërisht për kosovarët tani gjatë sezonit të verës: "BASHKOHUNI SË PAKU GJATË FUNDJAVËS – PËRJETONI SHQIPËRINË E MREKULLUESHME BREGDETARE!".

Në bazë të informatave zyrtare statistikore të Shqipërisë, numri i vizitorëve shqiptarë jobanues në Shqipëri në vitin 2008 ishte një milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë vetë. Ndërkaq, me hapjen e "Korridorit Shqiptar" Durrës-Tiranë-Prishtinë, ekziston pritshmëria dhe vlerësimi se ky numër do të mund të dyfishohet në rreth ndoshta edhe mbi 2.5 milionë brenda periudhës njëvjeçare përkatëse e ndoshta edhe brenda vetëm këtij viti. Ia vlen të shpresojmë, besojmë dhe angazhohemi që ky fluks dhe prurje e gjerë spektrale rezultative, prurje ekonomike, kulturore, kombëtare dhe integrative të jetë gjithnjë e më e organizuar, më e sistemuar dhe më e strukturuar në aspektin turistik.

Kjo do të përmirësonte dukshëm përjetimin turistik dhe kombëtar të qytetarëve të Kosovës, do të optimizonte për rrethanat ekzistuese ofertën turistike të Shqipërisë dhe do të shmangte efekte anësore negative që mund të burojnë nga mungesa e informacionit dhe organizimit të sistemimit përkatës të klientelës turistike në dy anët e kufirit, përmes shoqatave përkatëse të tur-operatorëve turistikë. Dhe ky fluks i ka të gjitha arsyet të jetë i ndërsjellë.

E them këtë me bindje, ndonëse Kosova nuk ka det brenda kufijve të saj. Por ajo ka pesë rajone të mirëfillta turistike, prej të cilave ia vlen të veçohen: Alpet Shqiptare, Bjeshkët e Nëmuna, Malet e Sharrit dhe Rajoni Turistik i Prishtinës.

Studimet e deritashme të bëra nga institucione vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se vetëm në dy rajonet e para turistike ekzistojnë kushte për ngritjen e më se 20 qendrave turistike për zhvillimin e turizmit dimëror-sportiv, përkatësisht qendra skitare elitare sipas standardeve ndërkombëtare.

Një prej tyre që tanimë ekziston dhe funksionon si atraksion i vërtetë turistik i Kosovës, me vëllim mjaft të lartë vizitorësh është kompleksi turistiko-hotelerik i skitarisë në Brezovicë të Sharrit. Infrastruktura skitare e Brezovicës, si teleferikët, ski-liftet, etj., kanë nevojë për përtëritje dhe zgjerim të mëtejshëm për ta përballuar fluksin dhe përmbushur standardet më bashkëkohore tekniko-funksionale, si dhe përpunim akoma më të mirë të pistave të skijimit, pajisjeve dhe teknologjisë ndihmëse, por edhe të kapaciteteve të vendosjes dhe përgatitjes së kuadrit hoteleriko-gastronomik.

Për më tepër, konfiguracioni dhe cilësia e terreneve të skijimit të Brezovicës është padyshim ndër më të mirët në rajon dhe mundëson edhe gara të rangut më të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë. Vlen të theksohet dhe se infrastruktura rrugore që lejon qasje të lehtë në kompleksin e Brezovicës ekziston dhe mirëmbahet. Ajo është solide, po ashtu edhe furnizimi me rrymë elektrike dhe ujë, sikurse është rasti edhe përgjithësisht në Kosovë. Disa vështirësi me vonesën e deritashme të rinovimit të infrastrukturës turistiko-hoteliere dhe skitare të kompleksit të Brezovicës ndërlidhen me privatizimin e saj. Ato po tejkalohen, duke qenë se po trajtohen në pajtueshmëri me komunitetin lokal të minoritetit serb për modalitetet e privatizimit. E ngjashme deri diku është edhe problematika e Trepçës në Mitrovicë, ndonëse ajo është diçka më e komplikuar dhe nuk i takon këtij konteksti. Por çështja e privatizimit të Brezovicës besohet se do të tejkalohet së shpejti, ngase ekziston dhe funksionon legjislacioni dhe eksperienca e suksesshme e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.

Kosova është e njohur edhe me atraksione të tjera turistike si Gryka e Rugovës, Gryka e Kaçanikut, Gryka e Brodit si dhe ajo e Ibrit, Shpella e Mermertë e Gadimës, Ujëvarat e Mirushes, burimi i Drinit të Bardhë, Bifurkacioni i Lumit Nerodima, një numër i konsiderueshëm i burimeve dhe banjave termale si Banja e Pejës, e Kllokotit, ekzemplarë të jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore të periudhave iliro-dardane, romake, bizantino-ortodokse, osmane si dhe të rilindjes shqiptare etj., siç janë p.sh. kompleksi i vendndodhjeve arkeologjike të Ulpianës, Patrikana e Pejës, Manastiri i Gracanicës, Xhamia e Mbretit – Sulltan Mehmetit II, pushtuesit të Kostandinopojës (Stambolli i sotëm), kompleksi memorial i Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes së Pejës, kullat tradicionale shqiptare, e shumë e shumë perla të vërteta të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Me gjithë këto vlera të jashtëzakonshme që përbën oferta turistike kosovare, turizmi dhe ekonomia kosovare do të mund të përfitonin edhe më shumë me një qasje akoma më të përkushtuar dhe më të avancuar. Niveli i ofertës turistike kosovare duhet të jetë konform me kërkesën turistike bashkëkohore, jo vetëm të klientelës turistike shqiptare, por, edhe të asaj rajonale e ndërkombëtare. Kosova është akoma në fazën latente dhe jo aq të avancuar të zhvillimit të turizmit dhe do të mund të përfitonte nga bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencave relevante në këtë fushë, veçanërisht me Shqipërinë, por dhe me vende të tjera të rajonit.

Prandaj, integrimi rajonal dhe aspekte të rëndësishme pozitive të globalizimit duhet të inkludohen domosdoshmërisht në sferën e turizmit, veçanërisht të atij dimëror-malor, që mund të shndërrohet në degë shumë fitimprurëse të ekonomisë së vendit. Sepse viset malore të Kosovës paraqesin bukuri natyrore të krahasueshme lehtë edhe me ato që janë ndër më të bukurat të Europës.

Prandaj, edhe në domenin e promocionit të ofertës turistike të Kosovës, duhet bërë prezantim më cilësor me parametra bashkëkohore të disponibilitetit të informacionit dhe promocionit efikas. Kjo mund të realizohet lehtë përmes teknologjive të avancuara informative si interneti, ëebsitet turistike të specializuara dhe spotet publicitare atraktive përmes mediave të renomuara ndërkombëtare si CNN, EuroNeës, etj.

Oferta turistike e Kosovës duhet ndërlidhur dhe gërshetuar me oferta të përbashkëta turistike rajonale, si ajo e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, që do të mund të përbënte një destinacion akoma më të gjerë dhe më të begatshëm rajonal për klientelën turistike ndërkombëtare. Kështu ofertat dhe produkti turistik i Kosovës dhe Shqipërisë do të mund të bëheshin akoma dhe më atraktive dhe kompetitive në formën e paketave dhe aranzhimeve të përbashkëta dhe të integruara rajonale të tipit "Low Cost-High Yield" (në shqip: kosto e ulët, produktivitet i lartë).

Është pikërisht së bashku që këto oferta mund të tërheqin më shumë turistë europianoperëndimorë, por edhe ata të vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Në këtë drejtim tanimë ka nisma të vlefshme, si ajo "Go Regional!" (në shqip "Bëhu rajonal!), e promovuar në Shqipëri pak kohë më parë nga operatorë të shquar turistikë vendorë. Edhe në këtë kontekst, është e sigurt se Kosova dhe Shqipëria do të mund të marrin pjesë me oferta cilësore dhe konkurruese në çdo aspekt për klientelën vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. /Gazeta Shqip/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Emona Center ka zgjedhur sot fituesit e lojës së madhe shpërblyese

Emona Center ka zgjedhur sot fituesit e lojës së madhe shpërblyese

Emona Center
Pjesëmarrja në një Panair Pune: Pse është i rëndësishëm kur je duke kërkuar punë?

Pjesëmarrja në një Panair Pune: Pse është i rëndësishëm kur je duke kërkuar punë?

Creative Hub Kosovo
Girl you know it's true – një film për sensacionin global

Girl you know it's true – një film për sensacionin global "Milli vanilli"

Cinestar
Për flokë dhe lëkurë rrezatuese: Këto 3 lloje të kolagjenit janë gjithçka që ju duhet

Për flokë dhe lëkurë rrezatuese: Këto 3 lloje të kolagjenit janë gjithçka që ju duhet

E Bukura e Dheut
Bisha Lamborghini Revuelto tani në Kosovë, ekskluzivisht nga Auto SHERRETI

Bisha Lamborghini Revuelto tani në Kosovë, ekskluzivisht nga Auto SHERRETI

Auto Sherreti
American Brain - Histori suksesi për shërimin ndaj varësisë së drogës dhe alkoolit

American Brain - Histori suksesi për shërimin ndaj varësisë së drogës dhe alkoolit

AMECC Rezonanca
Kalo në kategori