LAJMI I FUNDIT:

Marrja e kontrollit të doganave në veri

Doganierët e EULEX-it kanë filluar regjistrimin e mallrave komerciale në pikat kufitare 1 e 31 në kufi me Serbinë. Zyrtarët kosovarë këtë e shohin si fazë fillestare, pas së cilës pritet që Doganat e Kosovës të marrin kontrollin.

Pas fillimit të regjistrimit të mallrave komerciale nga doganierët e EULEX-it në pikat kufitare në veri të vendit, Jarinë dhe Bërnjak, të njohura si porta 1 dhe 31, si hap tjetër duhet të jetë marrja nën kontroll e këtyre dy pikave, thonë autoritetet kosovare. Njëkohësisht, ata vlerësojnë se EULEX-i duhet të ndihmojë për të kthyer ligjshmërinë në këtë pjesë të vendit.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se aktualisht është duke u bërë vetëm evidentimi i mallrave se çka është duke hyrë dhe duke dalë nga pikat doganore 1 dhe 31. Ai thekson se ende nuk është finalizuar procedura e vënies së kontrollit në këto pika doganore.


"Realisht ka disa forma. Ata marrin shënime për ne dhe ne e kryejmë zhdoganimin në terminalin doganor në Mitrovicë, por si hap tjetër duhet të jetë edhe kthimi i plotë i Doganës së Kosovës në këto dy pika", potencon zoti Huruglica.

Gjithashtu, ai thekson se me fillimin e regjistrimit të mallrave komerciale në këto dy pika doganore, mundësia për kontrabandim do të jetë më e vogël.

"Duke marrë parasysh faktin se tani me këtë evidentim njihen subjektet, të dhënat mbi vlerën, origjinën e mallit, eksportin, mundësia për kontrabandim është më e vogël, sesa ka qenë", thotë Huruglica.

Ndërsa, Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, fillimin e regjistrimit të mallrave nga doganierët e EULEX-it e konsideron një hap pozitiv, por, sipas tij, duhet të punohet edhe më shumë deri në kthimin e këtyre pikave nën kontroll të plotë nga Doganat e Kosovës.

"Nëse mendohet që ky hap të jetë dhe të mbarojë me këtë dhe nëse mendohet që me këtë të jepet një sinjal që doganat po funksionojnë edhe në këto dy porta, atëherë nuk është shenjë e mirë", thotë zoti Keqa.

Ndërkohë, ai vlerëson se nëse EULEX-i mendon të vazhdojë me metodën se si ka funksionuar UNMIK-u, atëherë nuk do të ketë sukses në vënien e ligjshmërisë në këtë fushë.

Eksperti për çështje ekonomike, zoti Keqa, thekson se duhet të shtohet edhe më tutje kontrollimi i mallrave, të cilat hyjnë në këto pika kufitare.

"Pjesa veriore e Mitrovicës është një vend ku nuk funksionon ligji. Kosova më shumë brengoset për shkak të mossundimit të ligjit në këtë pjesë të vendit, sesa humbjet materiale që i ka pasur buxheti i Kosovës", thotë Keqa.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se në pikat kufitare 1 dhe 31 tani është duke u bërë regjistrimi i mallrave, të cilat hyjnë dhe dalin nga Kosova, por ende nuk ka filluar të bëhet doganimi dhe zhdoganimi i tyre.

"Policia e Kosovës në këto dy pika kufitare është duke asistuar tek policët dhe doganierët e EULEX-it në bazë të ligjit edhe në bazë të procedurave të policisë", thotë Beka.

Ndryshe, pikat 1 dhe 31 u dogjën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Prej atëherë, administrata doganore nuk është e pranishme, ndërsa pikat mobile të kontrollit janë vënë në thellësi të territorit të Kosovës, në pjesën e Mitrovicës. Përveç doganave, deri më tani në këto pika doganore askush nuk ka bërë regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /rel/