LAJMI I FUNDIT:

Porsche në agjendë

Një lajm i para disa ditëve qe bëri bujë në faqet e ekonomisë të mediave, se drejtues të lartë të “Porsche” do të vijnë në Kosovë për qëllime investimesh, u zhduk tërësisht nga skena e mediave, atëherë kur pritej që ai të nxehej edhe me shumë- me zhvillimin në terren të vizitës se paralajmëruar.

Drejtuesit e kompanisë me shumë stil dhe fuqi te automobilave të klasit të lartë së bashku me organizatorin medial të vizitës, humbën nga skena mediale po ashtu pa stil dhe pa fuqi.Arsyen pse nuk i pamë dhe nuk i dëgjuam askund as vizitorët dhe as organizatorët e vizitës, nuk pritet që ta dijë unë. Organizatori sigurisht e di, por nuk na e ka treguar, ndaj si unë ashtu edhe kushdo tjetër mundet lirshëm të mendoj dhe të formuloj një arsye te presupozuar të kësaj heshtjeje.Mendimi im është se vizita nuk ka ndodhur fare ose është vendosur të shtyhet, për shkak të mos planifikimit të mirë të agjendës nga kushdo që ka organizuar vizitën.Gabimi në agjendë, sipas mendjes time korrespondon me vizitën e gjatë të kryeministrit Thaçi dhe një pjese të madhe të qeverisë në Shqipëri. Për këdo që jeton në një vend kaq të vogël si Kosova, është e paimagjinueshme që drejtues të cilit do rang të Porsches të vinin në Kosovë e të mos takoheshin me kryeministrin Thaçi apo me ndonjërin nga ministrat me peshë në qeverinë e Kosovës.

Nëse për asgjë tjetër takimet e këtij niveli, të përcjella me kamera televizive e aparate fotografike, së paku do të përbenin një lajm, nga i cili asgjë të keqe nuk do të kishin as mysafirët dhe as pritësit, institucionet tona- dhe që ndoshta ka mundur të jetë element bindës që kompania të vij te ne. Te mos flasim fare për rëndësinë që një mbulim medial do të kishte për organizatorin një arsyetim i përsosur.


Për të qenë i qartë, nuk e konsideroj si gabim të Porsches nëse kanë vendosur të shtyjnë vizitën e tyre edhe për ndonjë ditë, për shkak të mungesës së zyrtarëve të lartë institucional me të cilët do të duhej të takoheshin. Nuk ia shoh për te madhe as kujtdo që ka vendosur që për këtë arsye të presupozuar të këtë vendosur te shtyj vizitën dhe takimet, pasi mbulimi medial që duhet të përcjell këto ngjarje është shumë i rëndësishëm për te gjitha palët. Lëshimet në organizim nuk janë fundi i botës në traditën e vendit tonë ku janë të pakët në numër ata që punojnë me një agjendë fikse apo që kanë agjendë. Heshtja megjithatë nuk mbyll me çelës gjithçka.

Derisa te gjithë po prisnim, vizitën e përfolur, kam menduar gjatë për rezultatin e mundshëm që do të pritej nga kjo vizite. Çka do të mund te investonte në Kosovë, Porsche që posedon pjesë të rëndësishme të aksioneve në kompaninë që prodhon dy nga veturat me favorite nga kosovarët Golfin dhe Passatin. Nuk është se kemi shumë gjëra për të ofruar ne këtu si vend por edhe si qytetarë për një kompani kaq të madhe. Me sa di unë Porsche nën emrin e saj veprimtari kryesore ka prodhimin e automobilave të bukur, të shpejtë dhe të shtrenjtë, ndërsa ne si Kosovë sa i përket kësaj fushe jo që nuk kemi bërë kurrë prodhim veturash, por madje nuk kemi prodhuar as edhe ndonjë traktor apo biçikletë- përjashtuar nga këtu normalisht disa tipa që po prodhojnë makina fluturuese që i emërtojnë si avion. Për aq sa dihet Fabrika e Zasatavës në Pejë kryesisht ka prodhuar pjesë për armë, dhe me pak disa copëza që përdoreshin në Fiqa, Lada ose 101-sh. Ju kujtohen deklaratat e ish Kryeministrit Bajram Rexhepi, se po punon që në Kosove te hap Fabrike Wolksvageni- që është mbi 30 për qind i Porsches?

Fuqi punëtore të aftë për të marrë pjesë në prodhimin pjesëve për vetura, qe do ti hynte në punë Porsches apo ndonjë prodhuesi automobilash, natyrisht se nuk kemi. Nëse fuqia punëtore e lirë do të mund të konsiderohej si një përparësi, atëherë është tepër e qarte se sado e lirë që të jetë në përgjithësi ajo është shumë pak e kualifikuar për çfarëdo pune tjetër përpos për ta ngritur peshën ose për të punuar ne sektorin e ndërtimtarisë.

Mendja nuk me gjeti fare ndonjë mundësi që do i ishte dukur interesant Porsches për të investuar në Kosovë, natyrisht, përpos nëse ky brend i madh automobilistik nuk merret edhe me hapjen e supermarketeve, pompave të derivateve, kompanive të sigurimeve, apo ndoshta edhe me telekomunikacion, energjetikë ose marketing e menaxhment. Porsche natyrisht se ne çdo moment mund të vendosë të hapë një përfaqësi shitëse- por nuk jam aspak i sigurt që kjo do të duhej të konsiderohej si një investim. Pasi që nuk jam biznesmen, megjithatë nuk do te befasohesha fare nëse me ka ikur ndonjë ide a mundësi e Porsches që mund të realizohet tek ne, tekefundit ata janë kompani e madhe për shkak se kanë pasur ide te mëdha dhe ato i kanë realizuar- ndoshta edhe këtu do te gjejnë diçka.

Sidoqoftë Porsche, Mirë se Vini në Republikën e Kosovës! Është mirë që ju kemi mysafir. Me çfarë mund te ju shërbejmë, ju lutem? Me kamerë, aparat fotografik , me një shkrim apo me një dyqan?