LAJMI I FUNDIT:

Osteoporoza – një trajtim modern

Osteoporoza – një trajtim modern

Me siguri se ju ka rastisë të dëgjoni për një sëmundje të quajtur Osteoporoza. Është sëmundje sa interesante, poaq edhe e çuditshme. I sulmon eshtrat e trupit, duke i bërë ato poroze, deri në atë shkallë sa mjafton një duartrokitje paksa më entuziaste dhe dora thyhet!

Ass. Arben Boshnjaku, MSc PT, MSc Sport Sc.
Ambulanca për Terapi Fizikale “Fixoterapia”, Prishtinë
tel: 044 477 337; 049 304 221
e_mail: info@fixoterapia.com
www.fixoterapia.com

Qysh në vitin 1917, shkencëtari gjerman Koch thoshte që eshtrat karakterizohen me strukturë të mrekullueshme, që janë më të forta se lisat, tullat apo edhe se betoni, janë në gjendje të rrezikojnë poaq sa çeliku, duke peshuar sa vetëm një e treta e çelikut të të njëjtës sasi. Funksioni kryesor i tyre qëndron në mbrojtjen e strukturave të rëndësishme të organizmit, ofrimin e pikave mbështetëse për organet trupore (sidomos muskujt), prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut si dhe mundësimin e lëvizjeve specifike trupore në pjesët e caktuara.


Normalisht eshtrat i nënshtrohen rimodelimeve të vazhdueshme përgjatë tërë jetës, por ajo që bie në sy është se sa më i ri që është njeriu, aq më e madhe është sasia e ashtit të ri që prodhohet krahasuar me atë që shkatërrohet. Ndërsa me kalimin e viteve, sidomos pas fundit të viteve të 20’ta, shkatërrimi fillon ta barazojë e më vonë tejkalojë formimin e masës eshtërore, duke shkaktuar kështu dobësim të vazhdueshëm të masës eshtërore.

Llogaritet që pas fundit të viteve të 20’ta, ashti humb rreth 1% të masës së tij për çdo vit që kalon, gjë që vazhdon për një kohë relativisht të gjatë, deri pas menopauzës te gratë dhe pas andropauzës të burrat, periudhë pas të cilës dobësimi i mëtutjeshëm i masës eshtërore stagnon.

Faktorët që ndikojnë drejtpërsëdrejti në fortësinë e masës eshtërore janë të shumtë, me ç’rast prin faktori gjenetik, gjinia raca dhe mosha që përbëjnë rreth 40-60%, ndërsa ushqyeshmëria dhe aktiviteti fizik përbëjnë rreth 40% tjetër. Gjinia që më shumë preket nga kjo gjendje është ajo femërore, ndërsa raca e bardhë kaukaziane (të cilës I përkasim ne) është shumë më e prirur për t’u prekur. Përderisa faktori gjenetik, raca, gjinia dhe mosha janë faktorë të pamundshëm për tu korrigjuar, ushqimi dhe niveli i aktivitetit fizik paraqesin faktorët kyq që mund të ndihmojnë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve që vijnë si pasojë e dobësisë së eshtrave (sikurse Osteoporoza). Osteoporoza mund të shfaqet si shoqëruese e një sëmundjeje tjetër apo si shkak I përdorimit të tepërt të ndonjë medikamenti (zakonisht glukokortikoidëve) e quajtur osteoporozë sekondare, ose si sëmundje e vetme apo sëmundje bazë e quajtur edhe osteoporozë primare. Osteoporoza sekondare kryesisht mund të shfaqet në periudhën pas menopauzës te femrat dhe në periudhën e pleqërisë te meshkujt.

Osteoporoza konsiderohet si një sëmundje relativisht serioze sidomos në shekujt e fundit të njerëzimit, duke u bazuar në zvogëlimin e aktivitetit të përgjithshëm fizik, ushqimit jokualitativ (“fast food”), rritjen e jetëgjatësisë dhe plakjen e përgjithshme të popullatës botërore.

Faktorët e riskut për osteoporozë janë: mosha e shtyrë, gjinia femërore, pesha e vogël trupore, menopauza, historia familjare, kequshqyeshmëria (mungesa e sasisë së mjaftueshme të kalciumit, fosforit, magnezit, zinkut, hekurit, fluorit, bakrit, vitaminave A, K, E, C dhe sidomos D, metaleve të rënda si kadmiumi, disbalanca mes omega 6 dhe 3), konsumimi i tepërt i alkoolit (ndërsa konsumi në sasi të vogël e parandalon sëmundjen), konsumimi i tepërt i kofeinës, pirja e duhanit, mosaktiviteti fizik etj. Në parim, rreziku nga osteoporoza zvogëlohet me përmirësimin e kushteve dhe mënyrës së jetesës që përfshijnë nënshtrimin ndaj një aktiviteti të rregullt fizik dhe kontrollimin e ushqimit adekuat.

Trajtimi i Osteoporozës bazohet në:
1. Nënshtrimin ndaj aktivitetit fizik specifik;
2. Nënshtrimi ndaj dietave specifike të pasura me Ca dhe vitaminë D;
3. Trajtimin medikamentoz;Përmirësimi i kushteve dhe mënyrës së jetesës përfshinë nënshtrimin ndaj aktivitetit fizik në forma të ndryshme të ushtrimeve, ku prijnë ekskluzivisht ushtrimet me rezistencë dhe ato të balansit. Përderisa ushtrimet e balansit kanë për qëllim zvogëlimin e mundësive për rrëzim të personave të diagnostikuar me osteoporozë, ushtrimet me rezistencë ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e dendësisë ashtërore (sidomos nëse praktikohen sipas përshkrimit të mjekut). Një gabim të madh që shpesh e bëjnë mjekët tanë është nxitja e pacientëve të ecin sa më shumë. Në fakt, hulumtimet e fundit kanë treguar që ecja nuk ka kurrfarë ndikimi në parandalimin e keqësimit të gjendjes e aq më tepër në përmirësimin e dendësisë kockore, por janë ekskluzivisht ushtrimet me rezistencë që bëhen me pak përsëritje (maks. 6) dhe me forcë maksimale (70-90% të 1 Përsëritjes Maksimale – RM), e më pak ushtrimet aerobike (kryesisht ato me intensitet të lartë).

Poashtu nënshtrimin ndaj dietave specifike që përfshijnë konsumimin sa më të madh të elementeve që përmbajnë sasi të shtuara të kalciumit (si p.sh. produkteve të qumështit) dhe vitaminës D (peshqve dhe rrezitjeve në diell) ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e dendësisë kockore. Një këshillë që shumica e mjekëve ua japin pacientëve në lidhje me ushqimin është konsumimi i një variteti sa më të gjërë ushqimesh të ndryshme, dhe përpjekja që shumica e elementeve të nutritive të marra të jenë në formë sa më natyrale.

Në fund, trajtimi medikamentoz përfshinë marrjen e sasive të nevojshme të medikamenteve dhe produkteve tjera, qëllim parësor i të cilave është ndalimi i dobësimit të mëtutjeshëm të ashtit e më rrallë përmirësimi i saj. Prej më të përdorurave janë biofosfonatet (sikurse alendronat, risendronat, ibandronat, acidi zoledronik), denosumab, teriparatid si dhe trajtimi me hormone femërore – estrogjenet (edhe pse rezultatet e studimeve të fundit e kanë vënë në dyshim këtë formë trajtimi, sidomos duke u bazuar në efektet anësore serioze).

Kështu pra, me sa pamë, osteoporoza paraqet një sëmundje mjaft serioze për popullatën botërore. Kjo vlen sidomos tani kur jetëgjatësia e njeriut po rritet, përderisa njeriu modern është gjithnjë e më inaktiv dhe i prirur të konsumojë ushqime të shpejta (“fast food”) dhe jokualitative. Por e rëndësishme është që me një qasje moderne multidisciplinare edhe kjo sëmundje mund të përmirësohet. Të mos harrojmë që trajtimi i osteoporozës duhet medoemos të jetë sa më multidisciplinar, ndërsa asnjëra prej komponenteve nuk duhet neglizhuar. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Çfarë është hernia inguinale?

Çfarë është hernia inguinale?

Kalo në kategori