LAJMI I FUNDIT:

Sëmundjet seksuale transmetuese

Sëmundjet seksuale transmetuese

Aktiviteti seksual sjell një kënaqësi dhe përjetim, por në të shumtën e herëve është i lidhur për një numër sëmundjesh seksualisht të transmetueshme, nga të cilat mund të sëmurën të gjitha shtresat e shoqërisë.

Dr. med. Nijazi Ahmeti
Dermatovenerologist / Botox & Fillers Practitioner
Certified LPG Trainer /Certified Laser Specialist
“Dermatologjia”, Bulevardi Dëshmorët e Kombit” 60/10 nr.3 (Përballë AAK-së), Prishtinë
tel. 044 53 00 53, 049 53 00 53
e-mail. dermatologjia@gmail.com

Seksi gjithnjë ka patur një rol të rëndësishëm në shoqërinë njerëzore për shkak të efekteve të veta biologjike dhe shoqërore. Të shpeshta janë shembujt në histori, që seksi (marrëdhëniet seksuale) ka sjellë gjerë te ndryshimet e thella në shoqëri. Shumë nga ata kanë ditur për sëmundjen e tyre, e kanë fshehur, disa kanë vdekur shpejtë e disa të tjerë sundimin e tyre për shkak të sëmundjes që e kishin, e kanë shndërruar në sundim barbarë e të përgjakshëm.

Kohërat kanë ndryshuar, kanë ndryshuar edhe sjelljet e njerëzve, ndërsa me këtë kanë ndryshuar edhe sëmundjet seksuale të transmetueshme. Për fatin e qenies njerëzore, të gjitha këto ndryshime kanë qenë të shoqëruara edhe me përparimin e shkencës mjekësore, që ka bërë të mundur zgjerimin e njohurive për to, zbulimin e shkaktarit, mënyrën e bartjes, mjekimin dhe mbrojtjen nga ato.


Një nga njohuritë e rëndësishme është se ekzistojnë sëmundje të reja që barten me kontakt seksual, por nuk sulmojnë vetëm organet seksuale (gjenitale), si dhe sëmundje të cilat barten me kontakt seksual, që nuk manifestohen në organet gjenitale, por në organe tjera të organizmit. Duke patur parasysh këto fakte, emërtimi i vjetër i tyre si sëmundje venerike, është zëvendësuar me termin e ri sëmundjet seksuale transmetusese.
Sipas OBSH-së, ekzistojnë së paku 20 sëmundje qe i takojnë këtij grupimi dhe kanë dy klasifikime sipas tablosë klinike dhe shkaktarit.

Në sëmundjet klasike, tradicionale – veneriane numërohen: Gonorrhoea, Syphilis, Ulcus Molle (Shankroidi, Varra e butë); Lymphogranuloma Venereum, Granuloma Inguinale (Donovanosis) dhe të tjera sëmundje seksuale transmetuese: AIDS; Herpes genitalis; Citomegalovirus infeksionet; Hepatitis B,C; Condylomata acuminata; Molluscum contagiosum; Chlamydiosis urogenitalis; infeksionet gjenitale mikoplazmike; infeksionet me streptokok gr B; Vaginosis bacterialis; infeksionet gjenitale me bakteret e gjinisë: shigella, salmonella dhe campylobacter; Candidiasis genitalis; Trishomoniasis; Amebiasis; Lambliasis; Pediculosis pubis; Scabies…

Shpeshtësia
Për çdo vit numri i rasteve të reja me STD është rreth 250 milion në mbarë botën, që lirisht mund të thuhet se vazhdon gati e pa shfrenuar pandemia me këto sëmundje. Rreth 2/3 e këtyre infektimeve merren nën moshën 25 vjeçare. Ndër më të shpeshta nga këto sëmundje është Gonorreja, pastaj infeksionet gjenitale jospecifike (klamidia, mikoplazma); Sifilisi – në dhjetë vjetët e fundit është dyfishuar (homoseksualët); pastaj Herpesi gjenital; Condylomata acuminata; trikomoniaza; Pediculosis pubis.
Shqetëson parashikimi që në këtë pandemi botërore të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme AIDS, ka prekur mbi 40 milionë njerëz.Rrethanat që favorizojnë përhapjen e këtyre sëmundjeve

Edhe përkundër përparimit të madh në diagnostikim dhe terapi, është paradoksale incidenca e rritjes së tyre dhe këtë rritje e favorizojnë shumë faktorë:

a. Faktorët mjekësorë: inkubacioni i shkurtër apo mjaftë i gjatë, zhvillimi asimptomatik; pamundësia e diagnostikimit laboratorik te sigurt, shfaqja e tipave te rinj të mikroorganizmave rezistent ndaj ndikimit te barnave, të dhënat statistikore jo të plota (fshehja e sëmundjes), mungesa e vaksinës, pengimi artificial i shtatzënisë së padëshiruar me pilula (mospërdorimi i kondomave), legalizimi i aborteve, infrastruktura shëndetësore e ulet, mungesa e edukimit shëndetësor dhe atij seksual.

b. Faktorët shoqëroro-ekonomike: gjendja ekonomike, politike dhe kulturore, ndryshimin e mënyrës së jetesës dhe të botëkuptimeve për marrëdhëniet seksuale, ndërrimet e shpeshta të partnerit seksual, liberalizimi i kontakteve seksuale (revolucioni seksual), potencimi i seksit nga imediat dhe industria filmike, homoseksualizmi, perverzionet (seksi orogjenital, anogjenital), vetmia dhe shoqërimi me persona të moralit të dyshimtë, alkoolizmi, narkomania, prostitucioni, vështirësitë ekonomike dhe problemet familjare.

c. Faktorët etike: tjetërsimi, zhvlerësimi i normave morale, tradicionale dhe fetare në shërbim të mbrojtjes së individit, familjes dhe shoqërisë.

d. Faktorët demografikë: rritja e numrit të banorëve në botë e sidomos në qytete të mëdha dhe të industrializuara (mbipopullimi), migrimet ekonomike, politike, turistike, lëvizjet e trupave ushtarake nga një regjion në tjetrin, etj.

Historia e sëmundjeve që barten me kontakt seksual

Për sëmundjet që barten me rrugë seksuale në të kaluarën, bazohemi në të dhënat (hulumtimet) antropologjike, religjioze dhe mjekësore. Shënimet e para datojnë që nga mileniumi i tretë para erës së re për sëmundje të gjenitaleve (Kinë); në Egjipt gonorreja është përshkruar 1500 vjet p.e.r.; orgjitë seksuale me karakter religjioz që nënkuptojnë edhe bartjen e sëmundjeve seksuale janë përshkruar 1000 vjet p.e.r.; Hipokrati – ka përshkruar lezionet (plagët) në buzë dhe gjenitale ndërmjet 450-350 vite p.e.r.

Hindusët kanë përshkruar ndryshime destruktive në gjenitale, buzë, grykë, lezione në lëkurë, rënie të flokëve (që tregon në sifilis).

Celsiusi në shekullin e I-rë të erës së re, pastaj mjekët bizantin (shek. II-III), flasin për ndryshime të ngjashme me sifilisin. Për periudhën nga shek. V-XIII nuk ka shënime të duhura ngase kjo është periudha e medicinës religjioze-kishtare. Nga shek. XV – përhapën epidemi sidomos në ushtritë e shteteve kolonialiste dhe në qytete të mëdha të Evropës. Kështu Eduardi II (mbret anglez) më 1321, urdhëron që të sëmurët e tillë të vendosen në spitale speciale. Ndërsa më 1496, Parlamenti i Parisit, sjell dekretin për largimin nga qyteti i të gjithë të infektuarve brenda 24 orëve. Është kjo periudhë që udhëheqësit politikë, reformatorët shoqërorë dhe punëtorët shëndetësorë bëjnë përpjekje për parandalimin e sëmundjeve që barten me kontakt seksual.

Sëmundjet seksuale të transmetueshme gjithnjë kane qenë një fatkeqësi e madhe dhe e rrezikshme për armatat e ndryshme. Lëvizjet e trupave, përdhunimet në territoret e okupuara, gjithnjë të përcjellura nga “shitëset e dashurisë” i kanë kontribuar përhapjes së këtyre sëmundjeve.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, në disa qytete evropiane, një numër i madh i banorëve ka qenë me sifilis. Më 1917 rreth 23000 ushtarë britanik kanë qenë të hospitalizuar nga sëmundjet venerike, ndërsa amerikanët gjatë mobilizimit kanë dëbuar afër një milion rekrut për shkak të këtyre sëmundjeve.

Në mes të dy luftërave botërore, edhe përkundër masave të marra në parandalimin e këtyre sëmundjeve, ndodhin epidemitë e shfrenuara. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gati të gjitha armatat ishin të kapluara nga këto sëmundje. Një kthim i madh ndodhi më 1944 kur filloi aplikimi i penicilinës në mjekimin e sifilizit dhe gonorresë.

Pas luftës, OBSH ka bërë programe në eradikimin dhe parandalimin e këtyre sëmundjeve me sukses të madh. Mirëpo, pas vitit 1955 në shumë vende rritet numri i të sëmurëve ngase ndodhën ndryshime të sjelljes shoqërore dhe seksuale, liberalizimi i seksit, migrimet e mëdha të popullsisë etj.
Gjate viteve 1948-52 në regjionin e Ballkanit, bëhen programe dhe aksione nga OBSH dhe UNICEF për zhdukjen e sifilizit dhe gonorresë.

Nga sëmundjet venerike kanë qenë të sëmurë edhe njerëz të “mëdhenj dhe shumë të mëdhenj”, mirëpo këto të dhëna që i hasim në literaturë, duhet t’i marrim me rezervë të madhe, psh.: figurat biblike (Abrahami, Sara); pastaj figurat e njohura – Kleopatra, Augusti, mbreti francez Eduard VI, Napoleon Bonaparta, Katarina e Madhe (të dashurit e vet, më parë i ka testuar me gjashtë gra, gjatë gjashtë muajve), Benito Musolini, Adolf Hitler, papët (Aleksandri VI, Julius II), Kolombo, Albrecht Durer, Van Gogh, Cassanova, Gothe, etj.

Edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për parandalimin dhe eradikimin e këtyre sëmundjeve, janë të mundshme befasitë: AIDS – është një shembull tipik. Mirëpo, të gjitha këto befasi janë rezultat i ndryshimeve shoqërore dhe i sjelljeve njerëzore.

Duhet të jetë detyrë dhe përgjegjësi e familjes, shkollës, institucioneve shëndetësore, mjeteve të komunikimit masiv dhe shoqërisë në përgjithësi, që në mënyrë të hapur dhe të drejte të flitet e shkruhet për seksin dhe rreth tij. Gjeneratat e reja, si grup më i rrezikuar nga këto sëmundje, duhet që krahas arsimimit dhe edukimit në përgjithësi, të kenë edhe edukatën seksuale të mirëfilltë.

Shëndeti ynë varet nga ne vetë. Në të shumtën e rasteve infeksioni nuk na detyrohet – ne infektohemi vetë. Infektimi është i lidhur me sjelljet njerëzore edhe atyre seksuale.
Vetëm informimi i drejt, parandalimi dhe ndryshimi i sjelljeve, mund të na mbrojë nga këto sëmundje që shpesh janë edhe vdekjeprurëse. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori