LAJMI I FUNDIT:

Si të shërojmë spondilozat e qafës

Si të shërojmë spondilozat e qafës

Nëse keni dhembje të vazhdueshme të qafës, krahëve, shpatullave, duarve, e nganjëherë edhe kokës, ju mund të identifikoheni me “Spondilozën Cervikale”.

Mr. sc. Arben Boshnjaku
Fizioterapeut
tel. 044 477 337
Prishtinë

A jeni lodhur nga dhembjet e vazhdueshme të qafës, krahëve, shpatullave, duarve, e nganjëherë edhe kokës?! A janë bërë tashmë të padurueshme këto dhembje, sidomos kur shoqërohen me mpirje të krahëve, duarve e gishtërinjve, shtangim dhe kufizim të lëvizjes së qafës. Për më tepër, a po ju shpeshtohen gjithnjë e më shumë marramendjet dhe çorientimet në hapësirë (sidomos kur e ulni apo e ngritni kokën)?!

Nëse e gjeni veten në mesin e këtyre simptomave, ju jeni një kandidat/serioz/ për t’u diagnostikuar me “Spondilozën Cervikale” famëkeqe.


Në këtë rast, lajmi i mirë është se këto gjendje nuk paraqesin rrezik serioz, drejtpërsëdrejti kërcënues për jetën tuaj, por lajmi i keq është se pasojat e këtyre gjendjeve mund të jenë shumë më të këqija se sa duken. Për atë që se ka provuar kurrë, e gjithë kjo tingëllon si një makth i pabesueshëm, apo thjesht një ekzagjerim nga një imagjinatë shumë e zhvilluar e disave! Por fatkeqësisht, dhembjet e qafës janë gjithmonë sfilitëse e dërrmuese, që jo rrallë mund të qojnë deri në shfaqjen e elementeve depresive te personi që vuan. E të mos flasim për paaftësitë për jetë e punë të pavarur që i shkaktojnë njeriut.

Për të vendosë një diagnozë të saktë për këtë sëmundje, shenjat dhe simptomat e lartpërmendura nuk janë të mjaftueshme, por nevojitet edhe një kontroll i detajuar nga profesionisti shëndetësor, nënshtrim ndaj disa testeve specifike, si dhe bërja e një radiografie e cila përfundimisht do të tregonte se sa ka arritur degjenerimi (dëmtimi) i unazave cervikale.

Njëri prej gabimeve më të mëdha që e bëjnë shumica e mjekëve është trajtimi i Spondilozave cervikale vetëm me terapi simptomatike. Por sa është zgjidhje kjo, mund ti pyesni të gjithë ata që e kanë provuar një gjë të tillë! Disa orë deri në disa ditë do të ndiheni më mirë, ndërsa më vonë prapë do të kthehen dhembjet dhe shenjat e njëjta.

Apo edhe më keq, ka raste kur spondilozat dinë të japin dhembje koke të vazhdueshme, duke bërë që mjeku t’ju dërgojë për ekzaminime të metalizuara të trurit dhe pasi gjithçka del mirë, atëherë kur s’di ç’farë diagnoze tjetër të japë, të emërtojë sëmundjen si migrenë. Por përvoja na mëson që, jo çdo dhembje e kokës është migrenë.

Pra, çfarë të bëjmë?! Për të mos hyrë në përshkrim të sëmundjes, vlen të theksohet që ky problem është sëmundje që nuk shërohet një herë e mirë, por që mund të zvogëlohet deri në maksimum, në shkallë të tillë që të mos shkaktojë probleme në të ardhmen, ose të paktën problemet e shfaqura të jenë gati se të pavërejtshme.

Metoda më e mirë që pasi të jeni diagnostikuar me Spondilozë Cervikale është që të fillohet me kombinimin e trajtimit medikamentoz, terapi fizikale dhe edukim për menaxhim individual të kësaj gjendjeje.

Terapia medikamentoze kryesisht përbëhet nga analgjetikët dhe miorelaksantët, që së bashku, kanë për qëllim zvogëlimin e dhembjeve dhe lirimin e muskulaturës së tendosur dhe të dobësuar. Në ndërkohë fillohet edhe me terapi fizikale, me ç’rast synohet që të lirohet spazmi dhe tendosjet muskulore, të rikthehet amplituda e lëvizjes, të rikthehen hapësirat intervertebrale (aq sa është e mundshme, duke parandaluar komprimimin e rrënjëve nervore apo enëve të gjakut) si dhe të rikthehet funksionaliteti i nervave, bashkë me forcën dhe fuqinë e muskujve.

Në kuadër të fizioterapisë përdoret:
■ Ultrasonoterapia (ultratingulli apo ultrazëri) me frekuencë 0.5-0.8W/cm2 nga 5-8 minuta për seancë, me ç’rast shkaktohet një mikromasazh indor që ndihmon në përmirësim të përçueshmërisë së nervave, përmirësim të vaskularizimit, zvogëlim të dhembjes, rritje të nxehtësisë, etj.

■ Elektrostimulimi me TENS (Transcutaneus Electrical Nerve Stimulation) me frekuencë të ulët dhe me kohëzgjatje 15-10minuta, që ka për qëllim zvogëlimin deri në eliminim të dhembjes, përmirësim të përçueshmërisë së nervave, relaksin e muskujve, etj.

■ Termoterapia (aplikimi i të nxehtit me qëllim të shërimit). Efekti i të nxehtit në qafë është mjaft i mirë pasi që relakson muskulaturën e tendosur dhe zvogëlon spazmin eventual. Format e termoterapisë që mund të përdoren janë të ndryshme por më efikaset duket të jenë pakot e nxehta të mbushura me argjilë ose materie të tjera që e mbajnë të nxehtit për një kohë më të gjatë.

■ Pas termoterapisë gjithmonë duhet të vijë kineziterapia. Në praktikë hasim mjaft raste ku një renditje e tillë nuk respektohet, gjë që bën që edhe efektet që pritet të arrihen të mos jenë ato të duhurat. Kineziterapia duhet medoemos të fillohet menjëherë pas trajtimit me procedura të të nxehtit, pasi që, vetëm atëherë muskujt janë më të relaksuar dhe është më e lehtë të manipulohet me regjionin e dëmtuar. Në fillim të trajtimit (në seancat e para), kineziterapia përbëhet nga zgjatjet e lehta, shtypjet presve në “pikat triger” (trigger points) të dhimbjes, teknikat manipulative profesionale sikurse janë mobilizimet artikulare dhe traksioni, përderisa me kalimin e kohës (pas disa seancave) fillohet edhe me disa forma ushtrimesh (koncentrike, ekscentrike, izometrike, izotonike) të cilat fillimisht janë të lehta dhe me kalimin e kohës shkojnë duke u rritur në intensitet dhe volum.

Në ndërkohë, pushimi për pacientin është i domosdoshëm. Këshillohet të kursehet qafa, e në përgjithësi shpina dhe koka nga lëvizjet e tepërta dhe ato të pakontrolluara, si dhe nuk preferohet mbajtja e pozitave të njëjta për një kohë të gjatë. Poashtu, shtrati është mirë të jetë pak më i fortë dhe i rrafshët, ndërsa jastëku të jetë mesatar për nga lartësia, i atillë që i favorizon lakesat normale të shpinës e qafës.

Pacienti mësohet se çfarë ushtrimesh duhet të bëjë në shtëpi, të cilat duhet ti përsëritë rregullisht në mëngjes dhe në mbrëmje. Zakonisht pacientët mësohen të performojnë zgjatje të lehta fillimisht, ndërsa me përfundimin e ciklit të seancave fizioterapeutike, secilit pacient individualisht i planifikohet një program i detajuar i ushtrimeve/aktivitetit fizik për të ardhmen. Kyçja e pacientëve në program të aktivitetit fizik bëhet me qëllim të përmirësimit të mëtutjeshëm të gjendjes, parandalimit të rishfaqjes së atij problemi për të ardhmen si dhe krijimit të një shprehie ushtruese për të pasur një shëndet dhe mirëqenie sa më të mirë për të ardhmen. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori