LAJMI I FUNDIT:

Koncepti analitik mbi depresionin

Koncepti analitik mbi depresionin

Depresionin mund ta kuptojmë si një urrejtje të një objekti të përbrendësuar në fazën e urrejtjes prej të cilës pacienti me depresion nuk mund të lirohet.

Arbër Shala
Psikiatër
tel. 044 171 989

“Kjo botë u ç’thur
O prapësi, o dreq
Që paskam lindur unë të të ndreq”

Këto vargje të shkëputura nga tragjedia “Hamleti” e Shekspirit janë shembull klasik i një ambivalence mbi bazën e një konflikti neurotik, e shfaqur tek princi i ri, Hamleti, mbi të cilin rëndon dilema e hakmarrjes ndaj të ungjit. Lidhja incestuoze që ai ka me nënën e tij bën që të identifikohet me të ungjit, vrasja e të cilit është në një mënyrë vrasja e vetes.


Sado që për shkollat dhe orientimet joanalitike tingëllon si e papranueshme ekzistenca e një entiteti të tillë, praktika e përditshme e tregon të kundërtën. Klasifikimet e ndryshme ndërkombëtare vetëm sa e kanë komplikuar edhe më shumë ndarjen e entiteve të ndryshme psikiatrike duke shkuar deri në nivel të absurdit, në sensin e vendosjes së diagnozave të tilla si depresioni i paspecifikuar! Dhe kjo për faktin që gjatë këtyre klasifikimeve merren për bazë vetëm aspektet fenomenologjike të cilat nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se e rrudhin qenien njerëzore në një gjallesë të çfarëdoshme biologjike!

Me depresion psikogjen, respektivisht, depresion neurotik kuptojmë atë formë të depresionit i cili është pasojë e shtypjes së një konflikti neurotik i cili rrënjët e veta i ka në fëmijërinë e hershme. Aktivizimi i një konflikti të tillë çon në reagim depresiv, që është tipar themelor për personalitetin neurotik. Këtu menjëherë duhet shtuar që në praktikën psikiatrike shpesh ngatërrohen depresioni neurotik me atë reaktiv.
Me depresion reaktiv nënkuptojmë atë formë të depresionit që është si rezultat i një situate të pavolitshme jetësore, pra, shkaku është i vetëdijshëm, për dallim nga depresioni neurotik ku shkaku themelor është krejtësisht i pavetëdijshëm dhe i bazuar në konfliktin neurotik. Megjithatë, diferencimi i depresionit qoftë ai neurotik apo psikotik, është i vështirë, sepse sipas Oto Fenichel-it, të dyja këto forma kanë mekanizma të njëjtë.

Të gjitha simptomat e rëndësishme të depresionit si: disponimi depresiv, humbja e interesit për botën e jashtme, ndjenja e fajësisë, brejtja e ndërgjegjes, kthimi i agresivitetit kah vetja jonë etj., mund të gjenden jo vetëm tek depresioni, por edhe tek afekti i pikëllimit (Për më tepër shih “Pikëllimi dhe Melankolia”- Z. Freud.)
Megjithatë, ajo që përbën bërthamën dinamike të depresionit është ndjenja e humbjes së vlerave vetjake, zhvleftësimi i vetvetes, prej të cilës rrjedhin simptomat e tjera.

Tiparet themelore të karakterit depresiv janë:
1. Ndjenja e pashmangshme për raporte interpersonale, sepse, zhvleftësimi vetvetes çon tek një dëshirë e fuqishme për t’iu kthyer njerëzve, prej të cilëve presin ngrohtësi emotive dhe mbrojtje. Kjo nënkupton një temë imperative: të jesh i dashur, i pranuar dhe i mbrojtur. Për këtë arsye dashuria, të dashuruarit dhe seksualiteti luajnë rol shumë të rëndësishëm tek ky tip i personalitetit. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë për një dashuri të vërtetë, por për një kërkesë fëmijërore, që të jetohet në një raport simbolik i cili ofron ndjenjën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
2. Vartësia e theksuar nga të tjerët në sensin e vartësisë nga rrethi, respektivisht, vartësisë nga mendimet e rrethit për ta, për shkak të mungesës së pavarësisë së brendshme. Kjo është e shkaktuar nga që këta persona janë të fiksuar në fazën orale, ku “vlerat vetjake varen nga kontributet e jashtme” (Fenichel).
3. Tendenca tepër e theksuar për lidhje simbiotike – prandaj mund të themi që raportet me njerëzit e tjerë kanë karakter oral. Krejt kjo çon në atë që prindërit me karakter depresiv kanë një kërkesë të pashmangshme t’i lidhin fëmijët për vete, sepse, afërsia e tyre, me të cilët krijojnë një lidhje simbiotike, është e domosdoshme.
4. Frika e manifestimit të agresivitetit – e cila buron nga frika e humbjes së objektit të dashur, që paraqet një element të rëndësishëm në aftësinë e madhe adaptive, sidomos ndaj personave prej të cilëve janë të varur.Psikoanalisti i parë i cili është marrë me mekanizmin e depresionit, siç është e njohur, ka qenë Karl Abraham, i cili ka futë konceptin mbi karakterin oral dhe ambivalencën, koncept ky që është vazhduar më pas në mënyrë origjinale nga Frojdi në punimin e tij ‘Pikëllimi dhe melankolia’. Sipas Frojdit, pikëllimin mund ta kuptojmë si një reaksion ndaj humbjes së një objekti të dashur, ose si një abstraksion, siç është për shembull atdheu, liria, ndonjë ideal e kështu me radhë.Depresionin mund ta kuptojmë si një urrejtje të një objekti të përbrendësuar në fazën e urrejtjes prej të cilës pacienti me depresion nuk mund të lirohet.

Procesi i pavetëdijshëm i cili çon drejt melankolisë (depresionit), sipas Frojdit përbëhet nga këto faza:
1. Një person në të kaluarën e tij fuqishëm investon libido në një objekt.
2. Ky raport objektal mund të shkatërrohet pas një traume reale.
3. Konform predispozicionit patologjik, personi melankolik reagon në mënyrë jo normale në kuptimin e tërheqjes së libidos nga objekti i humbur dhe kthimi nga egoja vetjake.
4. Melankoliku në mënyrë të pavetëdijshme e ka braktisur objektin e dashurisë, por, dashuria për objektin ka mbetur e paprekur. Por, meqë përbrendësimi i objektit të tillë ka ndodhur në fazën e urrejtjes e jo në atë të dashurisë, melankoliku identifikohet me pjesën e urryer të objektit, që njëkohësisht çon deri te ndjenja e thellë e ambivalentes që është aq karakteristike për depresionin. Prandaj, personi fillon ta urrejë veten, ta akuzojë dhe zhvleftësojë, përkatësisht e kthen agresivitetin dhe tërë sadizmin e mbiunit të tij të rreptë kundër unit vetjak. Prandaj, tek depresioni kemi një konflikt në mes të unit dhe mbiunit dhe siç thotë Otto Fenichel,: personi që vuan nga depresioni “përjeton fatin e Dorian Greit, i cili duhet të vdesë në mënyrë që të shkatërrojë imazhin e tij” (Për më tepër lexo “Portreti i Dorian Greit” – Oscar Vilde).

Për këtë arsye depresionin mund ta kuptojmë si një urrejtje të një objekti të përbrendësuar në fazën e urrejtjes prej të cilës pacienti me depresion nuk mund të lirohet, këtu me të drejtë Frojdi shton: Vetakuzimi i melankolikut nënkupton akuzat e drejtuara kundër objektit të përbrendësuar, kurse vetëvrasja është vrasje e të njëjtit objektit prej të cilit melankoliku dëshiron të lirohet definitivisht.Për fund mund të themi që, konflikti themelor i depresionit neurotik, rrjedhë nga regresioni dhe fiksimet orale dhe bazohet në kompleksin e simbiozës që çon në lidhjen e tepërt emocionale dhe vartësinë nga prindërit, e me këtë edhe deri tek pengimi i pavarësimit. Edhe depresioni neurotik edhe ai psikotik kanë të njëjtit mekanizma me një ndryshim të përmbajtjes dhe objektivave. Diferencimi i depresionit ka rëndësi praktike për trajtim psikoterapeutik dhe farmakologjik. /Telegrafi

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori