LAJMI I FUNDIT:

Infeksionet e thonjve

Infeksionet e thonjve

Në thonj shihen qartë detajet që kanë shumë rëndësi për shëndetin tonë, duke përfshirë edhe treguesit për praninë e sëmundjeve të ndryshme.

ass. dr. Laura Pajaziti, mr.sci.
dermatovenerologe
tel. 044 238 745
e-mail: laurapajaziti@gmail.com

Thonjtë paraqesin pjesë shtesë të lëkurës me prejardhje ektodermale. Zhvillimi i tyre fillon që nga java e nëntë e zhvillimit embrional. Thoni arrin në maje të gishtit në javën e 36 të jetës intrauterine. Ende nuk janë të njohur mirë faktorët kontrollues të rritjes së thonjve, por dihet se mesatarisht thonjtë e duarve rriten 1 cm për 3 muaj dhe 3 herë më ngadalë rriten thonjtë e këmbëve. Shpejtësia e rritjes së thonjve mund të ndryshojë nga personi në person, por ekziston tendencë e rritjes më të shpejtë gjatë muajve të verës. Pllaka e thoit përbëhet nga keratina (qeliza të brirëzuara, të ngjeshura), që paraqet një substancë të fortë dhe rezistuese. Fortësia e pllakës së thoit varet edhe nga sasia e ujit që mund të lidhë. Sa më pak të ketë ujë në përmbajtje, thoni është më i fortë dhe vështirë prehet.
Thonjtë luajnë rol mbrojtës të falangjeve distale, ndihmojnë në aktivitete të përditshme (kapje e objekteve të imta), kurse në ditët e sotme kanë edhe rëndësi të madhe estetike.
Përmes thonjve mund të pasqyrohen një varg i sëmundjeve të brendshme e poashtu thonjtë involvohen edhe në shumë sëmundje të lëkurës.
Infeksionet e thonjve janë një kategori e veçantë e sëmundjeve që mund të përfshijnë vetëm pllakën e thoit, matriksin (rrënjën) ose indin përreth thoit (perionihium).

Infeksionet bakteriale të thonjve
Paronychia acuta është infeksion akut i indeve të buta rreth thoit. Staphylococcus aureus dhe streptokokët e grupit A janë shkaktarët më të shpeshtë. Zakonisht paraqiten pas prishjes së integritetit të epidermës si pasojë e ndonjë traume, qoftë ajo edhe mikroskopike. Karakteristikat klinike janë skuqja, ënjtja (edema) si dhe grumbullimi i qelbit në pjesën e sipërme (proximale) dhe pjesët anësore të indeve të buta rreth thoit.
Paronychia kronike paraqet ndryshime të indeve të buta përreth thoit që janë pasojë e veprimit të ngacmimeve të përditshme të mjeteve pastruese, dezinfektuese dhe lagështisë. Kështu krijohet teren i përshtatshëm për paraqitje të infeksioneve dytësore. Në këto raste Pseudomonas aeruginosa është një prej mikroorganizmave më të shpeshtë që shkakton inflamacion. Infeksioni me pseudomonas karakterizohet me grumbullim të pigmentit piocianin që thoit të sëmurë i jep ngjyrë të kaltër në të gjelbër.
Trajtimi i infeksioneve bakteriale të thonjve dhe strukturës përreth tyre bëhet me antibiotikë të spektrit të gjerë e nganjëherë nevojitet të bëhet dhe incizioni.


Infeksionet mikotike të thonjve
Infeksionet mikotike të thonjve quhen onikomikoza. Shkaktarë të onikomikozave janë dermatofitet dhe kërpudha e tharmit Candida albicans. Favorizues të infeksioneve mikotike janë çrregullimet në qarkullimin e gjakut në gishta që ka për pasojë edhe kequshqyerjen e rrënjës së thonjve, mikrotraumat, manikyri dhe pedikyri i kryer në mënyrë joprofesionale, sëmundjet që përcillen me çrregullime trofike, etj.
Karakteristike për infeksionet mikotike është humbja e tejdukshmërisë së pllakës së thoit, trashja e pllakës, ndryshimi i ngjyrës: e bardhë, e përhimët, e verdhë, e murrme ose e zezë. Sipërfaqja e pllakës nuk është e rrafshët. Ajo mund të jetë e valëzuar, të bëhet me gropëzime të imta, kurse pjesa nën thonj mbushet me material të brirëzuar, krijohen zbrazëti të cilat e ngrisin pllakën e thoit dhe e ndajnë nga shtrati i tij.

Diagnostikimi i sëmundjes bëhet me ekzaminim mikroskopik me çka vërtetohet prania e elementeve mikotike. Rëndësi të posaçme ka kultivimi i materialit nga thoni në terrenet ushqyese në laboratorët mikrobiologjik ku edhe definohet saktë lloji i shkaktarit. Kështu i shmangemi mjekimit të gabueshëm të sëmundjeve tjera të thonjve të ngjashme me onikomikozat.

Mjekimi i infeksioneve mikotike të thonjve bazohet në rezultatet laboratorike. Pasi që thonjtë rriten shumë ngadalë (thonjtë e duarve përtërihen për 6 muaj, kurse të këmbëve 12-18 muaj), mjekimi i tyre kërkon kohë të gjatë dhe durim. Vetëm me trajtim lokal është pothuaj e pamundur të mjekohen onikomikozat. Për këtë qëllim përdoren preparatet antimikotike në mënyrë sistemike si: terbinafina, itrakonazoli, flukonazoli, ketokonazoli në kombinim me kremrat ose tretjet antimikotike.
Ekzistojnë skema të posaçme të ordinimit të preparateve antimikotike të cilat caktohen në bazë të shkaktarit të infeksionit dhe llojit të onikomikozës. Mund të provohet edhe me llakun antimikotik (ciclopirox) sidomos te forma sipërfaqësore e onikomikozës. Krahas trajtimit medikamentoz me rëndësi është mirëmbajtja e thonjve dhe largimi (debridmani) i pjesëve të dëmtuara. Rëndësi kanë edhe barnat që përmirësojnë qarkullimin periferik të gjakut.

Profilaksia e infeksioneve mikotike të thonjve:
– preparatet antiseptike,
– pudrat antimikotike 1 x në ditë
– pedikyri/manikyri: sigurohu se instrumentet janë të sterilizuara.
/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori