LAJMI I FUNDIT:

Si ndikon ushqimi në shëndetin oral

Si ndikon ushqimi në shëndetin oral

Edhe pse krijojnë ndjenjën e kënaqësisë, të gjithë llojet e produkteve ushqimore nuk ndikojnë njëjtë në gjendjen shëndetësore. Mospërdorimi adekuat dhe i pakontrolluar mund të këtë pasoja për shëndetin në tërësi, por edhe për shëndetin oral në veçanti.

Prof. Ass. Dr. Agim B. Begzati, DDS, PhD
Klinika e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive
Prishtinë
Tel. 044 124 092

Si ndikon ushqimi në zhvillimin e dhëmbit dhe organit përtypës?

Ushqimi ndikon në dhëmbë në mënyrë endogjene dhe ekzogjene në tri periudha të zhvillimit:


1. në periudhën para daljes (eruptimit) të dhëmbit – veprimi endogjen
2. në periudhën e maturimit – veprimi endogjen dhe ekzogjen
3. në periudhën e kryerjes së funksioneve të plota të dhëmbit – veprimi ekzogjen

Ushqimi mund të ndikojë pozitivisht në formimin e strukturave të forta të dhëmbit, siç janë produktet me përmbajtje të kripërave minerale (Kalcium-Ca, Fosfor-P) dhe Fluorit-F. Një rol tjetër i rëndësishëm në fortësinë e dhëmbit i atribuohet sidomos Fluorit-F.

Disa lloje te ushqimit, mund të ndikojnë tejet negativisht, siç është konsumimi i ushqimit me përmbajtje të karbohidrateve/sheqernave.

Ne do të përqendrohemi në rolin pozitiv të produkteve ushqimore që përmbajnë kripëra minerale dhe rolin e vitaminave.

Roli i mineraleve

Dhëmbi është i ndërtuar kryesisht nga materiet inorganike, kështu që mungesa e mineraleve (Ca, P) në periudhën e zhvillimit dhe maturimit do të ndikojë në strukturën dhe kualitetin e indit të fortë të dhëmbit. Roli i F në periudhën e zhvillimit dhe maturimit është i pakontestueshëm. Fluori depërton në rrjetën e kristalore apatite të smaltit dhe zëvendëson grupin hidroksil të apatitit duke u krijuar kështu fluorapatiti i cili është më rezistues në veprim e acideve dhe dëmtimit mekanik.

Kalciumi (Ca)
Pjesa e fortë e dhëmbit kryesisht është i ndërtuar nga kristalet e hidroksilapatiti që ka në përbërje nga kalciumi dhe fosfori. Doza ditore e kalciumit që duhet të merret është 0.5-1.5 mg, kjo varet nga mosha. Duhet theksuar se te nënat shtatzëna, doza ditore duhet të arrijë në 2 gr.

Fosfori (P)
Veprimi i tij është ngushtë i lidhur me veprimin e kalciumit. Doza ditore e fosforit është 0.5-1 gr. Në mënyrë që ndikimi i tyre të jetë efikas raporti në mes të Ca dhe P duhet të jetë 1.0:0.8. Në përdorimin e drejtë të tyre, por edhe në metabolizmin e tyre, rol të rëndësishëm luajnë hormonet, si, parathotmoni, si dhe vitaminat, siç është vitamina D.
Ushqimi i pasur me proteina ndihmon resorbimin e kripërave minerale (Ca dhe P).
Mungesa e këtyre kripërave të rëndësishme mund të manifestohet me ndryshime në dentinë (shihet dentina dobët e minerealizuar-dentina interglobulare). Në smalt mungesa e këtyre mineraleve manifestohet me hipoplazion të smaltit.

Fluori (F)
Është përbërës i gjithë indeve të forta të dhëmbit: dentinës, smaltit dhe cementit. Një prej të gjitha masave preventive të cilat përdoren me qëllim të pengimit të paraqitjes së kariesit, fluori zë vend të rëndësishëm, gjithashtu. Fluori në natyrë nuk gjendet i lirë, por në formë të bashkëdyzimeve (kripëra të fluorit). Kripërat e fluorit mund të gjenden në ujë, ajër, tokë dhe pothuajse në të gjitha pemët dhe perimet. Koncentrimi i fluorit në natyrë është aq i vogël sa që nuk mund të ndikojë në parandalimin e kariesit p.sh. në ujë është 0.3 mg. Fluori në organizëm të njeriut hynë nëpërmjet ushqimit dhe ujit. Pasi që të resorbohet trakti digjestiv (lukthi) kalon në gjak, me anë të së cilit bartet në të gjitha organet, pra edhe në dhëmbë. Fluori kryesisht ka afinitet më të madh që të deponohet në eshtra dhe në dhëmbë, sidomos gjatë periudhës së rritjes dhe zhvillimit të organizmit. Në dhëmbë, fluori formon një rrjetë kristalore të quajtur fluorapatit, që e bënë dhëmbin shumë më rezistent ndaj shkaktarëve të kariesit. Mungesa e fluorit shkakton osteoporosis (degjenerimi i ashtit).

Efekti i fluorit në dhëmbë:
• Fluori e redukton absorbimin e sheqerit në membranën e baktereve.
• Fluori e redukton metabolizmin e sheqerit në baktere dhe me këtë prodhimin e acidit.
• Fluoride e redukton shumëzimin e baktereve
• Fluori shtresohet në smalt. Prandaj smalti është më rezistues ndaj acidit.
• Fluori ndihmon në përtëritjen e smaltit të demineralizuar me minerale (remineralizim).

Vitaminat, llojet dhe roli i tyre

Vitaminat janë elemente bazike nutritive me rëndësi të veçantë në zhvillimin e shumë proceseve fiziologjike të rëndësishme për jetën. Rritja, imuniteti, funksione të ndryshme në sistemin qarkullues të gjakut, funksioni i sistemit endokrin dhe të tjera, janë ngushtë të lidhura nga veprimi i vitaminave të caktuara. Vitaminat ndahen në dy grupe të mëdha:

• Lipo-solubile, të cilat treten dhe absorbohen me yndyrat. Të tilla janë vitaminat: A,D,E dhe K.
• Hidro-solubile, treten në ujë. Të tilla janë vitaminat: C dhe B kompleks.

Vitamina A
Vitamina A ka funksion antiinfektiv, si mbrojtës i epitelit. Në natyrë e gjejmë në organet viscerale të shtazëve. Doza ditore te të rriturit është 5000 U.I., te nënat shtatzëna në periudhën e lakatacioni doza duhet të jetë 8000 U.I. Vitamina A është prezent në mishin e peshkut, yndyrën shtazore, të kuqët e vesë, në qumësht. Si formë e pro-vitaminës gjendet edhe në perimet: karota, spanaq, lakër, etj. Mungesa e vitaminës A shkakton hipoplazion të smaltit, metaplazion të ameloblasteve dhe atrofi të odontoblasteve. Vitamina A ose retinoli luan rol të rëndësishëm në të pamurit.

Vitamina D
Luan rol tejet të rëndësishëm në metabolizmin e eshtrave. Ndikon në formimin dhe kalcifikimin e indit ashtëror dhe rregullon absorbimin e kalciumit nga trakti intestinal. Ky funksion është sidomos i rëndësishëm gjatë fazës së rritjes së shpejtë, te i porsalinduri. Doza e nevojshme ditore është 500 U.I., te nënat shtatzëna deri në 800 U.I. Vitamina D ka origjinë shtazore dhe bimore, gjithashtu mund të sintetizohet edhe në lëkurë nga veprimi i rrezeve të diellit. Ushqimi i pasur me vitaminën D janë: vezët, mëlçia dhe vaji i peshkut. Në smalt si pasojë e mungesës së kalciumit, ameloblastet degjenerohen dhe krijohet matriksi jo i kalcifikuar-hipolazion. Kalcifikimi i pamjaftuar i ashtit nofullor mund të manifestohet me ngushtim të nofullës së sipërme (“qiellza gotike”).

Vitamina C
Ose acidi askorbik është i rëndësishëm në formimin e indit kolagjen, rregullon edhe apsorpcionin e hekurit. Doza e nevojshme ditore është 75 mg, te nënat shtatzëna deri 150 mg. E gjejmë në pemë dhe perime. Mungesa e tij manifestohet me çrregullime të odontoblasteve, më vonë atrofi të ameloblasteve dhe të cementoblasteve. Gjakderdhja gingivale është si pasojë e çrregullimit të endotelit të kapilareve nga mungesa e vitaminës C.

Vitamina E
Ose tokoferoli ka efekt antioksidans, ndikon edhe në sintezën e hemoglobinës. E gjejmë në vajrat bimore.

Vitamina K
Luan rol të rëndësishëm në mëlçi në procesin e koagulimit të gjakut. E gjejmë në perime të gjelbra, por sintetizohet edhe në zorrë nga veprimi i florës bakteriale.

Vitamina B
B complex vitaminat janë: vitamina B1 ose thiamina, B2 ose Riboflavina, B3 ose Niaciana, B6 ose Pyridoxina dhe B12. Luajnë rol në metabolizmin brendaqelizor si dhe në hematopoezë. I gjejmë në drithëra, oriz, perime, mëlçi dhe në vezë.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori