LAJMI I FUNDIT:

Është vjedhur laptopi që ka kodet për kontrollin e ISS-it

Është vjedhur laptopi që ka kodet për kontrollin e ISS-it

Kompjuteri portativ i cili është vjedhur nga NASA gjatë vitit të kaluar nuk ishte i koduar, ndërsa që përmbante kodet urdhërues për stacionin Ndërkombëtar hapësinorë, publikoi mbikëqyrësi pranë kësaj kompanie Paul K. Martin.

Në një dëshmi që e dha para bordit amerikan për shkencë, gjithësi dhe teknologji, Paul K. Martin tha se kompjuteri netbook është vjedhur në muajin mars të vitit 2011. Janë vjedhur “algoritmet” të cilët përdoren për kontrollin e stacionit hapësinorë.

Ky portativ është vetëm njëri nga 48 netbook dhe pajisje mobile të cilët i takojnë NASAs, e të cilët janë vjedhur në periudhën prej prillit të vitit 2009 deri në prill të vitit 2011.

Disa nga këto vjedhje kanë pasur për pasojë rrjedhje të informatave konfidenciale, duke përfshirë të dhënat personale dhe të dhënat mbi pronësinë intelektuale të të ashtuquajturave palëve të treta, si dhe numrat e sigurimit shëndetësorë dhe të dhënat për programet Constellation dhe Orion të NASAs.


Numri real i pajisjeve të vjedhura mund të jetë, sipas shkrimit në Huffington Post, dukshëm më i lartë për shkak se NASA mbështetet tek të punësuarit dhe lajmërimin e incidenteve të këtillë nga ata.

Në e-mailin dërguar portalit SecurityNewsDaily, Trent Perrotto nga departamenti për marrëdhënie me publikun pranë NASA tha se “operacionet në stacionin Ndërkombëtar hapësinor për asnjë moment nuk ishin të rrezikuara për shkak të rrjedhjes së të dhënave”.

Shumë sulme mbi NASA në të vërtetë janë “testime të shkathtësive të hakerëve”, siç ishte për shembull rasti në muajin prill të vitit 2011 me sulmin e hakerit TinKode, respektivisht Razvan Manolea Cerniaianu nga Romania. Ky djalosh është i akuzuar në mes tjerash se përveç sulmeve mbi serverët e NASAs në qendrën hapësinore Goddard kishte tentuar përmes blogut të vet të shes aplikacionin i cili përmban udhëhezimet për qasjen në serverët e NASAs dhe Pentagonit.

Gjatë vitit 2011 janë shënuar 47 tentime të sulmeve mbi NASA, prej të cilëve 13 ishin të suksesshëm.

Mjaftë interesant është fakti se pjesa më e madhe e pajisjeve që përdorin të punësuarit e NASA nuk janë të mbrojtura. Në të vërtetë, vlerësohet se 54% e kompjuterëve portativ dhe pajisjeve mobile nuk janë të koduara. /Telegrafi/