LAJMI I FUNDIT:

A i ka dërguar teknologjia hapësinore Jugosllave Amerikanët në Hënë?

A i ka dërguar teknologjia hapësinore Jugosllave Amerikanët në Hënë?

Ditë më parë është bërë lansimi i trailerit të filmit dokumentar slloven të titulluar "Houston We Have a Problem" në të cilin pretendohen arsyet për kthesën e bërë gjatë Luftës së Ftohtë - Amerika ka blerë programin sekret hapësinor Jugosllav për të shkuar në gjithësi.

Postimi i trailerit të dokumentarit ofron një kthesë shumë të pazakontë në storien e Luftës së Ftohtë, më shumë se 50 vite pasi që Amerika bëri publik qëllimin që të dërgoj njerëzit në Hënë në muajin Maj të vitit 1961.

Në video pohohet se dokumentari i plotë, i titulluar “Huston, We Have a Problem” – i cili do të paraqitet më vonë gjatë vitit – do të dëshmoj se CIA zbuloi programin sekret hapësinor në vitin 1960 dhe, pasi që ishin prapa në garën hapsinore në krahasim me Unionin Sovjetik, kështu që vendosën që të blejnë tërë programin nga presidenti i Jugosllavisë Tito në Mars të vitit 1961, vetëm dy javë para se që presidenti John F Kennedy ka publikuar ambiciet lunare të Amerikanëve.

Sipas filmit dokumentar, origjina e programit hapësinor Jugosllav ishte në shkrimet dhe punimet e Herman Potocnik, libri i të cilit nga viti 1929 “Problem Voznje po Vesolju” (Problemi i Udhëtimit në Hapësirë) ishte inspirim për Wernher von Braumin ish Nazistin dhe arkitektin e programit hapësinor Amerikan.


Aty thuhet se Amerika nuk pati arritur që të gjej shkrimet dhe vizatimet tjera të Potocnik, dhe se ato ishin gjetur nga shërbimi sekret i Titos në vitin 1947, dhe se ato patën luajtur një rol të rëndësishëm në programin hapësinor Jugosllav, i cili pati filluar në vitin 1948.

Standardet jetësore në Jugosllavi u përmirësuan dukshëm, dhe vendi socialist pati zhvillim të shpejtë ekonomik duke iu falënderuar ndihmave financiare Amerikane.

Traileri pohon se dokumentari do të zbuloj se si Tito ka ndërtuar qendrën më të madhe sekrete hapësinore në Evropë, dhe se në fakt disa nga raketat Amerikane ishin ndërtuar në Jugosllavi, dhe se Tito dhe gruaja e tij ishin vizitor të rregullt të ambienteve të NASAs. Baza ndodhet në lokacionin Zeljava në kufirin Kroato-Boshnjak, dhe është e njohur edhe me emrin Baza Ushtarake 505.

Autorët e dokumentarit janë Bostjan dhe Ziga Virc, dhe tregimi në tërësi do të zbulohet vetëm në kuadër të dokumentarit, por sidoqoftë trailerin mund ta shihni më poshtë. /Telegrafi/