LAJMI I FUNDIT:

Bota si e njohim do të “zhduket” deri më 2050

Bota si e njohim do të “zhduket” deri më 2050

Nëse vazhdojnë trendet e sotme, deri më 2050 bota jonë do të bëhet krejtësisht e panjohur, ka tërhequr vëmendjen Jason Clay nga organizata World Wildlife në konferencën shkencore amerikane.

Duket se botën siç e njohim sot nuk e pret një e ardhme optimiste. Së paku kështu janë konkludimet e shkencëtarëve të nxjerra në konferencën shkencore amerikane, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Problemi kryesor i “shkatërrimit” tonë qëndron në rritjen e banorëve dhe betejës për resurse, që për 40 vjet do të duhej të sjellë deri tek ndryshimi i tërësishëm i botës siç e njohim sot.

Vlerësimet flasin se deri në fund të këtij viti numri i popullatës së botës do të rritet në shtatë miliardë, e deri më 2050 ky numër do të mund bëhej nëntë miliardë. Rritja më e madhe e popullatës do të ndodhë në vendet e varfra të Afrikës dhe Azisë Jugore.


Pikërisht ky fakt do të sjellë deri tek problemet e mëdha. Për t’u ushqyer aq shumë gojë, gjatë 40 viteve të ardhshme do të duhej të prodhohet aq ushqim sa është prodhuar gjatë tetëmijë vjetëve të fundit.

“Nëse vazhdojnë trendet e sotme, deri më 2050 bota jonë do të bëhet krejtësisht e panjohur”, pohon eksperti Jason Clay, dhe u bën apel ekspertëve e shkencëtarëve të bëjnë bashkë forcat në fushën e prodhimit të ushqimit.

Problem edhe numri i popullatës

Pos mungesës së ushqimit, për 40 vjet do të mund të na godiste edhe numri tepër i madh i popullatës, për shkak të cilit ekspertët demografik kërkojnë program për planifikimin e familjeve.

“Është koha e fundit që të bëhet diçka për këtë çështje. Gjatë 20 vjetëve të fundit nuk është bërë përkujdesje për këtë, mirëpo për shkak të çmimit të ushqimit dhe ngrohjes globale, do të na duhet të ndërmarrim disa hapa”, ka thënë John Bongaarts, një prej ekspertëve pjesëmarrës të kësaj konference.

“Dëshirojmë të minimalizojmë popullatën e botës dhe programi i planifikimit të familjes është mënyra e vetme për të bërë këtë”, ka thënë John Casterline, i ngarkuar për hulumtimin e popullatës në Ohio të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/