LAJMI I FUNDIT:

Pemët dhe perimet më të mira për qershor

Pemët dhe perimet më të mira për qershor

Të hani pemët dhe perimet e stinës do të thotë të hani më të mirat! - Derisa të gjitha llojet e pemëve dhe perimeve kanë efekt të shkëlqyeshëm në shëndet, vlerat e tyre të vërteta do t’i merrni vetëm kur të filloni t’i konsumoni gjatë kohës së stinës së tyre. Ushqimi sezonal është ushqimi i cili rritet në kohën kur është parashikuar. Është ushqimi më i lirë, më i freskët dhe më i shijshëm.

Blerja e ushqimeve të stinës gjithsesi do të ruajë xhepin tuaj. Edhe në rast se ushqimet importohen, kur është fjala për ato sezonale, importohen me çmime më të ulëta, pra i paguani më lirë. Për kultivim investohet më pak mund, gjenden me bollëk, çmimi është më i lirë dhe ju i paguani më pak.

Pas vjeljes së frutave, vlera e tyre ushqyese fillon menjëherë të bjerë. Vitaminat e shumta në pemë dhe perime thjesht zhduken disa ditë pas vjeljes. Blerja e ushqimeve sezonale nënkupton më shumë vitamina, minerale dhe fitokimikate.

Produktet sezonale janë të freskëta dhe të freskëtat janë gjithmonë më të shijshme. Nëse ushqimet kanë kaluar 10 ditë në kutitë e kartonit, sigurisht që nuk mund të prisni të jenë po aq të shijshme si ato të freskëtat.


Të hani pemë sezonale do të thotë ta kurseni natyrën dhe ta ruani mjedisin. Për kultivimin e ushqimeve sezonale janë të nevojshme më pak pesticide, pra e ruajmë edhe mjedisin. Kultivimi artificial i ushqimit është bërë kërcënim i madh për mjedisin, prandaj është koha të fillojmë të hamë në mënyrë sezonale.

Perimet më të mira

Bizelet. – Bizelja është ushqim i cili gjendet lehtë. E shijshme dhe e shëndetshme përmban pak acide të ngopura yndyrore, kolesterol dhe kripë. Është burim i mirë i proteinave, vitaminës A, riboflavinës, acidit folik, niacinës, vitaminës B6, magnezit dhe fosforit. Është burim i shkëlqyeshëm i fibrave dietale, vitaminës C, K, tiaminës dhe manganit. Bizelja mund të përgatitet në forma të ndryshme, por ne ju propozojmë supën e shëndetshme nga bizelet.

Batha. – Batha është bimë nga familja e bishtajorëve. Përmban pak acide të ngopura yndyrore, kolesterol dhe kripë. Ekspertët ua rekomandojnë bathën të gjithë personave, veçanërisht vegjetarianëve, sepse është burim i shkëlqyeshëm i proteinave dhe materieve ushqyese të cilat i marrim nga ushqimet me origjinë shtazore. Është burim i shkëlqyeshëm i fibrave dietale, vitaminës C, niacinës, acidit folik, magnezit dhe fosforit. Bathën mund ta përdorni si shtesë në gati çdo ushqim, por edhe mund t’ia shtoni edhe sallatave të ndryshme. Provoni sallata të shkëlqyeshme nga batha, spinaqi dhe djathi feta.

Shpargu. – Shpargu është perime pranverore, ndërsa qershori paraqet fundin e sezonit të tyre, çka do të thotë që gjenden tepër lehtë. Është burim i shkëlqyeshëm i grupit të vitaminave B të cilat janë të nevojshme për prodhimin e energjisë dhe mbajtjen e shëndetit të sistemit nervor. Përmbajnë vitaminë K, e cila është e domosdoshme për shëndetin e eshtrave. Shpargu është i shijshëm vetvetiu, pa shtesa, ndërsa gjithsesi meriton të improvizoni me të, prandaj provoni supën e pazakonshme nga shpargu.

Kastraveci. – Kastravecët përmbajnë pak yndyra të pangopura, kolesterol dhe natrium. Janë burim i mirë i vitaminës A, magnezit, fosforit dhe manganit, ndërsa janë burim i shkëlqyeshëm, vitaminës C, K dhe kaliumit. Kastravecët zakonisht hahen si sallatë, ndërsa ne ju propozojmë diçka të pazakonshme dhe të shijshme, supën e ftohët nga kastraveci.

Pemët më të mira
Dredhëza. – Mund të jenë në forma dhe madhësi të ndryshme, por të gjitha kanë efekt të shkëlqyeshëm në shëndet. Përmbajnë pak acide të ngopura, kolesterol dhe natrium. Janë burim i mirë i acidit folik dhe kaliumit, ndërsa janë burim i shkëlqyeshëm i fibrave diatele, vitaminës C dhe manganit. Përdorni kulmin e sezonit të tyre dhe bëni xhem të shijshëm nga dredhëzat për ta shijuar edhe më vonë.

Mango. – Përmban pak kalori, acide të ngopura, kolesterol dhe natrium, ndërsa njëkohësisht ka shumë përbërës që janë të shkëlqyeshëm për shëndetin. Është e pasur me kalcium, hekur, kalium, magnez, aminoacide esenciale, fibra dietale, vitamina A, B, C E dhe K. Nëse dëshironi të provoni mangon në mënyrë tërësisht të re ju propozojmë recetë për mish,nga tuna dhe mango.

Qershitë. – Qershori është muaji i shijimit të qershive. Janë çdo kund, janë të shijshme, gjenden lehtë dhe momentalisht më të shëndetshmet. Janë burim i shkëlqyeshëm i fibrave dietale dhe vitaminës C, transmeton Koha.net. Qershitë më së shpeshti i hamë pa ndonjë shtesë,por mund të provoni edhe delikatesat me qershi.

Ananasi. – I lëngshëm, aromatik dhe i ëmbël, ananasi nuk është kot një nga llojet më të popullarizuara të pemëve. Është burim i shkëlqyeshëm i kalciumit, magnezit, fosforit dhe manganit. Në të do të gjeni edhe pigmentin bimor karotenin, grupet e vitaminës B, vitaminën C dhe E. Ananasit nuk keni nevojë t’i shtoni gjë sepse është vetë i shijshëm dhe i stërmbushur me materie ushqyese. Për të shfrytëzuar të gjitha përparësitë e tij ushqyese, dhe njëkohësisht të provoni diçka të re, përgatiteni pije të shijshme nga ananasi. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Çfarë është hernia inguinale?

Çfarë është hernia inguinale?

Kalo në kategori