LAJMI I FUNDIT:

A ua forcon lidhjen shprehja e dashurisë në rrjetet sociale?

A ua forcon lidhjen shprehja e dashurisë në rrjetet sociale?

Sado të pakëndshme të jenë postimet e çifteve dhe deklaratat e tyre të dashurisë në rrjetet sociale, studiuesit kanë arritur në një përfundim befasues. Peshorja anon nga dashuria…

Shkenca na ka dhuruar studime të reja mbi mënyrën sesi rrjetet sociale ndikojnë në jetën e çifteve.

Në një studim të ri të publikuar së fundmi, studiueset Catalina Toma dhe Mina Choi kanë hetuar për lidhjen midis shfaqjes së afeksionit publik në Facebook dhe gjendjen e fatit të marrëdhënieve.

Në këtë aspekt, ato analizuan se sa të angazhuar janë partnerët në këto lidhje dhe sa gjasa ka që marrëdhënia të zgjasë. A janë çiftet që postojnë vazhdimisht foto bashkë më të qëndrueshëm se të tjerët?


Shumë njerëz i mendojnë shfaqjet e afeksionit në Facebook si irrituese dhe mund të besojnë madje se çiftet që e përdorin këtë metodë, janë të pasigurt në vetvete. Megjithatë, çiftet mund të kenë një eksperiencë të ndryshme psikologjike nga sa mund të mendojnë të tjerët.

Kërkime të mëparshme kanë treguar se megjithëse njerëzit pretendojnë të jenë ekstrovertë ose emocionalisht të qëndrueshëm përpara një audience, ata thellë brenda vetes fillojnë të mendojnë se janë vërtet të tillë. Ky ndryshim i konceptimit të vetes nuk ndodh te njerëzit që nuk gjenden përballë një audience.

Duke ndjekur këtë logjikë, kërkueset parashikuan se sa më shumë çiftet të shfaqen të bashkuar në Facebook, aq më shumë do ta perceptojnë marrëdhënien si të rëndësishme për ta.

Facebook është një vend shumë publik, që furnizon audiencën më të madhe që njerëzit normalë kanë pasur ndonjëherë. Ai/ajo që ne mendojmë se gjendet përpara kësaj audience, ndikon shumë në mënyrën se si e perceptojmë veten.

Në kontekstin e çifteve, kërkueset parashikuan se ata që shfaqin më tepër afeksionin e tyre në Facebook, përjetojnë një angazhim më të madh kundrejt partnerit dhe kanë më pak gjasa të ndahen pas gjashtë muajsh.

Kjo ide nuk duhet të jetë plotësisht e paparashikuar. Në fund të fundit, edhe dasmat janë një lloj shprehje e afeksionit në publik. Përse i kemi konsideruar ato të rëndësishme për shekuj dhe në shumë kultura deklarimin publik të dashurisë përpara miqve, familjarëve dhe të njohurve si në ngjarje kyç?

Për të testuar këto parashikime, dy studiueset rekrutuan 180 studentë, të cilët ishin përfshirë në lidhje heteroseksuale. Ata përdorën një aplikacion që krijon një profil të përbashkët të çiftit në Facebook, ku shfaqet i gjithë aktiviteti i tyre i përbashkët.

Rezultatet treguan se sa më shumë pjesëmarrësit postuan foto me partnerët, shkruan në murin e tyre apo ndryshuan statusin “në një lidhje” me ta, aq më tepër të angazhuar ishin ndaj kësaj lidhjeje dhe më pak gjasa kishin që të ndaheshin pas gjashtë muajve.

Me fjalë të tjera, shfaqja e afeksionit publik në rrjetet sociale, influencon për mirë në një marrëdhënie. /Telegrafi/