Kujt nuk i kujtohet futbollisti kosovar i viteve të tetëdhjeta, ylli i dikurshëm i kësaj loje magjike, Fadil Vokrri. Ai i bëri ta admironin të gjithë tifozët e futbollit, pavarësisht skuadrës së tyre të zemrës. Konsiderohet si njëri nga sulmuesit më të mirë të gjeneratës, që impresionoi me performancat e tij. Fadili në çdo ndeshje ngriste në këmbë deri në dyzet mijë shikues, të cilët brohorisnin sikur në kor: Vokrri, Vokrri, Vokrri...
Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Modest, i disiplinuar, i shoqëruar, i qetë e mbi të gjitha një talent i vërtetë, Fadil Vokrri, për njëzet vjet e mbajti më të drejtë epitetin e futbollistit më të mirë dhe idolit të dashamirëve të kësaj loje të afirmuar.
Për gjithçka që ka të bëjë më këtë lojtar të madh të periudhës së ‘artë’, lexoni intervistën që zhvilluam me të.
Z. Fadil, për ju mund të thuhet se futbollin e keni trashëgim nga babai juaj, Abdullah Vokrri, pastaj xhaxhai Selatini, por ju ua keni tejkaluar atyre…
Në planin profesional ndoshta jo, mirëpo kur kthehem pas dhe analizoj rrethanat, mund të them se koha ka lyp diçka të tillë.
Hapat e parë i keni bërë në klubin “Llapi” të Podujevës. A ju kujtohet kur e keni shkelur “tepihun” e gjelbër dhe keni marrë udhë për suksese sipërore?
Karriera ime futbollistike ka nisur sikurse te të gjithë fëmijët duke luajtur në lagje, në oborre të shkollës, ku ka qenë e mundur të luhet. Kam filluar vonë, kështu që në moshën 15-vjeçare, u regjistrova si junior në KF “Llapi”, më pas si 17-vjeçar, fillova të luaj për ekipin e parë.
Menjëherë ishit bërë idhull i dashamirëve të futbollit anembanë Kosovës. Me ju Prishtina, arriti të bëhej anëtare e elitës në Ish-Jugosllavi. Duket se loja juaj ishte vendimtare për çdo ndeshje….
Po, së pari nga Llapi kam shkuar në ‘Elektroekonomi’, në Obiliq, jam kthyer sërish në Llap, sepse ky ekip ishte shumë i rrezikuar për të rënë nga liga dhe bashkë me disa përforcime “Llapi” shpëtoi nga më e keqja. Ndërkaq, në vitin 1980 në qershor, vendosa të kaloj në radhët e “Prishtinës”. Lojërat vendimtare ka qenë me Napredakun e Krushevcit, e pastaj me Lirinë. Kontributi im ka qenë i madh, por edhe tërë ekipi ka qenë i motivuar për fitore.
Në kohën tuaj në ulëset e stadiumit të Prishtinës, kishte deri në 40 mijë shikues. Madje, të gjithë ata vinin për të parë artin tuaj të lojës magjike. Si ndjeheshit kur i tërë stadiumi brohoriste stadiumit tuaj?
Sigurisht që është një kënaqësi e madhe. Unë kam pasur edhe fat, sepse të bësh një unanimitet në futboll është e pamundur, por ka qenë kohë e pakohë, në atë kohë. Në stadium janë shfaqur edhe emocione tjera ekstrasportive. Unë jam i lumtur që kam qenë pjesë e atyre proceseve që s’kanë pasur të ndalur.
Ta them edhe një tjetër fakt, është e vërtetë që kanë qenë të pranishëm edhe 35-40 mijë shikues, por shumica nuk kishin ardhur vetëm për të parë sport, aty.
Na kujtohen golat tuaj, sidomos kundër ‘Dinamos’ së Zagrebit, e veçanërisht kundër ‘Zvezdes’, në Beograd. Nga aty ju e arritët kulmin dhe menjëherë kaluat në ekipin e madh të Beogradit, ‘Partizani’, në të cilin poashtu shkëlqyet për disa vite. Madje u përfshitë edhe në reprezentacionin kombëtar. Si i përshkruani ato ditë të shkëlqimit tuaj?
Unë, para kalimit në Partizan, e vlerësova se kisha arritur zenitin në klubin e Prishtinës, ishte koha që të kaloj diku tjetër. Ndoshta, duhej që Prishtina të lirohej nga sindroma Vokrri, por edhe Vokrri të lirohej nga përgjegjësitë e mëdha.
Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. E kam ndjerë veten shumë mirë, si në atë kohë, edhe tash. Unë kam qenë përfaqësuesi i vetëm shqiptar që ka veshur petkun e reprezentacionit të Jugosllavisë në atë kohë. Ma merr mendja se kam qenë përfaqësues i denjë i shqiptarëve, i vetmi dhe i fundit.
Si anëtar i reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, goli i juaj kundër Luksemburgut në minutat e fundit e qoi këtë vend në Kampionatin Evropian. Vlen të theksohet edhe deklarata e portierit të Luksemburgut kur kishte thënë: “Edhe po të ishin edhe pesë portier në portë, nuk do ta mbronin golin e Vokrrit”?
Ishte një kënaqësi, por nuk duhet harruar se ai ishte një ekip i vogël që quhej Luksemburg. Atje luhej vetëm futbolli amator, edhepse, amatorët dinë nganjëherë të befasojnë.
Te Partizani i Beogradit, bashkë me ju, cilët kanë qenë futbollistët e tjerë shqiptarë që shkëlqyen në kohën e ish-Jugosllavisë?
Mund të them se Partizani ka qenë një ekip gjithherë i hapur, pa nacionalizëm, që ka pasur futbollistë mjaft futbollistë kosovar. Do të përmendja Zenun Brovinën, Luan Prekazin, Xhevat Prekazin, Isa Sadriu, Kujtim Shala, Fahrudin Jusufin, i cili ka qenë lojtar kyç dhe mbrojtësi i parë në botë që ka bërë lojë ofensive.
Ka patur momente kur si anëtar i Partizanit, keni luajtur kundër ‘Flamurtarit’ të Vlorës. Çfarë ndjenje ishte kjo?
Ka qenë shumë vështirë…larg demokracisë. Kur ne morëm rrugën për Shqipëri, kishte shumë sigurim në ekspeditën tonë. Unë vërtetë e kisha vështirë, por ne që jemi profesionistë duhet t’i abstragojmë këto gjëra dhe duhet të dish sesi të veprosh.
Nga Beogradi keni kaluar në Francë, ku keni luajtur si futbollist aktiv e më vonë edhe si trajner, për t’u kthyer më vonë në Kosovë, si kryetar i Federatës së futbollit. Ku gjendet sot futbolli ynë?
Nuk duhet harruar këtë periudhë të gjatë…kanë shkuar dy gjenerata që nuk i kemi parë, që në zhargonin tonë i quajmë, dy gjenerata të ‘livadheve’, apo të fushave të improvizuara. Prandaj, mendoj që futbolli jonë ka dhënë një ndër provimet më të vështira dhe, me arsimin, kanë qenë dy segmentet kryesore të shtetit që sot ne e gëzojmë.
Është vështirë të flitet për profesionalizëm në ato rrethana dhe puna nuk është stimuluar. Kemi probleme si të gjitha shtetet në tranzicion, por po ecim, edhe pse do të doja që kjo ecje të bëhet më shpejtë. Edhe në këto kushte, ne po angazhohemi që ta shpejtojmë këtë proces të pandalshëm.
Ju kemi dëgjuar shpesh duke kënduar me Ismet Bogujevcin, Afrim Muçiqin dhe Xhevdet Pecin. Natyrisht kënga ka qenë hobi, kurse futbolli profesion jetësor. Ia keni parë hairin futbollit?
Sigurisht që unë me futboll i kam arritur të gjitha, jo vetëm afirmimin, por edhe ekzistencën, kam shëtitë botën, kam miq kudo dhe me funksionin që kam sot, kam respekt të madh për futbollin.
Cilat janë tiparet që duhet t’i ketë një futbollist për të qenë komplet?
Për të qenë një futbollist komplet, së pari duhet të ketë tipare njerëzore. Një futbollist që nuk ka edukatë familjare dhe shoqërore, shumë vështirë do të depërtoi, pastaj duhet punë, disiplinë, talent….
Si duket dita e një futbollisti? Cila është menyja e tij dhe sa orë ushtrime në ditë kërkon?
Ne kemi pasur një disiplinë dhe beneficione të cilat kanë ndikuar në aftësitë tona sportive, mirëpo sot një futbollist me të ardhurat që merr, e ka shumë vështirë që të sigurojë meny me vlerat e nevojshme. Futbollisti që nuk ushqehet mirë, nuk ka kalori dhe nuk mund të ndjekë trendet e futbollit në botë.
Në kohën time, stërvitjet kanë qenë të programuara, mirëpo sot, për shkak të kushteve që kanë klubet, pavarësisht që kanë disa sponsorë, nuk mund t’i obligosh që të bëjnë dy herë ushtrime në ditë. Pastaj ndikon edhe aspekti psikologjik, motivimi…që harxhohet.
Cili lojtar është idoli juaj, nëse keni idol?
Për mua idol i të gjitha kohëve është Johan Cruyff. Filozofia e tij në lojën e futbollit, ka vënë themelet e lojës së Barcelonës që luan në këtë mënyrë.
A keni ëndërruar, p.sh., të luani në Barcelona, Real, Milan, Manchester…?
Në atë kohë ne nuk kemi pasur ambicie për të shkuar diku tjetër. Koha na ka lyp neve, por edhe për çështje tjera që i përmendëm më herët. Në kishim një arenë të vetme ku mund të ndjeheshim mirë.
Cilin klub e adhuroni më së shumti aktualisht dhe cilin futbollist?
Barcelona është art, është kënaqësi ta shohësh kur luan. Aty është Messi.
A mendoni se edhe në futboll ka hyrë korrupsioni? Mos i kanë këtu fajet bastoret, që duket se janë bërë makina për shpëlarjen e parave të majme?
Është një dilemë që na preokupon të gjithëve. Ka raste që janë gjetur fajtorët dhe janë dënuar, por kjo e dëmton futbollin. Edhe në kohën time, nuk i përjashtoj raste e tilla, por sigurisht kanë qenë të izoluara.
Edhe atëherë futbollistët e kanë bërë jetën e ashtuquajtur të natës dhe shpesh nuk e kanë përfillur disiplinën, gati ushtarake. Megjithatë, shpesh keni përfunduar në karantinë. A është e vështirë jeta e futbollistit, kur dihet se duhet t’i lë anash shumë qejfe, sikurse janë cigarja, alkooli, aventurat, etj?
Sigurisht, sikur të gjithë të rinjtë tjerë, edhe unë e kam ndjekë kënaqësitë që të ofron jeta dhe i kam bërë të gjitha. Nuk kam qenë imun, por edhe sot do ta bëja të njëjtën…
Po e mbyllim një vit kalendarik edhe në sport. Si e vlerësoni vitin 2017. Cilat ishin sukseset, por edhe dobësitë?
Viti 2017 për FFK-në ishte një vit i mbushur me plotë gara si në rrafshin e brendshëm, njashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Kishim gara në të gjitha kategoritë dhe në të dyja konkurrencat. Është një vlerësim dhe konstatim jo vetëm i yni, por edhe të tjerëve përfshi edhe mediet se kishim një kampionat mjaft të mirë, cilësor dhe me rivalitet të madh sportiv.
Kishte ngritje të nivelit të organizimit të klubeve, ndeshjeve. Pati frymë dhe sjellje korrekte të futbollistëve në fushë, ndarje të mirë të drejtësisë nga ana e gjyqtarëve. Por, kishte edhe dobësi e lëshime e mospërmbajtje, në raste të ndryshme, por organet tona kanë marrë masat e duhura dhe këto lëshime janë mënjanuar më pastaj.
Në rrafshin ndërkombëtar patëm pjesëmarrjen e Kombëtares A në kualifikimet për Botëror Rusia 2018. Pastaj Kombëtarja U-21 vazhdon të jetë pjesë e kualifikimeve për Kampionatin evropian me disa rezultate pozitive. Kombëtarja U-19 arriti sukses historik duke u kualifikua për rrethin elitë për kampionatin evropian. Kombëtarja U-17 mori pjesë në ndeshjet para kualifikuese për Kampionatin evropian.
Në konkurrencën e femrave Kombëtarja A dhe ajo U-19 morëm pjesë në kualifikimet për kampionatet evropiane sikur dhe Kombëtarja A në futsall, por pa ndonjë rezultat të prekshëm. Dhe nga të gjithë këto mendojë se kemi dalë më me përvojë, jo vetëm në fushën e gjelbër, por edhe në organizimin e ndeshjeve. Duhet kuptuar se ekipet tona përfaqësuese veç sa kanë nisur të formësohen dhe natyrisht se lypset mund e kohë për të arritur synimet tona.
Qeveria e Kosovës mori vendim për ndërtimin e Stadiumit kombëtar në Drenas, ndërkohë që përmendej edhe Bërnica. Si e shihni ju këtë vendim?
Për neve, tash momentalisht, prioritet është rinovimi dhe aftësimi i stadiumit në kryeqytet që na mundëson zhvillimin e ndeshjeve të kategorisë së katërt përkatësisht për Kombëtare. Besojë se, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të bëjë çmos që të jetë i gatshëm për ndeshjet kualifikuese për kampionatin evropian që nisin vitin që vjen. Pastaj edhe aftësimi i aftësimi i stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë për ndeshjet e kategorisë së dytë është shumë me rëndësi. Ndërsa sa i përket stadiumit kombëtar është në dorën e Qeverisë së Kosovës se ku do ta ndërtojë, por mbi të gjitha është me rëndësi që të fillojë së ndërtuari.
Kombëtarja e Kosovës, ndonëse nuk arriti të kualifikohet për “Rusia 2018”, megjithatë duket se po konsolidohet dhe po bëhet një ekip i denjë?
Kombëtarja A është e re, kishte mungesë të përvojës në ndeshjet ndërkombëtare. Ishim në një grup jashtëzakonisht të fortë dhe ndeshjet i zhvilluam jashtë Kosovës në Shkodër. Ndaj nuk jemi të kënaqur me rezultatet, por dita ditës, kjo Kombëtare, po përmirësohet dhe besojmë në këtë grup të futbollistëve.
Keni deklaruar se,së shpejti do të zgjidhet edhe selektori i i ri i përfaqësueses së Kosovës në futboll. A ka diçka konkrete në këtë drejtim?
Pas ndarjes me mirëkuptim nga përzgjedhësi Albert Bunjaku, i cili vërtet ka bërë një punë të madhe në një kohë të vështirë për tubimin e futbollistëve si krijimin e skeletit të Kombëtares, unë kam filluar të kontaktojë shumë personalitete nga komuniteti i trajnerëve, por ende nuk mund ta them asnjë emër konkret. Unë jam i interesuar shumë dhe, besoj se, në pranverën e ardhshme do ta kemi një përzgjedhës që do të i përmbush kriteret tona, konform objektivave tona.
Si është infrastruktura sportive?
Infrastruktura është thembër e Akilit, por kohëve të fundit kemi përmirësime të dukshme si dhe nisma si nga klubet, komunat dhe niveli qendror që seriozisht të angazhohen për përmirësimin e infrastrukturës. Ne, si Federatë, do të angazhohemi dhe do të i mbështesim klubet për këtë gjë nga fondet që i kemi përfituar nga UEFA dhe FIFA.
Cilat janë synimet e FFK për vitin 2018-të?
Ndër prioritet e FFK-së siç e thashë edhe më lartë është përmirësimi i infrastrukturës. Në këtë drejtim, kemi marrë vendim nga projekti hat-trick të UEFA-s, që shumën prej 1 milion e dyqind mijë euro, do ta ndajmë për klubet e superligës dhe. Menjëherë pas viti të ri, do të vizitojmë komunat dhe nëse ato janë të gatshme të participojnë, ne do të ndajmë për secilin klub apo komunë nga 100 mijë euro për ndërtimin e fushave me bari artificial dhe kështu do të bëhej një zgjidhje e mirë për mbarëvajtjen e garave edhe në kushtet kur moti nuk është i mirë dhe nuk ka mundësi që ndeshjet të zhvillohen në fushat me bari natyral.
Do të nisim me klubet e Vala Superligës dhe do të vazhdojmë edhe me ato të Ligës së Parë. Pastaj kemi filluar me trajnimin e trajnerëve me licencë C të UEFA-s e do të vazhdojmë dhe me licencat B e A. Kemi nisur në 2017 e do të vazhdojmë në ngritjen profesionale të gjyqtarëve talent dhe atyre të rinj.
Prioritet do të jetë edhe puna me grup-mosha të reja e sidomos të vajzave. Në ngrirje profesionale të administratës dhe digjitalizimin e të dhënave. Forcimi i Lidhjeve rajonale të futbollit dhe një sërë projektesh tjera në interes të zhvillimit dhe përparimit të futbollit të Kosovës. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje