LAJMI I FUNDIT:

Instagram së shpejti edhe në Windows Phone

Instagram së shpejti edhe në Windows Phone

Sistemit operativ të Microsoft mobile, Windows Phone i mungojnë disa nga aplikacionet kryesore, dhe këtë problem e ka vërejtur prodhuesi finlandez Nokia, e cila me sa duket i është ankuar partnerit të saj strategjik, kompanisë amerikane të softuerit, e cila e mbështet atë me platformën mobile.

Këto ankesa duket se kanë pasur mjaft efekt, pasi që tani thuhet se në sistemin operativ mobil Windows Phone, së shpejti do të vijë aplikacioni i famshëm për shpërndarjen e fotografive, Instagram.

Sipas faqes kineze, WPDang, Instagram prej 26 qershorit do të vijë në Windows Phone, por ekskluzivisht në telefonat e Nokia. Raportet e fundit thonë se Instagram për Windows do të ketë filtera të rinj shtesë, si shpërblim për durimin e përdoruesve të cilët kanë pritur kaq gjatë për aplikacionin.

Deri më sot, Windows Phone ka arritur të grumbullojë më shumë se 145 mijë aplikacione mobile, dhe natyrisht se Instagram vetëm sa do ta rrisë popullaritetin e tyre. / Telegrafi /