LAJMI I FUNDIT:

Hakohet Steam

Hakohet Steam

Kah fillimi i javës, forumet e shërbimit Steam janë fikur për shkak të “veprave vandale të fkn0wned”, ueb faqes që ofron hackët për video lojëra. Arsyetimi zyrtar nga Valve ishte ai i zakonshmi – mirëmbajtja. Gjithsesi, duket se nga Valve kanë rrejtur edhe për atë se bëhet fjalë vetëm për probleme me forumin.

Valve më në fund pranoi se bëhej fjalë për një qasje të paautorizuar në server dhe pikërisht në atë me bazën e të dhënave. Bazat e sulmuara ishin mu ato që mbajnë emrat e shfrytëzuesve, adresat, e-mailët, fjalëkalimet, historinë e blerjeve dhe të dhënat për kartat e kreditit. Gabe Newell pohon, se nuk kanë dëshmi për keqpërdorimin e kartave të kreditit, por ia tërhoqi vërejtjen të gjithë shfrytëzuesve se duhet të përcjellin transaksionet pranë bankave të tyre. Edhe pse të dhënat janë të ruajtura në formë të hashëve, ekziston mundësia për keqpërdorimet e ndryshme. Në mesazhin e vet dërguar shfrytëzuesve, Gabe kërkoi falje dhe sqaroi se përveç disa llogarive në forum nuk kanë dëshmi për llogari të shfrytëzuesve ose kartela të kreditit të keqpërdorura, por dhe se i propozon të gjithëve të ndryshojnë fjalëkalimin, gjë të cilën do ta bëjnë obligatorë për forumin.

Pas sulmeve të shumëfishta në serverët e Sonyt, kjo është edhe një goditje tjetër për “shërbimet serioze” në të cilat ndodhen të dhënat e shfrytëzuesve. Është mjaftë për të brengosur fakti se hakerët, me sulme mbi forume kanë arritur të kërcënojnë diçka aq me rëndësi siç janë llogaritë Steam dhe kartelat e kreditit. /Telegrafi/