LAJMI I FUNDIT:

Shpërthim i dyqaneve të aplikacioneve

Shpërthim i dyqaneve të aplikacioneve

Kompania Gartner pret që gjatë këtij viti të hyrat e përgjithshme të realizuar me anë të dyqaneve të aplikacioneve për pajisje mobile do të rriten në 15.1 miliardë dollarë.

Gartner ka publikuar studimin sipas të cilit me anë të dyqaneve të ndryshme të aplikacioneve do të shkarkohet mbi 17.7 miliardë aplikacione, që i bie rritje prej mbi 100 për qind krahasuar me vitin e kaluar kur janë shkarkuar 8.2 miliardë aplikacione.

Po ashtu theksohet se ani pse 80 për qind e aplikacioneve të shkarkuara janë pa pagesë, të hyra të mira realizojnë edhe zhvilluesit e aplikacioneve dhe pronarët e dyqaneve të aplikacioneve.

Sipas vlerësimeve të Gartner, të hyrat e përgjithshme të realizuara me anë të dyqaneve të aplikacioneve deri në fund të këtij viti do të duhej të rriten në 15.1 miliardë dollarë, për dallim nga 5.2 miliardë sa ishin vitin e kaluar. Në këto të hyra përfshihet çmimi të cilin blerësit paguajnë për aplikacione, por edhe përfitimi nga reklamat në aplikacione.


Aktualisht secili sistem më i rëndësishëm operativ për pajisje mobile ka dyqan përkatës të aplikacioneve, e dyqane të veta të aplikacioneve kanë edhe disa prodhues të pajisjeve mobile dhe operatorë mobil. /Telegrafi/