LAJMI I FUNDIT:

“Kjo është rinia jonë” me regji të Fatos Berishës, së shpejti në teatrin “Dodona”

“Kjo është rinia jonë” me regji të Fatos Berishës, së shpejti në teatrin “Dodona”

Një derë që hapet ajo asnjëherë nuk mbyllet nëse puna dhe vullneti i mirë i çdokujt ka lënë hapësirë për të vepruar dhe jetësuar atë.

Një tjetër shfaqje e veçantë do të vijë së shpejti në Teatrin e Qytetit të Prishtinës – “Dodona”: me pesë studentë të cilët do të kenë fatin e madh të finalizojnë mundin e tyre katërvjeçarë në Fakultetin e Arteve. E, ky mund po të kurorëzohet me një shfaqje me regji të regjisorit të mirënjohur, Fatos Berisha.

“This is are youth” (Kjo është rinia jonë), me tekst të Kenneth Lonergan, është një shfaqje e suksesshme në SHBA, që do të jetësohet për herë të parë në Kosovë.

Në një konferencë për media, Berisha tregoi për emocionin e tij, meqë rikthehet për të punuar – pas 18 viteve – në teatrin “Dodona”.


“Është një moment shumë emocionues kthimi në shtëpinë time, në ‘Dodona’. Këtu i kemi bërë hapat e parë në zanatin tonë. Ky teatër ka qenë dikur edhe një tempull i rezistencës”, ka thënë ai. “Më ka ftuar drejtori Agron Shala që të punoja diçka. Ndihem i privilegjuar, por edhe i sfiduar, sepse tërë ekipi do të përbëhet nga studentët. Ky do të jetë provimi i tyre i diplomës”.

Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje, që për tematikë ka jetën e rinisë urbane, janë: Fatlume Bunjaku, Ema Uka, Rifat Smani, Edon Bërveniku dhe Bashkim Alaj.

“Përmes fatit të personazheve që kanë një konflikt, përmes dy djemve e një vajzë krijohet një trekëndësh që flet shumë për shoqërinë amerikane, për një sistem të vlerave të fundit të shekullit XX. Flet për një kohë të kapitalizmit neoliberal i cili e ka sfiduar shumë shoqërinë e sidomos disa pjesë të shoqërisë që janë në margjina, si rinia, e që e kanë shumë të vështirë adaptimin në një sistem ku gjithçka është e perceptuar me vlerën monetare. Është një tragjikomedi, e thellë në kuptimin e etikës së shoqërisë moderne”!

Për drejtorin e teatrit “Dodona”, është lajm i mirë që Berisha punon sërish në këtë teatër, ndërsa ky projekt është më i veçantë me të, meqë po thellon edhe më shumë ndihmën që ky teatër e jep për Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Mu për këtë, mirënjohës është edhe prodekani i fakultetit të Arteve, Hazir Haziri.

“Këta janë studentët që kanë mbaruar ligjëratat në vitin e katërt, në drejtimin e aktrimit. Këta studentë, duke mos ditur se çka të përzgjedhin – meqenëse mundësitë e përzgjedhjes dhe mundësitë e realizimit ndonjëherë krijojnë konflikte – dolën me fat. Jam falënderues ndaj teatrit ‘Dodona’ që krijon mundësi për të gjithë studentët t’i realizojnë obligimet e tyre”, ka thënë ai.

Studentja Fatlume Bunjaku tha se është shumë e privilegjuar dhe me fat që në këto rrethana do të diplomojë.

“Po arrijmë që diplomën ta bëjmë në ‘Dodona’, ku kemi filluar dhe i kemi mbajtur të gjitha provimet”, tha Bunjaku.

Sipas saj, kjo nismë duhet të jetë shembull për të gjithë regjisorët e tjerë që të bashkëpunojnë me studentët për të lehtësuar diplomimin e tyre.

“Jo krejt studentët e kanë fatin të diplomojnë në këtë. Kjo është mënyra më e mirë”, shtoi ajo.

Ndryshe, Berisha tha se nga e hëna e javës së ardhshme fillojnë provat, të cilat për katër javë do të rezultojnë me premierë. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
Në nder të Sylvia Plathit

Në nder të Sylvia Plathit

Analiza
NJË PYETJE

NJË PYETJE

Poezi

"Koha e kometës" dhe "Heshtja e Lornës" në Selanik

Kultura
Kalo në kategori