LAJMI I FUNDIT:

Taraku: Mbrojini krijuesit e mirëfilltë, mbylleni TKK-në

Taraku: Mbrojini krijuesit e mirëfilltë, mbylleni TKK-në

Regjisori dhe profesori i Fakultetit të Arteve, Selami Taraku, shprehet i pakënaqur me tretmanin që i është bërë shfaqjes së tij “Dëshmitari” në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Prandaj, ka vendosur ta tërheq shfaqjen e tij nga repertori.

“Shfaqja, me tekstin dhe regjinë time, që nga futja në repertor në dhjetor 2013 e deri tani me repriza, ka përjetuar golgota prej shumë njerëzve, madje nga vet TKK – njerëzit që e kanë menaxhuar dhe e menaxhojnë këtë teatër e që ishin e janë në borde”, thotë ai për Telegrafin.

Mbrëmë, sipas tij, shfaqja është shkurtuar për 15 minuta. Ai thotë se njëri nga aktorët ka ardhur i papërgatitur dhe pa e ditur tekstin.

“Ç’është më e keqja, përsëritet për disa herë me radhë prishja e miksetës së tonit dhe asaj të dritave. Si mund të prishen ato bash kur fillon shfaqja? Publiku në të gjitha këto raste është dëmtuar më shumë se vet autori i cili është i mësuar me këto marifetllëqe diletanteske dhe amatoreske që po e përcjellin Teatrin Kombëtar viteve të fundit”, thotë Taraku.


Sipas tij, TKK duhet të jetë teatër i piedestalit të kulturës teatrore, për çka edhe ka epitetin kombëtar.

“Shfaqja, edhe gjersa punohej, kishte shantazhe të mëdha prej njerëzve që tash janë në bord. Ata intervenonin në Ministri të Kulturës tek njerëzit e tyre që ajo të ndalohet. Por, në fakt ata janë injorantë, sepse shterpësinë e tyre krijuese e kompensojnë në këtë mënyrë, duke bllokuar e linçuar secilin individ të suksesshëm jashtë rrethit të tyre, por edhe suksesin e Teatrit Kombëtar”, thekson Taraku.

Siç thekson profesori Taraku, gjersa në premierë publiku dhe njohësit e teatrit e pritën mirë shfaqjen, ndodhi etiketa më e rënd.

“Injoranti Fadil Hysaj, keqpërdoruesi i fondeve publike dhe manipuluesi që nuk është i thirrur profesionalisht as të vlerësojë e as të punojë si regjisor, meqë nuk ka diplomë të regjisë, e njollosi shfaqjen duke futur huti mes gazetarëve e publikut, se gjoja teksti ishte plagjiaturë. Hysaj, që partitë politike i ndërron si brekët, e ka krahasuar atë me tekstin ‘Vdekja dhe vasha’ që po ashtu ishte dhënë ditë më parë në TKK. Kjo dëshmohet nga bredhjet e tij nëpër zyrat e Ministrisë së Kulturës me etiketimet dhe kërkesat që të largohet teksti im. Këtë ma kanë dëshmuar njerëzit që luftonin që ky tekst të futet në repertor, sepse trajtonte një temë tabu: dhunimet fizike gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe ato psikologjike të pasluftës nga njerëzit e njëjtë, kolaboracionistët që sorollatur në Kosovë”, shprehet regjisori.

I shtyrë nga këto, Taraku thotë se nuk ka më arsye ta lë shfaqjen e tij në repertorin e TKK-së.

“Nuk dua që vepra ime të përjetojë abuzime të mëtejme, as nga menaxhmenti, e as nga klanistët të cilët Teatrin Kombëtar e kanë sjellë në nivelin e amatorizmit të viteve ’70. Është koha që ky teatër të mbyllet me një çelës të madh, gjersa nuk ndryshon qasja ndaj artit dhe ndaj krijuesve. Kjo nuk ndodh vetëm në teatër, por në çdo institucion kulturor ku adhamudhët e kulturës i kanë futur kthetrat dhe dëmtojnë në çdo pore kulturën, institucionet kulturore dhe imazhin që kultura e shqiptarëve të Kosovës e ka krijuar me mund ndër vite. A e meritojmë këtë? Kjo që unë po e tërheq shfaqjen është vetëm një sinjal karshi asaj çka po ndodh në përditshmërinë e kulturës në Kosovë. Andaj, ju betohem se gjersa ndodhin këto gjëra, më as kafe nuk do të pi në bufenë e TKK-së, si shumë krijues tjerë të mirëfilltë. Prandaj, për këtë temë më nuk dua të flas”, thotë Taraku në fund të bisedës. /Telegrafi/