LAJMI I FUNDIT:

“Kolona” shfaqet në Beograd

“Kolona” shfaqet në Beograd

Filmi i suksesshëm kosovar, “Kolona”, pritet të ngjallë reagimin e opinionit publik në Serbi për shkak të tematikës së tij. Ai po shfaqet për herë të parë në kuadër të festivalit të filmit “Free Zone” në Beograd, pasi muaj më parë ishte anuluar prezantimi i tij në Novi Sad.

Filmi i Ujkan Hysajt do të shfaqet sot (12 nëntor) në mes të Serbisë. Projekti i regjisorit të ri kosovar, që trajton luftën e fundit në Kosovë dhe dhunën e regjimit serb ndaj popullatës civile, do të prezantohet para publikut serb në Beograd. “Kolona” do të shfaqet në kuadër të festivalit për të drejtat e njeriut “Free Zone Film Festival” krahas 13 filmave të tjerë të regjisorëve kosovarë që po marrin pjesë në kuadër të një programi të përzgjedhur nga drejtuesit e Dokufestit.

Regjisori Ujkan Hysaj ka thënë për KultPlus se filmi i tij është anuluar pasi ishte përzgjedhur për pjesëmarrje në këtë festival. Ai tha se selektori i filmave të kësaj ngjarjeje e kishte njoftuar përmes adresës elektronike se “Kolonat” është anuluar nga konkurrenca nga frika e reagimit të audiencës dhe interpretimeve të mundshme se festivali mund të perceptohet si proshqiptar.

Ndërkohë, drejtori i “Dokufest”, Veton Nurkollari, ka bërë të ditur se ky është programi më i madh i filmave kosovarë të prezantuar ndonjëherë në Serbi. “Filmat kanë kryesisht tematika sociale, ekologjike dhe bashkëkohore, përveç filmit të Hysajt që ka për temë luftën”, ka thënë Nurkollari.


Krahas filmit “Kolona” të martën në program është paraparë edhe shfaqja e katër filmave të tjerë të regjisorëve kosovarë, si “Zibidi” nga Nart Zeqiraj, “Kaseta e Dasmës” nga Ariel Shaban,”Nusja Jonë” nga Nita Deda dhe Yll Çitaku, si dhe filmat “Tatita” nga kolektivi i filmbërësve Kolektiva.

Ndërkaq, të hënën në Beograd janë shfaqur nëntë filma të tjerë, katër prej të cilëve u prodhuan nga nxënësit e shkollave të mesme me anë të projektit të DokuFest, “Shkolla dhe Filmi Dokumentar”. Ata u shfaqën në programin The Future is Here. Programi përfshiu filmat e shkurtër të krijuar nga autorë të rinj nga i gjithë rajoni të cilat u prodhuan me anë të punëtorive filmike të festivalit “Free Zone” në Beograd, “Pravo Ljudski” në Sarajevë dhe “DokuFest” në Prizren.

“Free Zone Film Festival” është festivali më i madh i të drejtave të njeriut në Serbi dhe nuk ka karakter garues. Në këtë festival po marrin pjesë filma të shteteve të ndryshme të botës. “Free Zone Film Festival” do mbyllet më 13 nëntor.