LAJMI I FUNDIT:

Filmat në arenë për Gladiatorin e Artë

Filmat në arenë për Gladiatorin e Artë

Antikitet, kinema dhe det. Në qytetin e Durrësit organizohet për herë të parë Festivali Veror i Filmit Artistik 2008 (Summer International Film Festival), një festival ndërkombëtar që organizohet nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare Kinematografike.

Nga data 23-31 gusht, filma nga vende të ndryshme të botës, duke filluar nga fqinjët grekë, maqedonas, tek turqit, deri në Irak, shfaqen në amfiteatër dhe në Teatrin “Aleksandër Moisiu”. Në garë janë edhe katër filma shqiptarë, ndërsa prodhimet shqiptare në vite do të jenë të pranishme gjatë gjithë ditëve të festivalit. Sipas Anila Luftës (Varfit), pjesë e stafit të festivalit, ideja për të zhvilluar një aktivitet të tillë lindi si nevojë për të mbushur boshllëqet që lë prodhimi i pakët kombëtar, varfëria e jetës kulturore në Durrës dhe ngritja e një strukture që afron njerëzit tek kinemaja.

Në festival shfaqen filma të prodhuar pas vitit 2005, 35 mm dhe mbi 70 minuta të gjatë. Sipas Luftës janë zgjedhur filma me subjekte të veçanta, tek-tuk edhe komercialë. Bordi përzgjedhës i përbërë nga Xhevdet Feri, Ilir Budka, Genc Përmeti dhe Anila Varfi përzgjodhën 12 filma.

Në ekranin e madh shfaqen “Ahlaam” (Ëndrra), prodhim që vjen nga Iraku, filmi maqedonas “Prevrteno”, filmi çek, “Obsluhoval jsem anglickeho krale” (I shërbej mbretit të Anglisë), filmi rus “Georg”, ai turk “Beyaz Melek” (Ëngjëlli i bardhë), “Blodsband” (Mirush), prodhim norvegjezo-maqedonas, filmi italian “Fine pena mai” (Ndëshkim pa fund), Filmi nga Sllovenia “Instalicja Ljubezni” (Ngritja e dashurisë), filmi grek “Diorthosi” (Korrigjimi) bazuar në historinë e vrasjes së një shqiptari gjatë ndeshjes Shqipëri-Greqi, filmi kroat “Pravo Cudo” (Mrekulli e vërtetë), “Zivi i mrtvi” (Të gjallë e të vdekur), fimi serb “Konji vrani”(Kuajt e zinj).


Ndërsa ndër shqiptarët janë “Trishtimi i zonjës Shnajder” me regji të Pirro Milkanit, “Mao Ce Dun” i Besnik Bishës, “Sekretet” e Spartak Pecanit dhe “Koha e Kometës”, filmi-premierë i Fatmir Koçit. Në një kënd të veçantë, gjatë gjithë ditëve të festivalit shfaqen filma shqiptarë, kryesisht ata që kanë fituar kupa në Festivalin Kombëtar të Filmit.

Në amfiteatër organizohet kinemaja verore për publikun e gjerë, ndërsa në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” do të jetë projeksioni kryesor për jurinë dhe të ftuarit specialë.

Sa i përket këtyre të fundit, disa prej emrave që mendohet të marrin pjesë janë Jan Harlan, producent në disa prej filmave të regjisorit Stanley Kubrick, si “Barry Lyndon”, “The Shining”, “Full Metal Jacket”, “Eyes Wide Shut”, dhe asistent producent në “A Clockëork Orange”. Harlan është edhe producent ekzekutiv i filmit “Artificial Intelligence: AI”, një bashkëpunim midis Spielberg-ut dhe Kubrick-ut.