LAJMI I FUNDIT:

Arta, aktore e dy filmave në festivalin “Karlovy Vary”

Arta, aktore e dy filmave në festivalin “Karlovy Vary”

Në edicionin e 43-të të Karlovy Varyt në Republikën e Çekisë, aktorja kosovare, Arta Dobroshi, do të merr pjesë me dy role të saja të cilat i luan në filmat, "Heshtja e Lornës" dhe "Trishtimi i zonjës Shnadër".

“Heshtja e Lornës” është programuar në seksionin “Open Eyes” të Festivalit.

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary shfaqen mbi 220 filma çdo vit nga e gjithë bota. Filmi “Heshtja e Lornës” do të shfaqet me 5, 8 dhe 11 korrik në Grand Hall dhe dy salla tjera të këtij festivali.

Çmimi më i madh që jepet në këtë Festival është “Crystal Globe” (20.000 dollarë amerikanë). Një i tillë i jepet këtë vit aktorit amerikan Robert De Niro për kontributin në kinemanë botërore.


Ndërkaq, edhe kinemaja shqiptare prezantohet në festivalin prestigjioz ndërkombëtar të Karlovy Varyt. Lajmin e bëri të ditur regjisori i filmit “Trishtimi i zonjës Shtajner”, Piro Milkani për gazetën “Shekulli, i cili do të jetë i pranishëm në edicionin e 43-të të festivalit që nisi më 4 dhe mbyllet më 12 korrik.

Filmi i tij “Trishtimi i zonjës Shnajder” mund të quhet më shumë një film “çek”, edhe pse regjisorët, Piro dhe Eno Milkani dhe aktori protagonist, Kreshnik Xhelilaj janë shqiptarë.

Edhe në këtë film Arta Dobroshi paraqitet në një rol sekondar kurse në ekipin e filmit të Milkanit drejtor i fotografisë është Afrim Spahiu.

Në Karlovy Vary, “Trishtimi i zonjës Shtajner”, shfaqet premierë ndërkombëtare në seksionin e filmit çek për vitin 2007-2008, në datat 7 dhe 11 korrik. Në fakt është një koproduksion shqiptaro-çeko-kosovarë, i financuar nga Çekia, Qendra Kombëtare Shqiptare Kinematografike, Ministria e Kulturës në Kosovë, ndërsa historia është ambientuar e gjitha në Çeki, në vitet e gjashtëdhjeta, në kohën kur Milkani studionte kinema në Pragë. Është vepra autobiografike e një shqiptari ku flitet fund e krye çekisht.

Ka disa filma shqiptarë apo me elementë shqiptarë që marrin pjesë në Karlovy Vary.
Në seksionin konkurrues të quajtur East of the West , ku jepet një përzgjedhje speciale e filmave më të mirë nga Evropa qendrore dhe Lindore.

Nga janari 2007 janë prodhuar rreth 15 vepra nga Hungaria, Rumania, Lituania, Rusia, Estonia, Bosnje Hercegovina, Sllovakia, Çekia, Polonia, Gjermania, Letonia dhe Shqipëria me “Mao Ce Dunin” e Besnik Bishës. Filmi shfaqet më 11 korrik në Theatre Karlovy Vary dhe më 12 korrik në Cinema Lázně III. Të ftuar do të jenë regjisori Besnik Bisha dhe skenaristi Besnik Mustafaj.

Nuk është hera e parë që Shqipëria merr pjesë në “West of the East”. Më parë kanë qenë aty edhe “Syri magjik” i Kujtim Çashkut dhe “Slogans” i Gjergj Xhuvanit.