LAJMI I FUNDIT:

“NEW BORN” rrëmben “Luanin e Artë” të Kanës

“NEW BORN” rrëmben “Luanin e Artë” të Kanës

Agjencia udhëheqëse për komunikim me tregun në Kosovë, "Ogilvy Kosova", ka mposhtur 85 shtete nga mbarë bota në fushën e dizajnit.

Vetëm një muaj pas çmimit të argjendtë, “Silver Clio”, në festivalin për lëmin e reklamimit “Clio Awards” në Majami, për dizajnin e skulpturës hapësinore, “New Born”, kjo agjenci ka arritur të rrëmbejë edhe çmimin, “Luani i Artë”, në festivalin e 55-të ndërkombëtar të publicitetit, “Luani i Kanës 2008”, i mbajtur në Francë.

Eksperiencën nga ky festival, të cilësuar si shumë të rëndësishme, udhëheqësit e “Ogilvy Kosova” e shpalosën në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, me t’u kthyer nga festivali. Për çmimin e fituar është shkruar edhe në ballinën e gazetës prestigjioze “New York Times”.

I inspiruar nga festivali i filmit në Kanë, një grup botëror i kontraktuesve të reklamave kinematografike e ka parë të udhës që edhe prodhuesit e reklamave të pranojnë njohje të ngjashme si kolegët e tyre në industrinë filmike.


Drejtori kreativ i “Ogilvy Kosova”, Fisnik Ismaili, ka thënë për KTV se do të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e kësaj industrie në Kosovë, por për këtë sipas tij duhet bashkëpunim dhe përkrahje.

Skulptura “New Born”, e cila simbolizon lindjen e një shteti të ri është vendosur në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në të cilën krerët më të lartë të institucioneve por edhe qytetarët kanë vënë nënshkrimet e tyre. Është e ndërtuar nga hekuri dhe secila shkronjë është tre metra e gjatë, 1 m e thellë dhe peshon 1 ton. Ky dizajn sipas kreatorëve të tij do të prezantohet edhe në disa festivale të tjera.