LAJMI I FUNDIT:

Fillon Festivali i studentëve Skena UP

Fillon Festivali i studentëve Skena UP

Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, të martën, duke filluar nga ora 20:00, bëhet hapja solemne e edicionit të 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Studentëve për Film dhe Teatër, SKENA UP, që do të mbahet nga data 20 deri më 27 nëntor në Prishtinë.

Edicioni i pestë i Festivalit SKENA UP i kushtohet yllit të kinematografisë kosovare, aktorit të ndjerë, Faruk Begolli, i cili ka qenë edhe drejtor artistik i Festivalit për katër vite me radhë.

Festivali do të mbahet në Kinema ABC, ku çdo ditë nga ora 12:00 do të shfaqen filmat që janë në konkurrencë zyrtare; nga ora 16:00 çdo ditë do të shfaqet nga një film ku ka luajtur Faruk Begolli; çdo ditë në ora 18:00 në Kino Studio (Concordia Pictures) do të shfaqen filmat mysafirë; pastaj në Teatrin Kombëtar, në Teatrin Dodona dhe Teatrin ODA në termin të ndryshëm, 18:00, 20:00, 22:00, do të jepen shfaqjet teatrore.

Po ashtu do të mbahen edhe tri workshope: njëri në KIJAC prej datës 21-24 nëntor nga ora 10:00 deri më 16:30 dhe do të udhëhiqet nga Arno Aschauer; tjetri workshop në Teatrin Dodona prej 24-27 nëntor nga ora 10:00 deri më 15:00 dhe do të udhëhiqet nga Jerry Coyle; ndërsa workshopi i tretë do mbahet në Fakultetin e Arteve, me datë 22 dhe 23 nëntor, duke filluar nga ora 10:00 deri më 14:00, dhe do të udhëhiqet nga dr. Nigar Hasim dhe Shamal Amini.


Ndërsa çdo natë në Kafe-bar Kontra do të ketë muzike live ku do të performojnë shumë bende nga Kosova.

Bileta për një dite në Kinema ABC kushton 1 euro, për filmat e Faruk Begollit 3 euro, për Kino Studio 1 euro, për një shfaqje teatrore 1 euro ndërsa për after-party 1 euro.

Hyrja është e lirë për pjesëmarrësit e festivalit, studentët e Artit dramatik dhe gazetarët.