LAJMI I FUNDIT:

Stimulimi i votuesëve të rinjë përmes Mediave Sociale

Stimulimi i votuesëve të rinjë përmes Mediave Sociale

Është tema për të cilën do të diskutohet këtë të premte, më 25 tetor duke filluar nga ora 19:00 në Hobbiton (https://www.facebook.com/hobbitonpz), Prizren gjatë edicionit të pestë të BarCamp Prizren, i cili organizohet nga OJQ THY.

BarCamp është një ngjarje joformale që përkrahet nga komuniteti dhe në mes tjerash i jep shumë rëndësi debatit interaktiv ndërmjet folësit dhe audiencës. Gjatë këtij edicioni do të flitet rreth Stimulimit të votuesëve të rinjë përmes Mediave Sociale. Edicioni i pestë i BarCamp Prizren do të organizohet nga OJQ THY ndërsa mbështete nga Këshilli për Veprim Rinor Lokal (KVRL), IPKO Foundation dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), projekti Mediat Sociale për fuqizim inovativ lokal (SMILE).

Yll Rugova do të flet rreth konceptit se si rrjetet sociale tashmë kanë nisur ta kenë rolin jo vetëm të lehtësuesit të komunikimit dhe socializimit, por më parë të jenë vetë jeta e re sociale e njerëzve. Andaj zgjedhjet nuk i takojnë një jete më reale se jeta që krijohet në rrjete sociale, ku pandehim se këto rrjete po ndihmojnë ose pengojnë. Pra, përmes rrjeteve sociale ne zgjedhim vazhdimisht… duhet që zgjedhjet shtetërore si proces t’i bëjmë pjesë të këtyre zgjedhjeve virtuale.

Si e arrijmë këtë? Na mbetet që zgjedhjet shtetërore ti bëjmë pjesë të rrjeteve sociale si cak përfundimtar, në këtë mënyrë të gjithë ata që angazhohen në këto rrjete do të punojnë që ajo të realizohet sa më parë.


E rreth projektit të cilën është duke e zbatuar EC Ma Ndryshe në Prizren, rreth mediave sociale do të flas Drejtori ekzekutiv i saj Hajrulla Çeku.

Si inkurajohen të rinjtë e Prizrenit për pjesëmarrje në vendimmarrje lokale përmes qasjes inovative dhe edukative duke ju lehtësuar kuptimin e të drejtave qytetare dhe të përgjegjësive, përvojat e EC-it mbi aktivizmin, përdorueshmërinë e rrjeteve sociale si mjet forcimi të komunikimit interaktiv dhe të drejtpërdrejt midis pushtetit lokal dhe grupeve rinore. Për më tepër, Hajrullahu do të flet edhe për modulet të cilat janë krijuar për qytetarët e Prizrenit, si peticionet elektronike dhe raportimi i shqetësimeve.

“Një LIKE, një VOTË” është temë që do të shtjellohet nga Bashmir Xhemaj duke u mbështetur në rolin e mediave sociale sot, transformimit që po i ndodh botës gjithnjë në funksion të të mirave publike dhe të qytetarëve për më shumë aktivizim politik e publik në njërën anë, dhe kërkim të llogaridhënies nga ana e pushtetit. Pra, benefitet dhe rreziqet e një përfshirje gjithnjë e më të madhe aktorëve shtetëror e civil nëpërmjet medias sociale. Së dyti, në kushtet e Kosovës cili do të ishte modeli më i mirë që mund të aplikohej. A ka arritur që mobilizimi nëpërmjet mediave online të shndërrohet në aksion politik apo thjeshtë po e rrit edhe më shumë nivelin e cinizmit politik. Xhemaj do të fokusohet më shumë për rastin e zgjedhjeve në Kosovë, të rinjtë dhe cili është votuesi kosovar sot dhe angazhimin e partive politike në Kosovë karshi mediave sociale, sa kanë arritur ta kapitalizojnë ato votuesin e ri dhe a mund të ndikoj që një like të përkthehet me një votë.

Ardita Osmanaj koordinatore e projektit “Ti je shefi. Ti vendos” së bashku me Artan Zekën do të prezantojnë projektin i cili ka qëllim vetëdijësimin e rinisë për procesin zgjedhor. Gjatë këtij prezantimi do të keni mundësinë të ndjekni edhe video të shkurtëra të realizuara si pjesë të projektit, të njiheni rreth punës në terren. Gjithashtu të pranishmëve do t’iu prezantohen statistikat dhe raportet e debateve të mbajtura në 7 komunat më të mëdha (përfshirë edhe Prizrenin) për raportin e të rinjëve me politikën dhe opinion e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje.

Për pjesëmarrësit që vijnë me kohë ka edhe pije falas. Sponsor medial të BarCamp Prizren janë Telegrafi.com, ndërsa ngjarja mund të përcillet edhe në rrjetet sociale, ku veçanërisht në Twitter mund të kërkoni më shumë me hashtag #BCPrizren.