LAJMI I FUNDIT:

Një aplikacion për Kosovën

Një aplikacion për Kosovën

Sipas statistikave më të fundit prej Google, Play Store ka rreth 675,000 aplikacione ndërsa dhe po vazhdon t’i afrohet App Store të Apple, që javën që shkoi kishte rreth 700,000 aplikacione, megjithatë pak prej tyre në cilëndo platformë kanë diçka në lidhje me Kosovën e të cilin do ta shkarkonte një person për të mësuar më shumë nga vendi ynë.

Këtë synon ta ndryshojë Mobile AppCamp Kosova që mbahet këtë vikend me 2-4 Nëntor në Prishtinë, në Innovation Centre Kosovo, që do të mbledh dizajner e programer për të krijuar aplikacione unike që do të përfaqësojnë Kosovën më së miri, në disa kategori, duke përfshirë turizëm, lojëra e histori.

Nën mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, së bashku me Këshillin Britanik, IPKO Foundation dhe Ambasadën Mbretërore Norvegjeze në Kosovë, gara në fjalë do të sjellë infrastrukturën e nevojshme për pjesëmarrësit që të garojnë për të fituar shpërblime prej 3,000 Euro, për kategori. E përveç kësaj juria do të ofrojë edhe një shpërblim special për ekipin me aplikacionin më të mirë, duke e dërguar në Mobile World Congress 2013, ku ata do të mund të prezantojnë aplikacionin e zhvilluar në AppCamp para një industrie globale.

Deri më tani sipas organizatorëve janë konfirmuar 12 ekipe pjesëmarrëse megjithëse sa po afrohen ditët po rritet interesimi, dhe ka gjasa që ky numër të rritet. Përveç punës në aplikacione gjatë vikendit, ekipet do të kenë rastin që të dëgjojnë edhe panele me tema të ndryshme në lidhje me tregun e aplikacioneve, si dhe prezantime prej folësve vendor e ndërkombëtar, detajet për të cilët duket se do të mbesin sekret deri në vikend. Por gjithsesi këto panele dhe prezantime prej folësve janë të hapura edhe për publikun, të cilët mund të vijnë t’i ndjekin ato edhe pa qenë pjesëmarrës në AppCamp.


AppCamp Kosova është garë e organizuar si pjesë e fushatës për diplomaci digjitale e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, që synon përmirësimin e Kosovës në botën digjitale, përkatësisht në internet.

Për më shumë vizitoni http://www.appcampkosovo.com/