LAJMI I FUNDIT:

Startup Weekend Prishtina #2

Startup Weekend Prishtina #2

Për 54 orë, Prishtina për herë të dytë u shëndërrua në arenë të ndërmarrësisë, ku elita e komunitetit me një vizion të qartë drejt së ardhmes për të krijuar biznese, u mblodh dhe punoi për një vikend të plotë drejt shëndërrimit të ideve në realitet.

Me 22 ide të prezantuara të premtën, dhe 8 grupe të formuara pas votimit, Startup Weekend Prishtina në edicionin e saj të dytë solli në jetë produke për menaxhim të automatizuar të shtëpisë, shërbime për kujdes shtëpiak e aplikacione interaktive për fëmijë për mësim të matematikës. Pas një situate paksa më të heshtur të premtën me 25 maj, audience filloj të gjallërohej gradualisht falë punës së Anca Foster e Nick Stevens, të cilët në rolin e tyre si lehtësues, sollën prej pak duarve të ngritura prezëntim të 22 ideve, prej të cilave spotanisht u krijuan 8 grupe. Programer, dizajner, market menaxher, projekt menaxher e pjesëmarrës nga Kosova, Norvegjia, Anglia e Rumania, nën mbështetjen e vazhdueshme të pijeve energjike RED BULL, punuan, krijuan vizionin, identifikuan klientët, formuan kontrata me ta, bënë marrëveshje, bënë anketa e krijuan prototipe dhe demonstrime reale.
Smart Home Pocket (www.smarthomepocket.co)
Vendi i parë, që u shpall edhe fitues i edicionit të dytë të Startup Weekend Prishtina, Smart Home Pocket themeluar nga Dijon Vula, Dren Imeraj dhe Edin Oruqi, arriti që brenda 54 orëve të krijojë një prototip të kontrollimit në formë të automatizuar të shtëpisë si dhe aplikacionin përkatës, për të arritur që përdorues të kontrolloj përmes aplikacionit mobil pajisjet që dëshiron të ndez apo vë në funksion në shtëpi gjersa është larg saj. Biznes modeli, potencial ndërkombëtar, përkushtimi i ekipit dhe prezantimi me demo ishin ato që padyshim ndikuan në vendimin e jurisë, e cila pati një punë të vështirë veçanërisht pas punës së jashtëzakonshme të të gjitha ekipeve.
Safe House (www.safe-house.co)
Shërbime për kujdes të shtëpisë, kujdes të fëmijëve e të vjetërve e mirëmbajtje të shtëpisë suaj, ishin shërbimet e ofruara nga Safe House, themeluar nga Donik Karaqi, Shaip Gashi dhe Faton Sopa, të cilët në 54 orët e tyre, arritën që të sjellin edhe kontrata me klientë, të gatshëm për punë.
Math 4 Kids (www.math4kids.co)
Edukimi i fëmijëve është një problematikë në nivel global, por këtë dëshirojnë ta ndryshojnë për të mirë grupi i Math 4 Kids, themeluar nga Driton Prushi, Agon Avdimetaj, Chris Georgiev, Esat Pllana, Doruntina Sadiku dhe Blerta Thaçi, të cilët me produktin e tyre të synuar për distribuim në platformat mobile e rrjete sociale, dëshirojnë të lehtësojnë procesin e mësimit të matematikës për fëmijët. Gjatë punës së tyre, grupi u komponua mjaft mirë duke sjellë në jetë aplikacion për demonstrim për iOS, një biznes model të mirë me pagesë për aplikacionin e tyre, anketa me konsumatorë e strategji për të ardhmen.
Çka tjetër?
Në Startup Weekend Prishtina, natyrisht të gjithë janë fitues, mbi të gjitha për shkak të eksperiencës, edukimit dhe shoqërimeve të reja, ndërsa duhet pasur parasysh se pjesëmarrësit janë padyshim elitë e tregut të Kosovës, dhe potenciali i vendit. Rezervimet online për doktor pa lëvizur nga shtëpia përmes eDoktori.co, lehtësimi i udhëtimit drejt botës prej Prishtinës prishtinadepart.co, sekretet e milionerëve, menytë digjitale switchmenu.com e aplikacionet për gjetje të informatave në Prishtinë checkoutprishtina, dëshmuan punë të jashtëzakonshme, kualitet në nivel maksimal dhe mbi të gjitha rezultate të mahnitshme të cilat janë përshëndetur edhe nga organizatorët e Startup Weekend Global.
Startup Weekend Prishtina u organizua nga Innovation Centre Kosovo, e cila ofroi edhe pre-inkubim për vendin e parë, duke sjellë zyre në shfrytëzim, bashkë me konsulencë e trajnime, ndërsa për shpërblime u përkujdesën edhe IPKO Foundation që ofroi 3 netbook, për vendet e para, Microsoft që ofroi smartphone me Windows Phone për vendin e parë, Telegrafi.com me buxhet marketingu për shfrytëzim për gjashtë muaj, STIKK anëtarësim pa pagesë për një vit për tre vendet e para, Universum trajnime në vlerë prej 250$ për njërin prej ekipeve fituese e startupR konsulencë në regjistrim të biznesit në nivel ndërkombëtar.
Mentorët
Peter Sunde, bashkëthemeluesi i The Pirate Bay dhe themeluesi i Flattr.com, siç duket ka filluar ta pëlqej Kosovën dhe sërish ka qenë i pranishëm si mentor për pjesëmarrësit në Startup Weekend Prishtina. Nick Stevenes, ndërmarrës dhe bashkë-themelues biznesesh nga Holanda gjithashtu solli shkathtësitë e tija në Prishtinë, e pas tij edhe Kushtrim Xhakli nga Changers.com/HackFWD, Anca Foster nga Startup Weekend, Arian Celina inxhiner softuerik, Milot Shala inxhiner softuerik nga së shpejti në Nokia, Luca Pescatore IT Manager, Ilir Bekteshi e Fisnik Latifi specialist në marketing dhe komunikim nga Raiffesien Bank Kosovo, Bernard Nikaj nga Universiteti i Prishtinës, Flamur Mavraj nga Empirio AS, Nuhi Peci nga Norvegjia, Zana Tabaku bashkëthemeluese e Appdec dhe Agim Bekaj e Dimitar Grozdanov nga Microsoft./Digjitale