LAJMI I FUNDIT:

Hakmarrja e Anonymous për Megaupload

Hakmarrja e Anonymous për Megaupload

Pasi që qeveria amerikane ndërpreu funksionimin Megauploadit, shërbim ky i popullarizuar për shkëmbimin e fajllave i cili kryesisht përdorej për qëllime të piraterisë (edhe pse, natyrisht, kishe edhe fajlla legal për download), kolektivi haktivist Anonymous vendosi të ndërmarr “masa të caktuara”.

Kështu ata bënë sulme DDoS mbi ueb-faqet e shumë përkrahësve të legjislacionit famoz SOPA dhe PIPA (edhe pse ndërprerja e shërbimit Megaupload zyrtarisht nuk ka kurrfarë lidhje me këto ligje).

Në mesin e të sulmuarve u gjetën, pa ndonjë habi të madhe, Oda e avokatëve shtetërorë, U.S. Copyright Office, MPAA (Motion Picture Association of America), dhe shtëpitë muzikore Universal Music dhe BMI, e në momentin e shkrimit të këtij lajmi është duke vijuar sulmi mbi Warner Music Group. Sipas lajmeve të fundit ishte rrëzuar madje edhe faqja e FBI-së!

Ekipi, pra, ende nuk ka përfunduar sulmet (të gjithë të interesuarit aksionin e tyre mund ta përcjellin edhe në twitter), e duket se ata po mundohen ta nisin një Megaupload “të ri”.


Sulmi përndryshe është kryer përmes LOIC-së (Low Orbit Ion Cannon), aplikacion ky open-source për testimin e ngarkesës së rrjetit dhe kryerjen e sulmeve DoS, e në të sipas pohimeve morën pjesë 5,365 njerëz (edhe pse disa raporte cekin pjesëmarrjen e më shumë se 20,000 njerëzve, derisa disa të tjerë thonë se ishin 1,200). /Telegrafi/