LAJMI I FUNDIT:

Skype me shërbim të përkthimit në “kohë reale”

Skype me shërbim të përkthimit në “kohë reale”

Microsoft ka zbuluar shërbimin e saj të ri të përkthimit gjuhësorë në "kohë reale", i cili do të integrohet në kuadër të Skype.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Satya Nadella tha se kompania të cilën ai e udhëheq do ta lansojë një test-version të shërbimit, të cilin do ta quajë Skype Translator, dhe i cili do të jetë në dispozicion për Windows 8.

Ky veprim vjen si përgjigje ndaj konkurrencës në rritje në sektorin e telefonisë së bazuar në internet, e cila i ka detyruar kompanitë të gjejnë mënyra të reja për të tërhequr më shumë përdorues.

Sipas Microsoft, Skype aktualisht ka 300 milionë përdorues mujor në nivel global.


"Ky shërbim do ta bëjë të mundur që njerëzit të komunikojnë mes vete, pa pengesa gjuhësore," tha Nadella, i cili e mori pozitën e shefit ekzekutiv në shkurt të këtij viti.

Microsoft nuk tha nëse shërbimi do të ofrohet falas ose nëse përdoruesit do të duhet të paguajnë një tarifë të caktuar për ta përdorur shërbimin. / Telegrafi / Foto: Mashable /