LAJMI I FUNDIT:

Lista e furnizuesve të Apple dhe e kushteve të punës

Lista e furnizuesve të Apple dhe e kushteve të punës

Apple publikoi listën deri tani sekrete të furnizuesve të vet në mbarë botën, dhe paralajmëroi se do të punojë rreth problemit të keqtrajtimit të punëtorëve tek disa nga këto kompani.

Publikimi i listës së 156 kompanive, të cilat përbëjnë 97% të zinxhirit të furnizimit të Apple, është një rast i rrallë në industrinë e teknologjisë e cila në masë të madhe mbështetet në furnizuesit e jashtëm të komponentëve dhe shërbimeve. Edhe më shumë habit një publikim i këtillë nëse merret parasysh fakti se Apple është kompani që mban sekretet me një përpikëri të paparë, gjë që nxiti spekulimet se kompania nën udhëheqjen e Tim Cook në masë të madhe të hapë afarizmin e vet.

Apple publikoi se ka bërë hulumtime të shumta rreth kushteve të punës pranë furnizuesve të vet dhe se deri tani ka zbuluar gjashtë raste aktive dhe 13 të arkivuar të përdorimit të fëmijëve si fuqi punëtore, por nuk bëhej fjalë për partnerët të cilët bëjnë kompletimin e pajisjeve por për furnizuesit e komponentëve. Janë gjetur edhe shumë probleme të tjera dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve, sikurse që janë mos-pagesa e kompensimeve përkatëse, shkurtimi i beneficioneve, mospërdorimi i masave përkatëse mbrojtëse, falsifikimi i listave të rrogave, testimi i punëtorëve për shtatzënie, dhe mos-aplikimi i masave për mbrojtjen e ambientit.

Në Apple theksojnë se për çdo vit zgjerojnë verifikimet që bëjnë dhe shkojnë më thellë në zinxhirin e furnizimit, dhe bëjnë më rigoroz kushtet që duhen pranuar. Për shkak të kësaj besojnë se me këtë do të sigurojnë se kushtet do të përmirësohen nga viti në vit, por gjithashtu theksojnë edhe se ka mbetur shumë për të bërë në këtë fushë.


Më shumë informata mund të gjeni në faqet e Apple. /Telegrafi/