LAJMI I FUNDIT:

iPad 3 pa surpriza?

iPad 3 pa surpriza?

Shumë njerëz presin që Apple së shpejti të paraqet tabletin iPad 3, në përputhje me këtë nëpër Internet po qarkullojnë gjithnjë e më shumë thashetheme rreth vetë pajisjes. E të fundit në radhë po vijnë nga faqja iLounge, redaktori i së cilës Jeremy Horwitz pohon se në CES kishte pasur shansin të shoh modelin e përfunduar e iPad 3.

Sipas pohimeve bëhet fjalë vetëm për shtëpizën e pajisjes (jo edhe iPad 3 funksional), që zbulon mjaft detaje rreth dukjes së gjeneratës së ardhshme të këtij tableti. Sipas fjalëve të Horowitz, iPad 3 për nga dizajni do të jetë mjaftë i ngjashëm me modelin iPad 2 (sikurse iPhone 4 dhe 4S), madje aq i ngjashëm sa që dallimet do të mund të bëhen vetëm nëse të dyja pajisjet vendosen njëra pranë tjetrës.

iPadi i ri do të jetë vetëm pak më i trashë (rreth 1 mm) në krahasim me iPad 2, derisa vrima më e madhe për kamerë në pjesën e prapme të pajisjes sugjeron kamerën më të mirë dhe më të avancuar se ajo e modelit aktual. Më së shumti ndryshime do të jenë në vet harduerin e pajisjes – përveç procesorit të ri A6, disa burime cekin edhe ekranin e ri me rezolucion më të lartë dhe dendësi të pikselëve të ngjashme me atë të iPhone 4.

Duke pasur parasysh se prodhuesit e shtesave për iPad në CES kishin vetëm shtëpizën, Horowitz nuk mundi të konfirmoj saktësinë e informatave për ekranin më kualitativ. Koha e paraqitjes zyrtare të iPad 3 ende nuk dihet, e thashethemet flasin për periudhën nga shkurti deri kah fundi i pranverës. /Telegrafi/