LAJMI I FUNDIT:

Ura e spiunëve

Ura e spiunëve

Gazetari anglez Giles Whittell ka qenë korrespondent i Times-it nga Moska dhe Washingtoni. Libri më i njohur i tij është “Bridge of Spies” (Ura e Spiunëve) që është botuar në vitin 2010 në New York, kurse në Londër një vit më vonë. Libri është i bazuar në ngjarje të vërteta nga koha e Luftës së Ftoftë. Esenca e librit është shkëmbimi i spiunëve në urën Glienicke të Berlinit në vitin 1962. Aty është shkëmbyer spiuni sovjetik Rudolf Abel, me pilotin amerikan Francis Gary Powers dhe Frederic Pryor i cili ishte një studiues i ekonomisë politike të shteteve socialiste.

Por, filmi (Bridge of Spies) që ka fillua të shfaqet në Londër nga 27 nëntori i këtij viti, nuk është i bazuar në këtë libër nga i cili është marrë vetëm titulli. Në realitet filmi është ndërtuar mbi tregimin personal të avokatit James Donovan që e ka rrëfyer në librin e tij me titull ‘Strangers on a Bridge’. Donovan ka qenë avokat dhe përfaqësues juridik (mbrojtës) i spiunit sovjetik Rudolf Abel i cili ka qenë britanik, kurse emri i tij i vërtetë ishte William August Fisher.

Regjisori Steven Spielberg ka marrë tregimin e Donovanit të cilin e vendos si personazh qendror të ngjarjes, rolin e të cilit e luan Tom Hanks. Kur në New York arrestohet Rudolf Abel (rolin e të cilit e luan shkëlqyeshëm aktori Mark Rylance), avokati Donovan i caktohet si mbrojtës.


Donovan dëshiron ta mbroj Abeli-in duke i zbatuar parimet themelore sikur në të gjitha rastet tjera që ofron ligjshmëria amerikane. Por, Abel është spiun dhe paraprakisht nga opinioni amerikan, por edhe nga gjykatësi i rastit, është i shpallur fajtor edhe pse procedura gjyqësore nuk ka filluar. Kështu e donte situata, atëherë që prodhonte frikë nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftoftë dhe gjatë së cilës fazë amerikanët vërtetë besonin se sulmi nga Moska mund të vinte çdo moment.

Megjithatë, Donovan si avokat i mirëfilltë, insiston që klienti i tij, edhe pse spiun që dëmton interesat e shtetit të tij, duhet të ketë të drejta në procedurën gjyqësorë që ia garanton Kushtetuta amerikane e që në fakt i mohohen. Një gjë e këtillë Donovanin e shndërron në njeri të urryer në sytë e opinionit amerikan, pasi që shihet si mbrojtës i armikut. Urrejtja ndaj tij është aq e madhe sa që organizohen sulme të armatosura ndaj tij dhe familjes.

Edhe gjykatësi është i mendimit se Abel duhej të dënohet me vdekje, por i shqiptohet dënimi me 30 vite burg në vitin 1957. Para marrjes së vendimit, në një bisedë private, Donovan i thotë gjykatësit se nuk do të ishte në rregull nëse zbatohet dënimi me vdekje, pasi që Abel mund t’i hynte në punë shtetit amerikan. Dhe, mu ky parashikim i avokatit ndodhë.

Në Turqi, në vitin 1960, SHBA ruante armën më sekrete që përdorte kundër Bashkimit Sovjetik. Fjala është për aeroplanin U2 i cili fluturonte nga një bazë ushtarake turke për të fotografuar territoret ushtarake sovjetike. Po në këtë vit sovjetikët rrëzojnë një U2 dhe e zënë rob pilotin Powers. Ky akt ishte një goditje e rëndë dhe turpshme për amerikanët.

Sovjetikët i dërgojnë një porosi sekrete Abelit në burg për të dhënë shenja se dëshirojnë shkëmbimin e tij me pilotin. Me këtë rast CIA, për shkak se shteti amerikan nuk dëshironte të angazhohet zyrtarisht, e cakton avokatin Donovan që të negociojë me sovjetikët e me gjermano-lindorët. Donovan është i pranueshëm për të gjitha palët, pasi që gjatë gjykimit kishte treguar aftësi profesionale dhe kishte kërkuar drejtësi për klientin e tij e cila gjë kishte ndikuar që sovjetikët ta konsideronin personalitetin e tij me simpati.

Donovan e pranon kërkesën e CIA-s dhe fillon punën sekrete të ndërmjetësimit ku tregohet si negociator brilant. Nga negociatat ia del që në vend të një një të burgosuri amerikanë, siç e kishte për detyrë, i nxjerrë dy. Dhe, kështu, nga njeriu më i urryer në Amerikë shndërrohet në heroin e Amerikës çfarë kishte qenë në të vërtetë edhe gjatë gjykimit.

Natyrisht, që në film nuk mund të nxirren të gjitha detajet që gjenden në libër. Mjeshtëria tregohet kur regjisori vendos cilat ngjarje do t’i përfshij e cilat do t’i përjashtojë. Spielberg e ka ruajtur esencën e narracionit që gjendet në libër. Aftësia e tij duhet të çmohet edhe me faktin që ai arrin ta bart me shumë sukses në celuloid atmosferën e tendosur Lindje -Perëndim gjatë Luftës së Ftoftë dhe sidomos gjatë incidenteve në fjalë. Ngjarja bëhet edhe më atraktive pasi që ndodhë gjatë kohës së ndërtimit të murit të Berlinit. Ndoshta punën më të mirë në këtë aspekt e kanë bërë skenaristët Matt Charman, Ethan Coen dhe Joel Coen. Natyrisht, aktori Tom Hanks është brilant si gjithmonë. Edhe aktorët tjerë Mark Rylance, Amy Ryan dhe Alan Alda janë për çdo lavdatë.

“Bridge of Spies” si dramë historike (thriller) është pa dyshim ndër filmat më të mirë të prodhuar viteve të fundit.

Në trend

Më shumë
Vrasja e burrit që dogji Kuranin ishte transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, policia suedeze gjeti në apartamentin e tij telefonin e ndezur

Vrasja e burrit që dogji Kuranin ishte transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, policia suedeze gjeti në apartamentin e tij telefonin e ndezur

Evropa
Xheneta reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK: Kam nevojë për kohën time për të reflektuar dhe t’i kapem realitetit jashtë asaj shtëpie

Xheneta reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK: Kam nevojë për kohën time për të reflektuar dhe t’i kapem realitetit jashtë asaj shtëpie

Magazina
Gjenerali gjerman paralajmëron ndërhyrjen ruse: Nuk jemi më në paqe

Gjenerali gjerman paralajmëron ndërhyrjen ruse: Nuk jemi më në paqe

Evropa
Amir Rrahmani pritet të largohet nga Napoli

Amir Rrahmani pritet të largohet nga Napoli

Serie A
Teoricienët e konspiracionit thonë se përplasja e helikopterit me aeroplanin në Uashington ishte e qëllimshme – tregojnë ‘argumentet e tyre’

Teoricienët e konspiracionit thonë se përplasja e helikopterit me aeroplanin në Uashington ishte e qëllimshme – tregojnë ‘argumentet e tyre’

Amerika
Fisnik Syla del vullnetar për t'i paguar Gjestit 100 mijë eurot e Big Brother VIP Albania

Fisnik Syla del vullnetar për t'i paguar Gjestit 100 mijë eurot e Big Brother VIP Albania

Magazina
Kalo në kategori