LAJMI I FUNDIT:

Lufta që duhet ta bëjmë të bashkuar

Lufta që duhet ta bëjmë të bashkuar

Vizita e kësaj jave e Papa Françeskut në Shqipëri ishte një ngjarje e madhe për historinë e vendit tim. Por, më shumë se aq, ishte një mesazh i fuqishëm për botën. Së pari sepse ai zgjodhi vendin më të varfër të Evropës për të nisur turin e tij evropian. Së dyti dhe më e rëndësishmja, ai zgjodhi një vend ku myslimanët, që përbëjnë shumicën, bashkëjetojnë në paqe me të krishterët.

Ai erdhi si një udhëheqës shpirtëror universal dhe si flamurmbajtës i përpjekjes njerëzore kundër paragjykimeve dhe ndarjeve mes njerëzve në bazë të besimit, etnisë apo shtresës sociale; dhe ai u prit nga të krishterë dhe myslimanë, pa dallim. Kjo ishte një mrekulli e rrallë për botën gjithnjë e më të trazuar dhe të frikësuar ku po jetojmë. U ndjeva krenar për fytyrën që Shqipëria u tregoi Papës dhe botës, një shembull i paçmueshëm i bashkëjetesës ndërfetare.

Ishte mjaft domethënëse për ne që ai e nisi turin e tij evropian, jo në zemër të Evropës, as në qendër të BE-së, por në Ballkanin Perëndimor. Një rajon i famshëm në histori për konflikte (jo vetëm për atë që shpërtheu në Sarajevë 100 vjet më parë); një rajon që ka kaluar një shekull me luftëra ideologjike, me konflikte etnike, me divergjenca fetare dhe me trazira të përgjakshme nga kufiri në kufi. Por, sot, Ballkani është një rajon i paqes dhe i bashkëpunimit.


Historia jonë e dëshmon se përse ne ishin aq entuziastë për vizitën e Papës, por më tepër e dëshmuan sytë e qindra e mijëra të krishterëve dhe myslimanëve, të cilët gëluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në Shqipërinë komuniste, klerikët u vranë dhe kishat u bënë shkrumb e hi. Ndërsa, sot, krerët e besimeve fetare janë një pjesë vitale e shoqërisë sonë, duke punuar së bashku për të mirën e qytetarëve tanë.

Mesazhi që i përçohet botës nga kjo vizitë është mjaft i rëndësishëm në këtë kohë. Pasi, siç e tha edhe Papa Françesku, Lufta e Tretë Botërore ka nisur tashmë. Disa edhe mund të mospajtohen me këtë. Por, siç tha edhe Papa, vala barbare e të ashtuquajturit Shteti Islamik i Irakut dhe i Levantit vazhdon të përhapet, duke sjellë kaos, vrasje dhe paqëndrueshmëri që i tejkalojnë kufijtë. Dhe, nëse nuk reagohet, atëherë kjo valë nuk do të kursejë asnjë shtet të botës në emër të fesë islame, të cilën ne e njohim si paqësore, ashtu siç është në të vërtetë.

Është e qartë se ata po bëjnë luftë për nga mënyra se si po veprojnë. Dhe, përgjigja jonë duhet të jetë po aq e qartë. Sepse, kjo luftë na prek të gjithëve. Kur kokat e prera të njerëzve të pafajshëm, të cilët ndodheshin në zemër të konfliktit për të raportuar atë çka vërtet po ndodhte, përdoren si përçues të mesazheve kërcënuese ndaj SHBA-ve dhe aleatëve të tyre, neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta shohim këtë si një luftë ndaj një epidemie vrastare, që përhapet duke tejkaluar çdo kufi, çdo konventë apo ligj të vendosur nga njerëzimi.

Lufta ndaj kësaj murtaje të pështirë që po kërcënon botën tonë, lirinë, të drejtat tona si qenie njerëzore dhe aspiratat tona si shoqëri demokratike, mund të fitohet vetëm nëse qëndrojmë së bashku. Veç ushtrisë, pjesë e kësaj lufte mund të behët edhe fuqia dhe përfitimet që rrjedhin prej bashkëjetesës mes besimtarëve, komuniteteve, etnive dhe vendeve të ndryshme.

Ne nuk kemi pse druhemi nga lufta. Ndonjëherë është pikërisht ajo, lufta që sjell paqe. Papa Françesku edhi në Shqipëri në vitin kur shqiptarët, të krishterë a myslimanë, u bashkuan me fqinjët e tjerë për të mbyllur një proces historik, i cili nisi që në vitin 1999 me bombardimin e Beogradit dhe me luftën plot kurajë të udhëhequr nga Bill Klintoni e Toni Bleri, për t’i dhënë fund spastrimit etnik të shqiptarëve prej Milosheviqit. Akti i tyre i luftës i dha fund spastrimit etnik dhe çoi në rënien e diktatorit djallëzor, duke i paraprirë marrëveshjes, të firmosur vitin që shkoi mes Kosovës dhe Serbisë, në emër të të ardhmes së përbashkët në BE.

Ati i Shenjtë erdhi këtu, jo vetëm për t’u folur shqiptarëve, apo të krishterëve, por për t’i folur të gjithë Evropës për nevojën e besimit dhe bashkimit, për të kapërcyer kufijtë dhe ndasitë e të tashmes, në mënyrë që të mbrojmë të ardhmen tonë të përbashkët. Ne tani e shohim ndikimin që ka konflikti i Lindjes së Mesme në Turqi dhe aty gjejmë edhe një kauzë të përbashkët. Ne dëgjojmë për planet e grupeve terroriste për të sulmuar Perëndimit dhe gjejmë aty kauzën e përbashkët. Ne jemi dëshmitarë të përhapjes së mesazheve djallëzore dhe të urrejtjes në emër të besimit fetar dhe pikërisht aty ne duhet ta gjejmë kauzën tonë të përbashkët për ta ndaluar këtë përhapje djallëzore së bashku.

Evropa Perëndimore dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë bashkë, po ashtu edhe të krishterët dhe myslimanët e vërtetë. Ballkani ka nevojë për Evropën, por edhe Evropa ka nevojë për Ballkanin. Unë mendoj se kjo është një arsye se përse Papa erdhi këtu, për ta dhënë vetë këtë mesazh.

Shumë vende të zhvilluara evropiane kanë nisur të përballen vetë me rrezikun që vjen nga Lindja dhe po kërkojnë partnerë të vegjël, në mënyrë që të ndërtojnë një mburojë të përbashkët që të na mbrojë nga epidemia që vetëm vret, si të fortin ashtu edhe të dobëtin, si të pasurin ashtu edhe të varfrin. Krimet e tyre kanë treguar se kjo barbari nuk ka fund dhe mund të kërcënojë botën tonë.

Ndaj, Evropa demokratike duhet të kundërpërgjigjet, jo vetëm me armë, por edhe forcën e bashkimit ndaj këtyre njerëzve që duan të na kthejnë në errësirën e shekujve të kaluar. Ne jemi një vend i varfër, por që duam të kemi rolin tonë në këtë luftë; një rol ky që mund të luhet vetëm përmes bashkëpunimit me vendet e tjera në Evropë dhe më gjerë.

Historia nuk ka qenë e këndshme me Shqipërinë, por ne kemi mësuar prej saj. Dhe, këtë e treguam në mënyrën sesi e pritëm dhe e dëgjuam Papa Françeskun. Ai, lideri i katolikëve, e kuptoi se Shqipëria meriton respekt pasi është shprehur njëzëri se i përket botës demokratike. Ne nuk meritojmë paragjykime si ato që ndonjëherë ua veshin vendeve myslimane. Shqiptarët duhet të respektohen për të gjithë gjakun dhe vuajtjet që kanë hequr në emër të krishterimit, duke i dhënë Kishës Katolike 40 martirë, dhe nuk duhet të bëhen shënjestër e paragjykimeve të padrejtë, sepse i falen Allahut në një vend ku krishtlindjet dhe bajrami festohen pa asnjë lloj frike.

Papa nuk është i vetmi që e kupton rolin e Ballkanit në ruajtjen e paqes dhe të arritjes së prosperitetit. Vizita e tij pason ndërmarrjet historike të kancelares Merkel. Ajo luftoi fortë që Shqipërisë t’i jepej statusi kandidat. Ajo, gjithashtu, i mblodhi të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor së bashku në Konferencën e Berlinit, duke bërë që ky rajon të niste ndërtimin e urave lidhëse të bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke.

Bota jonë ka nevojë për liderë që të përballet me sfidat e tanishme. Kancelarja Merkel është një prej tyre, edhe Papa gjithashtu. Kryeministri i Shqipërisë mbase nuk do ta ketë kurrë fuqinë e kancelarit gjerman apo të Papës, por është i gatshëm të luajë rolin e tij. Ballkani ka një rol të madh për të luajtur. Sfida jone e madhe është që të qëndrojmë larg nga kjo e epidemi e konfliktit fetar, i cila në këtë rajon mund të sjellë automatikisht konflikte etnike dhe territoriale. Por kjo është edhe sfidë për Evropën dhe ndaj duhet ta përballojmë së bashku me kurajë. Merkeli dhe Papa po na udhëheqin. Të tjerët duhet të na ndjekin. Kjo është një luftë që Evropa duhet ta bëjë e bashkuar.

(Titulli origjinal “On the Cusp of War, Pope Francis Delivers a Vital Message of Unity and Hope”, botuar në “Huffington Post”. Përktheu: Erald Deliu. Marrë nga: Shekulli)

Në trend

Më shumë
Ylli i Real Madridit ulërin nga dhimbjet e mëdha pas lëndimit të tmerrshëm që pësoi ndaj Villarrealit

Ylli i Real Madridit ulërin nga dhimbjet e mëdha pas lëndimit të tmerrshëm që pësoi ndaj Villarrealit

La Liga
Ancelotti flet për lëndimin e Carvajal: Jemi të trishtuar

Ancelotti flet për lëndimin e Carvajal: Jemi të trishtuar

La Liga
Nga Mali i Zi në Kosovë: Historia e mjekes që u bë dorë e zgjatur për shumë gra

Nga Mali i Zi në Kosovë: Historia e mjekes që u bë dorë e zgjatur për shumë gra

Sociale
Mysafirëve në

Mysafirëve në "daljen e parë publike në 11 vjet" të Michael Schumacher iu dha një rregull i rreptë për t'u ndjekur

Formula 1
Carvajal poston foto në Instagram pas lëndimit, tregon se do t'i mungojë gjatë Realit

Carvajal poston foto në Instagram pas lëndimit, tregon se do t'i mungojë gjatë Realit

La Liga
Plagosja në Mitrovicë – të dyshuarit ende në arrati, policia tregon se çka gjeti në vend ngjarje

Plagosja në Mitrovicë – të dyshuarit ende në arrati, policia tregon se çka gjeti në vend ngjarje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori