LAJMI I FUNDIT:

PDK sistemi

Nuk duhet dije, kualitet, por edhe një konfirmim (diplomë). Mjafton ta kesh një librezë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me nënshkrim të xhaxhit dhe në mënyrë automatike e ke botën në “dorë”. I sfidon të gjithë ata që ua mësyjnë konkurseve të hapura publike, e të cilat në shumicën e rasteve organizohen vetëm sa për sy e faqe.

Po thonë se gjithçka është politizuar. Madje, politika ka shkuar aq larg sa ka gisht edhe në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave fillore – edhe në fshatra të thella malore të vendit, ku në shumë raste numri i personelit është më i madh se numri i nxënëseve që vijojnë mësimin.

Futja e politikës dhe përzgjedhja e drejtorëve të shkollave, në disa raste edhe e pastrueseve që shërbejnë si informatorë të sistemit, në aspektin institucional ka shkatërruar sistemin, e në aspektin njerëzor ka hapur fronte mes atyre që përkrahin xhaxhin dhe atyre që janë kundër tij. Situatë e njëjtë, por me dozë pak më të lartë, politika është e pranishme edhe në shkolla të mesme, por edhe në universitete publike. Edhe këtu zgjidhja është shumë e thjeshtë.


E ke librezën, apo e njeh dikë, punën e ke të kryer. Por, në të kundërtën mund të futësh në një rrugë pa dalje, e që ka vetëm implikime financiare.

***

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, i cili më herët është njohur si kryetar i filialit të PDK-së, brenda Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacolllit, para pak ditësh doli para kamerave dhe me mburrje i tregonte opinionit se vajza e tij nuk ka arritur suksese në provimin pranues në njërin nga fakultetet e Universitetit Publik të Prishtinës.

Rektori është munduar që përmes bijës së tij t’i tregojë opinionit se nuk ka gisht në përzgjedhjen e më të mirëve për t’u ulur në bankat e Universitetit. Mirëpo, nuk ka kaluar shumë kohë që Gashi dy herë e ka anuluar konkursin për studentët e doktoraturës.

Gjithçka ka shkuar në rregull, mirëpo anulimi ka qenë i domosdoshëm, pasi që njerëzit e pushtetit me librezë të xhaxhit, nuk kanë plotësuar askush kushtet minimale për ta kaluar testin.

Pak e dhimbshme kjo për shtetin, dhe për këtë doktorin që ka timonin e Universitetit.

Si duket doktor Gashi ka harruar se rënia e vajzës së tij nga provimi pranues, në kushte normale përbën lajm për të dhe familjen tij. Por, jo edhe për opinionin e gjerë publik.

***

Ndërhyrjet e fundit politike të Qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), pa dyshim se do të mbahen mend gjatë, pasi që si të tilla ato prodhuan një aferë ndërkombëtare. Në pikë të drekës, nën përcjellje të mediave që përkrahin veprimet e pozitës, prokurori politik arrestoi në zyrën e tij të punës guvernatorin e atëhershëm të BQK-së, Hashim Rexhepi, ku e rëndoi atë me akuzat nga më të rëndat që njeh kodi Penal i Kosovës. Nuk shkoi shumë kohë, kur edhe prokurori përfundoi në burg. Me akuzë të njëjtë sikurse ai që ia pati bërë guvernatorit.

Pas futjes në burg të Rexhepit, akuzat filluan të zbehen e të humbin një nga një. Pjesa dërrmuese e tyre ishin të shpikura. Pas më shumë se gjashtë muajsh burg, guvernatori u la i lirë, pasi që ndaj tij nuk arritën të dëshmojnë qoftë një shkelje. Por, sa ishte ai në burg, Qeveria e politika u munduan që bëjnë pazare rreth pozitës së re. Mirëpo, një skenar të tillë në atë kohë e nuhatën mirë ndërkombëtarët që stopuan çdo iniciativë që shpie në politizimin e sistemit.

Gani Gërguri erdhi për disa muaj në krye te BQK-së, pasi që ai ishte si kompromis mes pozitës, opozitës dhe ndërkombëtarëve që operojnë në Kosovë. Edhe këtij nuk i zgjati shumë kohe, sepse ky njihet si njeri i paguximshëm për të marrë vendime. Kështu e përshkruajnë mirë ata që e njohin. Ngritja në pozitë për një kohë atij paksa ia rriti standardin e jetës, mirëpo edhe numrin e llogarive bankare dhe shumën e mjeteve të depozituara në to. Gërguri nga byreku e qebapët që zakonisht i hante në zyrën e tij, filloi ta qeraste veten me sandviçë dhe coca-cola, në njërin nga lokalet që ndodhet përballë Bankës Qendrore të Kosovës. E, në fund ndodhi ajo që është pritur. Me librezë të PDK-së, guvernator i ri i Bankës u bë ish-ministri Financave, Bedri Hamza.

Pak muaj pasi që erdhi në këtë pozitë, ai po e kompleton kabinetin e tij me militantë të partisë në pushtet. Politizimi i BQK-së po ashtu është njëri nga “mëkatet” më të mëdha të qeverisë Thaçi. Këtë nuk e bënë qeveritë paraprake, edhe pse kanë mundur. Dorën në zemër kanë qenë edhe të fortë fizikisht.

***

E politizuar dhe komplet nën kontroll të xhaxhit është edhe Administrata Tatimore e Kosovës. Drejtuesi i saj, vartësit e tij, por edhe shumë nga inspektorët, edhe më tutje vazhdojnë të jenë argatë të sistemit. Por, jo aty ku duhet, po aty ku iu bëhet me gisht. Disa biznese të mëdha që janë të lidhura me politikën e që shumë lehtë mund t’i identifikosh përgjatë magjistrales Prishtinë-Ferizaj, brenda ditës qarkullojnë qindra mijëra euro. Ndërkaq, shumë prej tyre nuk kanë arka fiskale. Inspektorët i dinë mirë ata, por asnjëherë nuk i kanë vizituar.

Këta të fundit gjobitin sa munden pronarët e kioskave të cilat nuk po iu lëshojnë kuponë fiskalë qytetarëve që blejnë tek ta nga një shishe ujë për t’u freskuar, apo nga një tortë për t’u ëmbëltuar. Mirëpo, politizimi i institucioneve si duket është drejt fundit. Para pak ditësh Ministra e Financave e cila drejtohet nga Besim Beqaj, ka shpallur konkurs për drejtor të ri të Doganave të Kosovës. Deri më tash Doganat janë drejtuar nga Naim Huruglica, e i cili në opinion njihet njeri apolitik.

Por, politizimi i Doganave është goditja më e rëndë që mund të pësojë shteti i Kosovës në aspektin ekonomik, pasi që edhe më tutje pjesa dërrmuese e të hyrave që mbajnë gjallë shtetin sigurohen përmes zhdoganimit të mallit nëpër pikat kufitare, e ku çdo rënie e të hyrave, apo çdo rritje e evazionit fiskal, direkt kërcënon shtetin në aspektin politik.

Kosova ka nevojë për politikanë të cilët promovojnë dhe avancojnë shtetin në aspektin ekonomik e politik drejt gjirit të familjes së madhe evropiane. Por, kësaj të fundit dhe shtetit tonë më së paku i duhen menaxherë politikë që po mundohen ta fusin nën kontroll politik dhe ta shkatërrojnë edhe ndërmarrjen e fundit të pavarur në vendin tonë.