LAJMI I FUNDIT:

Asgjë e re në Kosovë dhe për Kosovën

"Trazirat sociale mund të rrëzojnë Hashim Thaçin"!

Çka në të vërtetë lë të kuptohet nga ky titull. Ose, çfarë kuptimi do të mund të kishte ky mesazh i koduar.

E para: Qeverisë së popullit të Kosovës, i bëhet e qartë, se, po që se nuk do të jetë edhe më tutje bashkëpunuese dhe bashkëvepruese, do të hiqet qafesh shumë shpejt, e qeverisja e mëtutjeshme, qeverisësve aktualë do t’u ngelet vetëm ëndërr.


E dyta: Popullit të Kosovës u bëhet e qartë se ata janë faktorët që do të mund të largonin këtë qeveri, por për të larguar qeverinë duhet protestuar, e që ato protesta më pas të eskalonin në trazira, e ato trazira të kuptoheshin si sociale.

E treta: Si qeverisë ashtu edhe popullit të Kosovës u bëhet e qartë se nuk do të lejohet dhuna e tepruar, sepse në mes tyre do të jenë trupat e KFOR-it.

E gjithë kjo, sipas parashikuesit, do të bëhej në emër të demokracisë, nëpërmjet të drejtës për protestë, e cila do të mund të eskalonte në trazira…

Dhe…?!

Asgjë e re e që s’është parë a dëgjuar më parë…

Jo vetëm këtë qeveri të Kosovës, por trazirat mund të rrëzojnë çdo qeveri, përfshirë edhe qeveritë e shteteve më të zhvilluara dhe më me ndikim në Botë.

Nuk është hera e parë që qeveritë bien për shkak të trazirave. Dhe, ky fakt, ose kjo e dhënë, nuk e përbën lajmin si të mirëqenë. Nuk është diçka e re, dhe e padëgjuar. Bien qeveritë edhe nga dy herë e më shumë në vit. Ajo që do të përbënte lajmin është se çfarë do të sillte qeveria e re? Cilat do të ishin frytet e kësaj trazire të mundshme, e që populli do t’i vilte?

Me të drejtë do të mund të shtroheshin këto pyetje:

Po, Qeveria që vjen pas kësaj që do të rrëzohet nga trazirat sociale, do ta ketë "shkopin magjik" për të zgjidhur problemet e grumbulluara me vite të tëra?

Po, Qeveria që vjen, a do t’i bënte ballë këtyre problemeve sociale?

Po, Qeveria që vjen, a do të jetë bashkëpunuese dhe bashkëvepruese me ndërkombëtarët?

Po, nëse nuk janë bashkëpunuese dhe bashkëvepruese, sa do t’i zgjas mandati qeverisë që do të zëvendësonte këtë të sotmen?!

Janë këto pyetje që kërkojnë përgjigje. E përgjigjet i kanë vetëm ata që "parashikojnë" rënien e qeverive aktuale dhe instalimin e qeverive të tjera. E "parashikuesit" e rënieve të tilla jo rrallëherë shndërrohen në instalues të ngritjeve të reja…

Duket që diçka nuk po u shkuaka së mbari bashkëpunimit Qeveri e Kosovës – ndërkombëtarë, sepse nuk mund të kuptohet ndryshe ky "titulli bombastik" nëpër portale e gazeta të ndryshme, e që, ndryshe do të mund të kuptohej si një mesazh i koduar, dërguar njëkohësisht qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës. Varet cili e dekodon i pari, Qeveria apo popullata. Nëse e dekodon Qeveria e para, dhe përmirëson bashkëpunimin, ose vazhdon bashkëpunimin me "paralajmëruesit", trazira s’e besoj që to të ketë, sepse do të parandalohen nga vetë ata që i kanë parashikuar.

Nëse Qeveria aktuale nuk e bën dot një gjë të tillë, e dekodon popullata, e “karremi” kafshohet, atëherë mbase do të ketë trazira, që do të mund të rezultonin me rrëzimin e kësaj qeverie.

Por…

Në të dyja rastet, mjet dhe viktimë do të jetë popullata e Kosovës. Sepse, askush nuk do të mund të garantonte që trazirat (jo vetëm në Kosovë) të mos jenë të përgatitura nga vetë faktorët që i parashohin ato, dhe të kenë të vetmin qëllim – të rrëzojnë qeveritë aktuale, në mënyrë që të nxjerrin një qeveri e që, përbërësit e asaj qeverie, mbase po ashtu do të jenë trajnuar ose trajnohen për të vepruar sipas diktatit të "parashikuesve" dhe kur nuk u del pazari si duhet, sërish i rrëzojnë për të sjellë të tjerë… E, kështu, qeveri pas qeverie, e gjithsesi populli i dërrmuar.

Prandaj, po e them lirshëm: asgjë e re në Kosovë dhe për Kosovën, e që do të relaksonte popullatën!