LAJMI I FUNDIT:

Procesi i vonshëm i kombformimit në Maqedoni

“…Gabimet historike janë faktori esencial për të formuar një komb… Të bëhet historia e gabuar është pjesë e të qenurit komb…” – Ernest Renan.

Politikologu gjerman Felix Hanschmann, kur flet për teorinë e kombformimit, pohon se ajo është formë më e zakonshme e procesit të formimit të një identiteti të përbashkët, me qëllim që të legjitimojë pushtetin publik brenda një territori të dhënë. Një formë e tillë e organizimit politik origjinën e ka në Evropën Perëndimore, që në shekullin XVIII ose XIX.

Një proces i suksesshëm i kombndërtimit prodhon një projeksion kulturor të kombit, që përmban një tërësi supozimesh, vlerash dhe besimesh, që mund të funksionojnë si themelim legjitimizues të një strukture shtetërore.


Nëse marrim shekujt XIX dhe XX, shohim se tipat kryesor të kombformimit me impakt më të qëndrueshëm në botën moderne ishin kolonizimi dhe nacionalizmi. Anne-Marie Thiessem thekson se procesi intensiv i kombndërtimit në Evropë konsiderohet shekulli XIX. Njëherazi ky proces ndryshoi thellësisht hartën politike dhe kulturore të Evropës, për vetë faktin se kombi në kuptimin modern të fjalës është definuar si komunitet politik dhe kulturor.

Kombndërtimi përfshinë krijimin e veglave kombëtare, si flamurin, himnin, ditët kombëtare, stadiumin kombëtar, si dhe mitin kombëtar, pohon Jochen Hippler. Në të shumtën e rasteve ai përfshin edhe shfrytëzimin e propagandës si dhe mjetet e ndryshme infrastrukturore me qëllim të kultivimit të harmonisë sociale dhe zhvillimit ekonomik.

Edukata qytetare dhe patriotike konsiderohet si element mjaft i rëndësishëm në procesin e kombndërtimit. Tanimë për këtë shkak gjatë shekullit XIX gjithandej nëpër Evropë popujve të ndryshëm iu shpërndanë artikuj dhe revista, me përmbajtje të historisë kombëtare, heronjve kombëtarë, trashëgimisë kombëtare, arritjeve kulturore etj.

Madje, jo vetëm kaq, por edhe ndërtimi i muzeve të historisë, pikturat e ndryshme, etnografia nacionale, monumentet për përkujtimin e betejave, statujat e heronjve ose ndonjë personaliteti tjetër, u krijuan me qëllime të qarta patriotike. Përmes këtyre formave synohej të bëhet mobilizim patriotik i një kombi të caktuar.

Nëpër metropolet evropiane edhe emrat e rrugëve u emëruan sipas ndonjë personaliteti historik, ndërsa nëpër qytete e ndryshme u krijuan sheshe dhe hapësira të reja. Arkitektura nëpër qytet doemos kishte lidhje me të kaluarën historike, kurse sheshet e qyteteve u zbukuruan me statuja të ndryshme, që përfaqësonin heronjtë kombëtarë dhe ngjarjet e mëdha kombëtare.

Elitat politike-kulturore shqiptare realizuan procesin e kombndërtimit dhe shtetformimit ndërmjet viteve 20-30 të shekullit XX, duke u orientuar për nga modelet e shoqërive bashkëkohore të Evropës perëndimore.

Vlen të përmendet se një proces i tillë i kombndërtimit në Turqi u intensifikua nga elitat kemaliste dhe atë pas luftës së parë botërore, pikërisht ndërmjet viteve 1923 e deri në vitin 1940. Për këtë shkak pothuajse në qytete të shumta turke u ndërtuan buste për babanë e kombit turk, Mustafa Kemal Ataturkut.

Intensiteti i tillë i edukimit patriotik mund të shpjegojë se ideja për të qenë komb si komunitet politik dhe kulturor, u zgjerua me shpejtësi nëpër Evropë gjatë shekulli XIX dhe se shteti komb tanimë u bë forma kryesore e organizimit politik.

Pra, elementi esencial i kombndërtimit është krijimi i historisë nacionale thekson Raulph Utz, sepse ashtu siç thotë edhe shkrimtari rus Nikolay Karamzin, “…historia është libri i shenjtë i popujve, pasqyre e së kaluarës… shpjegues i së tashmes… dhe shembull i së ardhmes”.

Shekulli XIX konsiderohet periudhë e formimit të kombeve edhe në Ballkan. Tanimë popujt ballkanikë nga të qenët popull ishin konsistuar në komb dhe kështu formuan shtetet kombe. Në periudhën e formimit të kombeve maqedonasit nuk u konsistuan në komb ngjashëm sikurse ballkanasit e tjerë dhe rrjedhimisht diplomacia evropiane e shekullit XIX dhe fillim shekullit XX nuk i njohu si të tillë. Ju kujtojmë se çështja maqedonase as që u mor parasysh në konferencat e evropiane qoftë në Berlin apo në Paris.

Pikërisht për këtë fakt historiani kanadez Andrew Rossos, pohon se në shekullin XIX nuk kishte prova të qarta të formimit të një vetëdije të veçantë të identitetin maqedonas, andaj maqedonasit duhej të pritnin deri në vitin 1944, për të formuar një njësi politike, mirëpo tani si pjesë e federatës së Jugosllavisë socialiste.

Meqë garnitura politike maqedonase nuk e pati një mundësi të tillë të kombndërtimit në shekullin XIX ose XX, një gjë të tillë ajo u mundua ta bëjë pas pavarësimit të saj nga Jugosllavia titiste.

Viteve të fundit një veprim i tillë është intensifikuar edhe më shumë: “Enciklopedia Maqedonase”, ndërtimi i muzeve, statujat e ndryshme në sheshin “Maqedonia”, ndërtimi i godinave me arkitekturë të stilit neoklasik dhe neobarok, e shumë të tjera… janë shembuj praktikë se si mund të realizohet një proces i kombndërtimit.

Përmes këtyre projekteve synohet të argumentohet se historia e popullit maqedonas ka një përparim linear nga periudha e antikitetit e deri tek konflikti i armatosur i vitit 2001.

Duke pasur parasysh stilin arkitektonik të të gjitha atyre godinave, atë se kujt i dedikohen statujat, vendi ku ata janë vendosur, na bëhet e qartë situata se këtu është ideja për një identitet kombëtar. Në proceset e kombformimit shpikësit e idesë së saj, pra bartësit e këtij procesi janë të prirë që t’i përjashtojnë minoritete nga ky proces thekson, profesori nga Universiteti i Oslos, Pal Kolsto.

Pra, kjo nënkupton që pa marrë parasysh se aty pritet të vendosen edhe disa skulptura të tjera të personaliteteve të historisë sonë kombëtare, mund të themi se ajo përsëri nuk ia “prish” imazhin një projekti etnocentrik përjashtues.

Projekte të tilla pa dyshim se rritin pakënaqësinë qoftë tek qytetarët shqiptarë, po edhe tek ata maqedonas. Madje, jo vetëm kaq, por një gjë e tillë qe shkas që të ritet nacionalizmi tek popullata. Njëherazi kjo mund të konsiderohet një faktor përmes së cilës Maqedonia t’i prishë marrëdhëniet fqinjësore edhe ashtu të brishta – siç është rasti me Greqinë – por edhe me Bullgarinë, e që parimisht rezulton me ngecjen e Maqedonisë drejt rrugës së saj euro-atlantike, pra NATO-s dhe BE-së.

Mund të konstatohet se procesi i kombformimit në Republikën e Maqedonisë u bazua në premisat e eksklusivitetit, etnocentrizmit dhe nacionalizmit etnik.

Me anë të këtyre projekteve ky shtet jo vetëm që nuk i jep imazh të mirë vendit, por dëshmon se për dallim nga kombet e tjera ballkanike dhe evropiane, kur është në pyetje procesi i kombndërtimit, është vonuar më sa paku për një shekull.

Në trend

Më shumë
Viktima është një 42 vjeçar, u vra brenda një lokali – policia jep detaje për vrasjen në Skenderaj

Viktima është një 42 vjeçar, u vra brenda një lokali – policia jep detaje për vrasjen në Skenderaj

Kronika e Zezë
Gjesti paralajmëron produksionin e Big Brother në Kosovë e Shqipëri: Vetëm sa të dal, ma keni futur pas shpinës

Gjesti paralajmëron produksionin e Big Brother në Kosovë e Shqipëri: Vetëm sa të dal, ma keni futur pas shpinës

Magazina
Problemet teknike, nis rinumërimi i të gjitha kutive të votimit

Problemet teknike, nis rinumërimi i të gjitha kutive të votimit

Lajme
Sulmi kibernetik ndaj ueb-faqes së KQZ-së, analiza e ekspertit të sigurisë kibernetike: Kishte për qëllim infektimin e vizitorëve dhe vjedhjen e informatave

Sulmi kibernetik ndaj ueb-faqes së KQZ-së, analiza e ekspertit të sigurisë kibernetike: Kishte për qëllim infektimin e vizitorëve dhe vjedhjen e informatave

Lajme
Vritet një person në Skenderaj

Vritet një person në Skenderaj

Kronika e Zezë
Qeveria: Nuk kemi të bëjmë as me serverët e as me software-in e KQZ-së, po tentohet të shkaktohet huti me qëllim që të ulët besimi në zgjedhje

Qeveria: Nuk kemi të bëjmë as me serverët e as me software-in e KQZ-së, po tentohet të shkaktohet huti me qëllim që të ulët besimi në zgjedhje

Lajme
Kalo në kategori